Pandemia e koronavirusit ka bërë që biznesi i vogël i Xhyla Nikës të kalojë nëpër një situatë të vështirë, duke punuar me 90 për qind humbje.
Nika, 62-vjeçare, është rrobaqepëse dhe nga biznesi i saj varet familja e saj tetë anëtarëshe.
“Unë nuk e kam asnjë anëtar të familjes sime në punë të shtetit. Gjithçka varet nga ky biznes”, tregon ajo për Radion Evropa e Lirë.
Në dyqanin prej 23 metrash katrorë në Prishtinë, Xhyla Nika para paraqitjes së rasteve me koronavirus, punonte së bashku me katër punëtore. Por, pandemia e detyroi që ta zvogëlojë numrin e punëtoreve në dy. Ndërkaq, dy praktikante po ashtu po marrin zanatin e rrobaqepësisë dhe punojnë gjashtë orë në ditë.
Masat që ndërmorën autoritetet në Kosovë pas paraqitjes së rasteve të para në mars të vitit 2020, ndikuan që biznesi i Nikës, të operonte me humbje.
Ajo tregon se ka qenë muaji mars, kur ka pasur më së shumti porosi, por më 2020 gjithçka ndryshoi.
“Me padurim ne e presim muajin mars, pasi ia nisin mbrëmjet, matura, dasmat vazhdojnë deri në muajin shtator. Gjithmonë kemi qenë mirë, kemi pasur porosi të shumta. Vitin 2020 ishte katastrofë, 90 për qind jemi në humbje”, tregon ajo.
SHIKONI EDHE: Vite për t'u rimëkëmbur ekonomiaEdhe pse masat kundër koronavirusit u lehtësuan, qeveria megjithatë ka ndaluar mbajtjen e shumë ngjarjeve, përfshirë edhe mbrëmjet e maturës –që zakonisht mbahen në muajin qershor – por edhe dasmat e ngjarjet e tjera, me qëllim që të parandalohet grumbullimi i njerëzve, që paraqet rrezik për përhapjen më të shpejt të virusit.
“Më 2020 nuk kemi qepur ndonjë fustan për dasma apo maturë. Kemi qepur maska, veshje kjo që më herët nuk është bërë. Pastaj, ndonjë përmirësim në gardërobë, shkurtim etj. Puna më e madhe zakonisht bëhet nga qepja e fustaneve të ndryshme, që kushtojnë nga 20 deri në 60 euro”, tregon Xhyla Nika.
Nika pret që situata epidemiologjike të përmirësohet dhe që biznesi i saj të mund të punojnë normalisht.
“Po shpresojmë të ringjallet biznesi dhe punojmë më shumë”, thotë ajo.
Për shkak të rënies së punës, Xhyla Nika nuk ka arritur që të paguajë qiranë për gjysmën e vitit 2020. Megjithatë, ajo pret që Komuna e Prishtinës apo Qeveria e Kosovës ta ndihmojë biznesin e saj.
“Po shpresoj se na ndihmon qeveria, në mënyrë që të vazhdojmë punën si duhet. Shpresoj që paratë që i ka ndarë qeveria të mos ndahen më të ‘njofshëm’, por të ndahen në mënyrë të drejtë. Mua më dhimbsen edhe punëtorët, jo vetja që po heq shumë, por punëtorët më dhimben shumë. Mos të ketë punëtorja çka të punojë është shumë keq”, shprehet ajo.
Për të ndihmuar bizneset dhe qytetarët që kanë pësuar humbje ekonomike për shkak të pandemisë, më 4 dhjetor 2020, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për rimëkëmbje ekonomike. Në kuadër të ligjit, është një fond prej 200 milionë eurosh, që është thënë se do të jetë ndihmë direkte për bizneset, të cilat kanë vështirësi të funksionimit si rezultat i ndikimit të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi. Por, ende nuk është specifikuar se në cilave biznese apo çfarë forme do shpërndahen këto mjete.