BE-ja pajtohet të dërgojë edhe 500 milionë euro ndihmë ushtarake në Ukrainë  

Pasojat e luftës në Ukrainë.

Të 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ranë dakord të dërgojnë 500 milionë euro të tjera ndihmë ushtarake për Ukrainën, njoftoi të mërkurën nëpërmjet një deklarate diplomati i lartë i BE-së, Josep Borrell.

Ai tha se është thelbësore që Bashkimi Evropian të rrisë mbështetjen ushtarake për Ukrainën, derisa Rusia përgatitet për një sulm të ri në lindje të vendit pasi “javët e ardhshme do të jenë vendimtare”.

Kjo është paketa e tretë e ndihmës ushtarake që BE-ja ka rënë dakord të dërgojë në Ukrainë, prej fillimit të pushtimit rus.

Në total, BE-ja ka dërguar 1.5 miliard euro ndihmë ushtarake.

Në muajt shkurt dhe mars, BE-ja njoftoi për dy këste të mëparshme të ndihmës ushtarake, secila me vlerë prej 500 milionë eurosh, që ishte hera e parë që bllokun armatos një vend që nuk është anëtar i BE-së.

SHIKONI EDHE: BE-ja ndanë edhe 500 milionë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën

Ndihma prej 500 milionë eurosh përfshin pajisje, karburante, pajisje mjekësore dhe armë.

Qeveria ukrainase ka njoftuar se vende të tjera të BE-së, si Sllovakia dhe Republika Çeke kanë ofruar tashmë armatim të rëndë.