Rusia akuzon Ukrainën se tentoi ta vrasë Putinin, Zelensky mohon akuzat

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Autoritetet ruse e akuzuan Ukrainën të mërkurën, më 3 maj, se kishte tentuar ta sulmonte Kremlinin me dy dronë gjatë natës në një përpjekje për ta vrarë presidentin e Rusisë, Vladimir Putinin.

Kremlini nuk paraqiti asnjë dëshmi për incidentin dhe në deklaratën e publikuar nuk u dhanë shumë detaje.

Ndërsa, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i mohoi pretendimet e Moskës duke thënë se Ukraina "nuk ka armë të mjaftueshme" për një sulm të tillë.

"Ne nuk e sulmuam Putinin... Ne luftojmë në territorin tonë, ne po mbrojmë fshatrat dhe qytetet tona," u tha Zelensky gazetarëve në një konferencë shtypi me liderët në Helsinki.

Kremlini e cilësoi sulmin e pretenduar një “akt terrorist” dhe tha se forcat ushtarake dhe të sigurisë ruse i ndaluan dronët përpara se të kryhej sulmi.

Në një deklaratë të transmetuar nga agjencitë shtetërore ruse të lajmeve, Kremlini tha se nuk pati viktima.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i tha agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, RIA Novosti, se Putini nuk ishte në Kremlin në atë kohë dhe po punonte nga rezidenca e tij në Novo-Ogaryovo.

Kremlini shtoi se Putini është i sigurt dhe se agjenda e tij mbetet e pandryshuar.

Agjencia ruse e lajmeve, Tass, shkruan se në këtë deklaratë thuhet se Kremlini e konsideron këtë ngjarje si një përpjekje të qëllimshme për ta vrarë Putinin përpara Ditës së Fitores që Rusia e feston më 9 maj.

Zëdhënësi i Kremlinit, Peskov, tha se një paradë ushtarake do të zhvillohet atë ditë, ashtu siç ishte planifikuar më parë.

Rusia do të përgjigjet “kur dhe ku e sheh të arsyeshme”, thuhet më tutje në këtë deklaratë, sipas Tass.