Rusia bllokon faqet e REL-it dhe disa mediave të huaja

Selia e Radios Evropa e Lirë në Pragë.

Disa faqe të Radios Evropa e Lirë (REL) dhe faqet ruse të mediave, BBC dhe Deutsche Welle, janë bllokuar në Rusi, sipas grupit vëzhgues, GlobalCheck.

Është raportuar edhe për bllokim të platformave, Facebook, Twitter, dhe dyqaneve online të Apple dhe Google.

Ky hap është marrë në orët e para të 4 marsit dhe vjen pas disa kërcënimeve ndaj Radios Evropa e Lirë dhe mediave tjera për mbulimin e luftës në Ukrainë.

Kjo bllokadë ua pamundëson rusëve qasjen në Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë.

Shërbimet rajonale të REL-it, Sever.realii, Sibir.realii dhe Kavkaz.realii, janë bllokuar po ashtu në Rusi.

Faqja e Current Time, televizionit në gjuhën ruse – projekt i Radios Evropa e Lirë dhe Zërit të Amerikës – është bllokuar nga autoritetet ruse nga 28 shkurti, ndonëse shërbimi ka gjetur mundësi për të shmangur bllokadën.

SHIKONI EDHE: Rusia bllokon faqet e dy projekteve të REL-it

Gazetarët e mediumit Meduza, me bazë në Letoni, që transmeton në gjuhën angleze dhe ruse, kanë thënë se “gjithçka tregon se faqja jonë është bllokuar në Rusi”.

“Këto kohëra do të kalojnë. Ne do të vazhdojmë punën”, kanë thënë ata.

Zyrat e Shërbimit rus të REL-it kanë pranuar gjashtë njoftime nga rregullatori i mediave në Rusi, Roskomnadzor më 2 mars, duke kërcënuar me bllokim të faqeve.

Rregullatori ka thënë se materialet e publikuara “kanë qenë qëllimshëm të rreme për sulmet e supozuara ruse në territorin e Ukrainës” në mënyrë që të “krijojnë panik mes njerëzve”.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Putin, ka thënë të enjten, 3 mars, se “operacioni special ushtarak” në Ukrainë është duke shkuar sipas planit dhe i ka konsideruar ushtarët rusë si heronj.

Your browser doesn’t support HTML5

Putin: Operacioni rus po shkon sipas planit

Komentet televizive të Putinit kanë qenë në kundërshtim me deklaratat e qeverive të Perëndimit dhe agjencive të inteligjencës se fushata ushtarake e Putinit po përballet me probleme logjistike, gabime taktike dhe rezistencë më të madhe sesa është pritur nga Ukraina.​

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.