Në qendrën e trajnimit të pilotëve të avionëve F-16 në Rumani

Avionë luftarakë F-16 të Forcave Ajrore të Rumanisë fluturuan mbi objektin e trajnimit në bazën ajrore ushtarake 86, jashtë Fetestit, më 13 nëntor.

Objekti në Rumaninë juglindore synon ta rrisë ndërveprimin midis aleatëve të NATO-s dhe ta pozicionojë më mirë aleancën ushtarake “për t’u përballur me sfidat komplekse” në Evropën Lindore dhe në rajonin e Detit të Zi, tha Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë.

Ministrja holandeze e Mbrojtjes, Kajsa Ollongren, tha në hapje: "Hapi tjetër është që trajnimi të fillojë me ekuipazhet dhe pilotët rumunë, dhe natyrisht - duke planifikuar përpara - me Ukrainën".

Avionët luftarakë, të prodhuar në SHBA, do të dërgohen nga Forcat Ajrore Mbretërore të Holandës, ndërsa prodhuesi i avionëve, Lockheed Martin, do të sigurojë instruktorë dhe mirëmbajtje në qendrën e trajnimit.



 

Një F-16 i Forcave Ajrore të Holandës u shfaq para mediave gjatë inaugurimit të qendrës. Ollongren tha se qendra e trajnimit shpreson të mirëpresë pilotë dhe ekuipazhe nga Ukraina sa më shpejt që të jetë e mundur.
 

Një ushtar rumun pranë një logoje në një derë në bazën ajrore.

Në muajin gusht, Shtetet e Bashkuara miratuan dërgimin e avionëve luftarakë F-16 në Ukrainë nga Danimarka dhe Holanda, sapo të përfundojë trajnimi i pilotëve.

Pilotë të Forcave Ajrore të Rumanisë brenda një dhome të trajnimit. Shtatë pilotë filluan stërvitjen e tyre në qendër më 13 nëntor.

Ollongren tha se aleatët evropianë duhet të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit rus. “Ne duhet t’i shtojmë përpjekjet tona, duhet ta vazhdojmë mbështetjen tonë për Ukrainën në çdo mënyrë të mundshme”, tha ajo.

Një pilot i Forcave Ajrore të Rumanisë duke pozuar për mediat.

Ollongren mirëpriti një propozim të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, për të krijuar një fond me deri në 5 miliardë euro në vit - gjatë katër vjetëve të ardhshëm - për të forcuar Ukrainën.

Mbi 4.600 avionë janë krijuar që nga miratimi i prodhimit në vitin 1976. Ukraina ka kërkuar vazhdimisht avionë luftarakë F-16, të prodhuar nga SHBA-ja, për të luftuar kundër ushtrisë ruse.

Një avion luftarak F-16 i Forcave Ajrore të Rumanisë fluturon mbi bazën ajrore.

Rumania - anëtare e NATO-s nga viti 2004 - ka rritur shpenzimet e saj në mbrojtje, ndërsa NATO-ja ka forcuar praninë në krahun lindor të Evropës, duke dërguar grupe shtesë luftarake në Rumani, Hungari, Bullgari dhe Sllovaki.


 

Rumania hapi një qendër trajnimi për pilotët e avionëve F-16 të vendeve të tjera të NATO-s dhe vendeve partnere, përfshirë Ukrainën. (Përgatiti: Valona Tela)