Ruleta ruse: Ukrainasit e moshuar s'tremben nga bombardimet dhe vdekja
Viktor Grozdov, 77 vjeç, ulet në banjën e shtëpisë së tij të dëmtuar më 28 qershor në qytetin lindor të Ukrainës, Avdijivka. Banja është bërë strehimore e tij kur predhat e artilerisë bien si shi.
Një periferi e qytetit të Donjeckut, Avdijivka granatohet deri në 30 herë në ditë. “Në katër muajt e fundit apo më shumë, nuk ka pasur asnjë ditë pa sulme ajrore apo raketash”, tha për AFP-në kreu i administratës ushtarake, Vitaliy Barabash.
Pavarësisht se nuk ka ndërtesa të paprekura apo shërbime komunale funksionale, qyteti i vijës së parë të luftës, Avdijivka ka 1.719 banorë. "Rreth 60 për qind e banorëve janë të moshës 65 vjeçe e lart", tha Barabash.
Grozdov është një nga banorët që zgjodhi të qëndronte në guaskën e djegur të qytetit të dikurshëm. Gazetarët e AFP-së e takuan për herë të parë më 4 prill (në foto) pasi e gjetën të shtrirë në fund të një krateri. Me shikimin e tij të dobësuar, ai kishte rënë duke mbledhur ushqimin që i ishte derdhur nga çanta dhe nuk mund të dilte jashtë.
Gazetarët u kthyen në Avdijivka për të kontrolluar pensionistin. Ata e gjetën atë duke jetuar në banesën e tij të shkatërruar e pa dritare.
"Shpirti im është në shtëpi; nuk po përpiqet të largohet. Nuk jam në ankth; jam bërë i qetë", tha Grozdov.
Pa energji elektrike dhe pa ujë, Grozdov mbështetet në një furrë kampingu dhe furnizime të siguruara nga vullnetarët për të mbijetuar. Ai refuzon të lërë shtëpinë e tij dhe qytetin ku janë varrosur gruaja dhe djali i tij.
Fqinji i Grozdovit, 63-vjeçari Vitaliy Zemin, ulet në bodrum, ku jeton me gruan e tij. Pjesën më të madhe të kohës ai e kalon duke gdhendur kafshë prej druri ndërsa mban një bateri koke.
"Kjo ju largon nga mendimet që një person ka gjatë gjithë kohës: për njerëzit, për Ukrainën, se pse nuk ka paqe", tha Zemin.
Një grua që nuk deshi ta jepte emrin e saj, shihet duke përkëdhelur një qen në bodrumin e ftohtë dhe të errët ku jeton.
Banorët vendas mblidhen pranë një strehimoreje të drejtuar nga vullnetarë ku marrin ushqim dhe pije të ngrohta. Ata, gjithashtu, mund të përdorin internetin, të shikojnë TV dhe të rimbushin pajisjet e tyre. Por, uji me të cilin furnizohet strehimorja, që u hap në mars, është ndotur nga balta, që do të thotë se rrobalarëset dhe dushet nuk janë më të përdorshme.
Pavarësisht vështirësive, Grozdov refuzon të largohet nga shtëpia e tij.
“Çfarëdo që të ndodhë, nuk do të shkoj askund”, tha ai.