Rusia kritikon SHBA-në për dëbimin e diplomatëve

Ambasadori rus në SHBA, Anatoly Antonov. Fotografi nga arkivi.

Vendimi i Uashingtonit për të dëbuar dy diplomatë rusë në kundërpërgjigje ndaj një mase të ngjashme nga Moska, është “hakmarrje banale”, tha ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov.

Në një deklaratë të postuar në Telegram më 7 tetor, ai tha se gjatë një takimi me palën amerikane “unë pyeta bashkëbiseduesit e mi të më shpjegonin se për çfarë akuzohen bashkëkombësit e mi, por nuk më paraqitën argumente... Prandaj, kjo në fakt është një hakmarrje banale, që nuk i shkon për shtati diplomacisë amerikane”.

Të premten, SHBA-ja njoftoi se po dëbonte dy diplomatë rusë në përgjigje të vendimit të Moskës, që muajin e kaluar përjashtoi dy amerikanë.

Moska tha se amerikanët u dëbuan për shkak të lidhjeve me shtetasin rus, Robert Shonov, i cili në të kaluarën kishte punuar në Konsullatën amerikane në qytetin lindor të Vlladivostokut.

Lexoni edhe këtë: SHBA i kërkon Rusisë ta trajtojë mirë ish-punëtorin e Ambasadës amerikane

Pas një reduktimi të mëhershëm të numrit të diplomatëve, Shonov nisi punën si kontraktor dhe SHBA-ja tha se ai u punësua për monitorimin e rregullt të mediave ruse.

Por, Antonov tha se dy diplomatët e dëbuar amerikanë “po ndërhynin në punët e brendshme dhe po tentonin të minonin sigurinë kombëtare të Rusisë”.

Raportet midis SHBA-së dhe Rusisë janë përkeqësuar që kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës në vit më parë. SHBA-ja nuk ka zhvilluar bisedime në nivel të lartë me Rusinë, me përjashtim për çështje specifikime, sikurse aranzhimet për këmbimin e të burgosurve.

Edhe para nisjes së luftës, prania diplomatike e SHBA-së në Rusi ishte reduktuar ndjeshëm pas një dekreti të presidentit rus, Vladimir Putin, që kufizonte punësimin e stafit lokal, teksa rusët që aplikonin për viza amerikane shpesh ishin detyruar të aplikonin në ambasada të një shteti të tretë.