Rusia dhe Ukraina përballen në Gjykatën Botërore për rastin e gjenocidit

Ndërtesa e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë të Holandës. Fotografi nga arkivi.

Rusia dhe Ukraina do të përballen para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të hënën në rastin që ka në qendër pretendimet e Moskës se pushtimi i saj i Ukrainës është bërë për të parandaluar një gjenocid.

Ukraina e solli këtë rast në gjykatën më të lartë të Kombeve të Bashkuara disa ditë pasi nisi pushtimi rus më 24 shkurt të vitit të kaluar. Kievi argumenton se Rusia po shkel ligjin ndërkombëtar duke thënë se pushtimi justifikohet me gjenocidin e pretenduar në lindje të Ukrainës.

Zyrtarët rusë vazhdojnë ta akuzojnë Ukrainën se po kryen gjenocid.

Rusia dëshiron që rasti të hidhet poshtë dhe kundërshton juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Seanca dëgjimore, që do të zgjasë deri më 27 shtator, do të përqendrohet në themelet e çështjes në vend se në argumentet ligjore lidhur me juridiksionin e gjykatës.

Moska ka thënë se Ukraina po e përdor këtë rast për të fituar një vendim gjyqësor lidhur me ligjshmërinë e veprimit ushtarak të Rusisë. Ukraina veçse e ka një fitore pasi gjykata marsin e vitit të kaluar ishte në favor të saj gjatë vendimit preliminar. Bazuar në atë vendim, gjykata urdhëroi Rusinë që të ndalë menjëherë veprimet ushtarake në Ukrainë.

Në seancën dëgjimore do të ketë dëshmi nga 32 shtete të tjera dhe të gjitha do të mbështesin argumentin e Ukrainës se gjykata ka juridiksion për të vazhduar me këtë rast.

Përderisa Rusia ka injoruar urdhrin e gjykatës që të ndalë veprimet ushtarake dhe kjo gjykatë nuk ka mënyrë që të zbatojë vendimet e saj, ekspertët kanë thënë se një vendim eventual në favor të Ukrainës do të ishte i rëndësishëm në pretendimet në të ardhmen për dëmshpërblim.

Konventa për gjenocid e Kombeve të Bashkuara e vitit 1948 e përkufizon gjenocidin si krime të kryera “me qëllim për të shkatërruar, të gjithin apo një pjesë, një komb, një etni, një racë apo një grup fetar”.