Në prill, vetëm dy muaj pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga presidenti rus, Vladimir Putin, Sergei Filenko u bë personi i parë në rajonin verior të Karelias të Rusisë që u ndëshkua për shkeljen e ligjit të ri që targeton ata që supozohet se "diskreditojnë" forcat e armatosura ruse.
Ai u shpall fajtor për të njëjtën shkelje në qershor dhe kur erdhi koha për të paguar gjobën, Filenko nuk u tërhoq nga aktivizmi i tij: Ai shkroi mesazhe kundër luftës në bankënotat prej 5.000 rublash, të cilat i depozitoi për të shlyer dënimin.
"Ua ndaloj që këto para të shpenzohen për luftën dhe miqtë e Putinit," shkroi ai në një nga bankënotat.
Filenko, një shkrimtar dhe aktivist lokal në kryeqytetin rajonal, Petrozavodsk, ka një histori të gjatë në kundërshtimin e Qeverisë së Putinit.
Në prill të vitit 2021, ai u arrestua në një protestë në mbështetje të liderit të opozitës, Aleksei Navalny.
Por, deri në fund të muajit të kaluar ai kishte rezistuar të largohej nga Rusia, siç vlerësohet të kenë bërë qindra mijëra bashkatdhetarë të tij që kur Putini filloi luftën kundër Ukrainës më 24 shkurt.
*Video nga arkivi: Rusët strehohen në Beograd
Edhe pasi Putini dha njoftimin për mobilizim ushtarak për të rritur numrin e trupave ruse më 21 shtator, Filenko kishte mëdyshje.
“E kam menduar kështu: nuk shkoj në ushtri dhe nuk më marrin dot me dhunë. Epo, edhe nëse më marrin me pranga, autobusi do të ndalojë diku për një pushim urinimi. Por, nuk mund të fshihesh nga burgu pafundësisht”, tha Filenko për North Realities të Radios Evropa e Lirë.
Por, i nxitur nga një mik, Filenko u bë pjesë e valës së fundit të rusëve që u larguan në Finlandë me një vizë turistike, përpara se autoritetet në vendin nordik të mbyllnin dyert për turistët rusë muajin e kaluar.
Filenko tani u është bashkuar afro 1.000 rusëve që kanë aplikuar këtë vit për azil politik në Finlandë, një rritje masive në krahasim me vitet e mëparshme.
Ai tani jeton në një banesë me katër azilkërkues të tjerë rusë në qytetin Imatra, rreth 10 kilometra nga kufiri rus, të cilët u laguan pasi Putini shpalli mobilizimin ushtarak.
Filenko shpreson se do të gjejë punë së shpejti për të mbajtur familjen e tij që mbeti në Rusi.
"Mendoj vazhdimisht se si do t’i marr ata këtu, ku dhe kur do të shihemi përsëri. Por, gjëja kryesore tani është që të gjej një punë," tha ai.
Turist, zdrukthëtar, recidivist
Finlanda ka qenë prej kohësh një pikë e njohur për hyrjen e turistëve rusë në zonën Shengen të BE-së. Mirëpo, pas pushtimit rus të Ukrainës, Qeveria finlandeze ka kufizuar këto hyrje.
Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, tha në gusht se “nuk është e drejtë që në kohën kur Rusia po zhvillon një luftë agresive dhe brutale në Evropë, rusët të mund të jetojnë një jetë normale, të udhëtojnë në Evropë, të jenë turistë".
Më 30 shtator, Finlanda vendosi që t'ua ndalojë shtetasve rusë me viza turistike që të hyjnë në territorin e saj. Helsinki zyrtar tha që mobilizmi ushtarak "dhe rritja e shpejtë e numrit të turistëve që mbërrijnë në Finlandë dhe kalojnë transit përmes Finlandës, rrezikojnë pozicionin ndërkombëtar dhe marrëdhëniet ndërkombëtare".
Kjo masë, së bashku me masa të ngjashme nga qeveritë e tjera evropiane, ka shkaktuar debat në Perëndim nëse mbyllja e kufijve ndaj Rusisë është përgjigje e nevojshme ndaj agresionit të Moskës ose nëse kufizimet e tilla ndëshkojnë kundërshtarët e Putinit që përpiqen të largohen nga Rusia.
Vitet e gjata të aktivizmit opozitar të Filenkos mund ta bëjnë atë të marrë më lehtë azilin politik, sesa rusët që u larguan vetëm për shkak të nxitjes nga ky mobilizim ushtarak.
SHIKONI EDHE: Çfarë nënkupton mobilizimi i pjesshëm për makinerinë ushtarake ruse?Ai i tha North Realities se kur po kalonte nga Rusia në Finlandë më 26 shtator, për disa orë u mor në pyetje nga rojet kufitare ruse për bindjet e tij politike përpara se të lejohej të kalonte kufirin.
“Ma morën pasaportën dhe pyetën nëse besoj vërtet se Navalny ishte helmuar”, tha Filenko, duke iu referuar helmimit të kreut të opozitës në vitin 2020 që qeveritë perëndimore ia atribuojnë Kremlinit.
Kur erdhi koha për të aplikuar për azil politik, Filenko e gjeti përsëri veten duke shpjeguar pozicionet e tij politike - në një intervistë për azil me një zyrtar të policisë finlandeze. Kur ai i tha zyrtarit përmes një përkthyesi se ishte zdrukthëtar dhe recidivist, oficeri i policisë u drejtua dhe u shfaq i hutuar, kujton Filenko.
“Më duhej të tregoja për të gjitha shkeljet e mia të përsëritura administrative, në çfarë tubimesh kisha marrë pjesë dhe për çfarë më arrestuan: në fillim u indinjova që Navalny ishte helmuar, pastaj për pushtimin e paprovokuar [në Ukrainë]. Me çdo 'vepër të përsëritur', polici u bë më miqësor", tha Filenko.
'Epiqendra e së keqes'
Filenko pret të marrë leje për të punuar në Finlandë në tre muajt e ardhshëm. Ndërkohë, ai frekuenton bibliotekën në Imatra, ndjek mësimet finlandeze dy herë në javë dhe pjesën më të madhe të kohës e kalon duke mësuar gjuhën, thotë ai.
Në fillim të tetorit, autoritetet finlandeze njoftuan se ukrainasit dhe rusët që kërkonin strehim në Finlandë do të strehoheshin ndaras, duke përmendur që ukrainasit mund të ndihen të frikësuar që të strehohen në të njëjtat hapësira me rusët, pas thirrjes për mobilizim ushtarak.
Filenko përshkruan se si takimet e tij me refugjatët ukrainas në Finlandë shkaktuan reagime të thella emocionale tek ai.
SHIKONI EDHE:
Përjetimet e rusëve teksa ikin nga shtetiRusët që i ikin ushtrisë, vërshojnë Azinë QendroreMbi 98.000 rusë kanë hyrë në Kazakistan prej thirrjes për mobilizimPasi mbërriti në Finlandë, ai kaloi disa ditë në dhe rreth qytetit Joensu, duke takuar miq dhe të njohur vendas për të kuptuar më mirë jetën aty.
Derisa ishte atje, ai shkoi në një qendër komunitare ku mblidheshin familjet e refugjatëve ukrainas për të pirë çaj dhe kafe.
“U ula në një tavolinë ku gratë ukrainase po pinin çaj dhe po flisnin, dhe u ndjeva si një ushtar që u arratis nga Wehrmacht, diku në Zvicër me refugjatë francezë”, kujton Filenko. “Vendi im e ka pushtuar Francën, nuk e di si të sillem”.
Ai thotë se u ngrit në këmbë dhe doli nga kuzhina, “duke ecur nëpër korridor e duke mbajtur emocionet”.
"Dhe, pastaj një djalë vrapon pas meje, më përqafon [nga këmbët], më shikon... Unë gjithashtu e shikoj atë dhe pothuajse nisi të qaj", kujton Filenko. “Ndihem sikur jam në epiqendrën e së keqes, ku asgjë nuk mund të bëhet”.