Rusia nis stërvitje ushtarake me Kinën dhe Indinë

Stërvitjet ushtarake Vostok 2022.

Rusia ka nisur stërvitjet e mëdha ushtarake në lindje të vendit. Në këto stërvitje po marrin pjesë edhe forca nga Kina dhe pjesëmarrja e tyre po shihet si rritje e lidhjeve në aspektin e mbrojtjes midis Pekinit dhe Moskës, në mes të tensioneve me Perëndimin lidhur me luftën në Ukrainë.

Stërvitjet Vostok 2022 po mbahen në disa lokacione në Lindjen e Largët të Rusisë dhe në Detin e Japonisë dhe po marrin pjesë mbi 55.000 trupa, mbi 5.000 njësi armësh, përfshirë 140 avionë dhe 60 luftanije, tha Ministria ruse e Mbrojtjes.

Stërvitjet do të përmbyllen më 7 shtator.

këto stërvitje po ashtu janë përfshirë edhe trupat nga India, Laosi, Mongolia, Nikaragua, Siria dhe të disa shteteve ish-sovjetike.

India vazhdon të shprehë qëndrim neutral sa i përket luftës së Rusisë ndaj Ukrainës dhe ka argumentuar se mban raporte të mira edhe me Perëndimin, edhe me Moskën.

Kina ka refuzuar që ta kritikojë luftën e Rusisë në Ukrainë dhe ka fajësuar Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n për provokim të Moskës. Pekini po ashtu ka dënuar sanksionet perëndimore të vendosura ndaj Moskës.

Rusia, në anën tjetër, mbështet fuqishëm Kinën në mes të tensioneve në rritje me SHBA-në, pas vizitës në Tajvan të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Presidenti rus, Vladimir Putin, së fundmi ka tërhequr paralele midis mbështetjes së SHBA-së për Ukrainën dhe vizitës së Pelosit në Tajvan. Ai tha se këto dy gjëra ishin pjesë e përpjekjeve amerikane për të krijuar jostabilitet në botë.