Një kontratë e re për rrugën me telashe të vjetra - Kur kryhet rruga drejt Mitrovicës?

Ndërtimi i rrugës Prishtinë - Mitrovicë, që kishte nisur në vitin 2009, nuk ka përfunduar ende.

Për rreth 15 vjet, projekti u përcoll me probleme. Një segment prej rreth dhjetë kilometrash, nga gjithsej 40 sosh, ende ka mbetur pa u përfunduar.

Punëtorë e pajisje u panë duke punuar në një segment të rrugës Prishtinë - Mitrovicë, shkurt 2024.

Rruga Prishtinë-Mitrovicë pritet të përfundojë në fillim të vitit 2025, pasi Ministria e Infrastrukturës nënshkroi kontratë të re për këtë segment rrugor më 8 shkurt të vitit 2024.

"Ky projekt me probleme të shumta, ka qenë temë diskutimi për një kohë të gjatë dhe një ndër projektet më të stërzgjatura”, tha ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, më 8 shkurt.

Hysen Durmishi, zëvendësministër i Infrastrukturës, tha se kontrata e deritashme për ndërtimin e këtij segmenti u shkëput një vit më parë, për shkak se auditori kishte gjetur “parregullsi”.

Durmishi tha se kanë analizuar veprimet e tyre në mënyrë që, nëse kompania së cilës ia kanë shkëputur kontratën, e padit shtetin e Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit, ajo të mos mund ta fitojë rastin.

Autoritetet kanë bërë të ditur se projekti i kësaj rruge ka një kosto prej rreth 25 milionë eurosh.

Fondet për projektin janë siguruar me huamarrje nga Fondi i OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar dhe bashkëfinancim nga Fondi Saudit për Zhvillim.

Kontratën për këtë rrugë e fitoi konsorciumi i përbërë nga dy kompani: Eskavator, kompani nga Kosova dhe Hidrostroi, kompani nga Bullgaria. Këto të dyja, sipas zëvendësministrit, kishin bërë ofertën më të lirë gjatë tenderimit.

“Që nga sot janë 12 muaj ditë kalendarike. Pra, sot një vit kontraktuesi e ka për detyrim ta dorëzojë projektin e përfunduar”, tha Hysen Durmishi, zëvendësministër i Infrastrukturës.

Kjo nuk është rruga e vetme ndërtimi i së cilës është neglizhuar.

Thuajse në të njëjtën situatë janë edhe rrugët Prishtinë-Pejë, Klinë- Gjakovë. 

Edhe në ato rrugë ka pasur vazhdimisht telashe në finalizimin e tyre.

Me telashe të ndryshme u përball edhe ndërtimi i autostradës Prishtinë-Gjilan.
 

E gjendje e njëjtë është edhe në rrugën Prishtinë - Podujevë.