Ruanda goditet nga vërshime masive, 115 të vdekur

Reshjet e dendura të shiut shkaktuan vërshime në Ruanda, 3 maj 2023.

Të paktën 115 njerëz kanë vdekur shkaku i përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut që goditën Ruandën veriore dhe perëndimore pas reshjeve të dendura të shiut, tha transmetuesi shtetëror të mërkurën, më 3 maj, teksa paralajmëroi se numri i viktimave mund të rritet.

“Shiu që ra mbrëmë shkaktoi fatkeqësi në provincat veriore dhe perëndimore”, tha Agjencia e Transmetimeve të Ruandës (RBA) në faqen e saj të internetit.

“Aktualisht, shifrat preliminare të publikuara nga administrata e këtyre krahinave thonë se janë deklaruar si të vdekur 115 persona”.

Pamje të publikuara në rrjete sociale tregojnë shtëpi të përmbytura në lumenj balte, rrugë të bllokuara dhe fusha të përmbytura plotësisht.

RBA raportoi se niveli i ujit ishte ende në rritje dhe për këtë arsye tha se ka rrezik që të rritet numri i viktimave.

Shumica e viktimave jetonin në provincën perëndimore që kufizohet me liqenin Kivu, sipas RBA.

Dëmet e shkaktuara nga vërshimet në Ruanda, 3 maj 2023.

Edhe pjesë të tjera të Afrikës Lindore janë goditur nga reshjet e shiut dhe përmbytjet, përfshirë Ugandën ku gjashtë persona janë raportuar të vdekur.

Ekspertët thonë se këto çrregullime në mot po ndodhin me frekuencë dhe intensitet më të lartë për shkak të ndryshimeve klimatike . Sipas tyre, Afrika, e cila kontribuon më së paku në ngrohjen globale, po përballet me pasojat kryesore.

Muajin e kaluar, të paktën 14 njerëz vdiqën pasi shirat e dendur shkaktuan përmbytje dhe rrëshqitje dheu në Etiopinë jugore, sipas policisë rajonale.

Në maj të vitit 2020, të paktën 65 njerëz vdiqën në Ruandë pasi shirat e dendur goditën rajonin, ndërsa të paktën 194 vdekje u raportuan në Keni.

Në fund të vitit 2019, të paktën 265 njerëz vdiqën dhe dhjetëra mijëra u zhvendosën gjatë dy muajve me reshje të vazhdueshme.