Aeroportet e Moskës kufizojnë fluturimet sërish, Rusia thotë se e rrëzoi një dron ukrainas

Fotografi ilustruese nga aeroporti Vnukovo në Moskë të Rusisë, në shkurt të vitit 2021.

Dy aeroporte kryesore të Moskës i pezulluan përkohësisht fluturimet më 21 gusht pas pretendimeve të Ministrisë ruse së Mbrojtjes se një dron ukrainas ishte rrëzuar mbi rajonin e Moskës.

Aeroporti Domodedovo kufizoi fluturimet “për të garantuar masa shtesë të sigurisë së fluturimeve”, citohet të kenë thënë nga shërbimi për shtyp i aeroportit për media ruse.

Paraprakisht, edhe fluturimet drejt dhe nga aeroporti Vnukovo i Moskës u pezulluan pasi që Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se një dron ukrainas ishte rrëzuar në rajonin e Moskës nga forcat e mbrojtjes ajrore. Sipas ministrisë rusë, nuk ka viktima.

Puna në dy aeroportet ndërkombëtare thuhet se rifilloi normalisht pas rreth dy orësh.

SHIKONI EDHE: Zelensky paralajmëron se lufta në Rusi po vjen, pas sulmeve me dronë në Moskë

Këto kufizime vijnë pas masave të ngjashme të marra në aeroportet e Moskës gjatë ditëve të fundit shkaku i sulmeve të supozuara me dronë nga Kievi drejt kryeqytetit rus.

Në orët e para të 20 gushtit, operacionet në Domodedovo dhe Vnukovo u ndërprenë përkohësisht në përgjigje të asaj që zyrtarët e përshkruan si një sulm ukrainas me dron. Ministria e Mbrojtjes tha se kishte çaktivizuar dronin me mjete elektronike mbi Moskë.

Në orët e hershme të mëngjesit të 18 gushtit, fluturimet në katër aeroporte të Moskës – Vnukovo, Domodedovo, Sheremetyevo dhe Zhukovsky – u pezulluan për rreth 30 minuta pasi autoritetet vendase thanë se një dron i rrëzuar ukrainas kishte goditur një ndërtesë disa kilometra në perëndim të qytetit.

SHIKONI EDHE: Droni godet një ndërtesë në qendër të Moskës

Kohëve të fundit, Ukraina është akuzuar nga Rusia se ka nisur një varg sulmesh që kanë shkaktuar ndërprerje të transportit brenda Rusisë, përfshirë disa mbyllje të aeroporteve në javët e fundit.

Më 20 gusht, një stacion hekurudhor në rajonin jugperëndimor të Kurkut, në kufi me Ukrainën, u godit nga një sulm me dron, i cili thuhet se plagosi pesë persona.

Ukraina, e cila zakonisht nuk i ka komentuar sulmet që kanë ndodhur në territorin rus gjatë luftës 18-mujore mes dy vendeve, nuk u është përgjigjur ende akuzave për dronin që thuhet se u rrëzua mbi rajonin e Moskës më 21 gusht.

Menjëherë pas pretendimit se droni ishte rrëzuar, Ministria Ruse e Mbrojtjes tha se kishte shkatërruar edhe një dron të dytë ukrainas mbi rajonin e Moskës.

SHIKONI EDHE: Rusia thotë se i rrëzoi tre dronë ukrainas afër Moskës