Autoritetet shqiptare përfshirë policinë, Ministrinë e Mbrojtjes, Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Agjencinë e Antiterrorit janë përfshirë ne hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes të ndodhur në Gramsh, ku dy ushtarakë u sulmuan nga dy shtetas rusë dhe një ukrainas.
Mbasditen e së shtunës, dy ushtarë shqiptarë, të cilët ruanin fabrikën e prodhimit të armëve në qytezën e Gramshit, janë sulmuar me spray neuro-paralizues nga 3 shtetas rusë e ukrainas.
33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, me pasaportë ruse, Mikhail Zorin 23-vjeç me pasaportë ruse, dhe një tjetër i ri me pasaportë ukrainase janë arrestuar nga autoritetet shqiptare mbrëmjen e së shtunës pas incidentit në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh.
Edhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka postuar fotografi të dy ushtarëve që u sulmuan, për të cilët shprehu mirënjohje, por as ai nuk dha informacione tjera rreth kësaj ngjarjeje.
Shqipëria është pjesë e aleancës ushtarake të NATO-s që nga viti 2009.
Autoritetet shqiptare i janë drejtuar zyrtarisht ambasadës ruse në Tiranë, duke kërkuar informacion dhe shpjegime për shtetasit e arrestuar në mbrëmje.
Uzina e Gramshit, e ndërtuar në vitin 1962, është një ndër tre uzinat ushtarake të Forcave të Armatosura dhe që është përfshirë në procesin e demontimit dhe shkatërrimit të municioneve të tepërta.