Rusia paralajmëron marrëveshje tregtare me Iranin

Një grua kalon pranë një shenje që shkruan “Prodhuar në Rusi”, gjatë Panairit ndërkombëtar të naftës dhe gazit, që është mbajtur në Teheran. 17 maj 2023.

Një marrëveshje për krijimin e një zone të lirë tregtare midis Iranit, Rusisë dhe disa shteteve të tjera në rajonin e Euroazisë mund të arrihet në fund të këtij viti.

Zëvendëskryeministri rus, Alexei Overchuk, i tha agjencisë së lajmeve ruse TASS, se bisedimet midis Bashkimit Ekonomik të Euroazisë – ku bëjnë pjesë Armenia, Bjellorusia, Kazakistani, Kirgizia dhe Rusia – dhe Iranit janë në fazën finale.

“Ne po lëvizim përpara. Ne shpresojmë shumë që një marrëveshje e tillë do të mund të nënshkruhet deri në fund të këtij viti”, tha Overchuk.

Si ky rajon, ashtu edhe Irani janë bërë më të rëndësishme për Kremlinin, pasi sanksionet perëndimore për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, i kanë kufizuar Moskës rrugët e tregtisë së jashtme dhe e kanë detyruar atë që të kërkojë tregje jashtë Evropës.

Megjithatë, pavarësisht thellimit të raporteve mes Moskës dhe Teheranit që nga nisja e pushtimit dhe nisjes së blerjes së dronëve të prodhimit iranianë për të sulmuar Ukrainën, tregtia mes dy shteteve është rritur pak.

SHIKONI EDHE: SHBA e shqetësuar se Irani po ndërton fabrikë dronësh brenda Rusisë

Sipas të dhënave qeveritare, qarkullimi i mallrave ruso-iraniane është rritur për 20 për qind më 2022. Kjo shifër paraqet dy të tretën e nivelit të rritjes së tregtisë mes Rusisë dhe Kinës, që është një tjetër partnere kyçe me të cilën Moska në dy vjetët e fundit ka zgjeruar aleancën politike dhe ekonomike.

Marrëveshja rajonale me Iranin do të zëvendësonte dhe zgjeronte një marrëveshje të përkohshme që veçse ofron uljen e tatimeve doganore për qindra kategori mallrash.

Në nëntor të vitit 2022, Rusia nisi shkëmbimin e produkteve të naftës me Iranin dhe në mars Teherani tha se mbështetet në “vëllime të mëdha” të shkëmbimeve të naftës dhe gazit me Moskën.

Overchuk po ashtu tha se negociatat në mesin e shteteve të Bashkimit Ekonomik të Euroazisë për krijimin e një tregu të përbashkët të gazit po vazhdojnë.