Rrjedhjet e bulonat e çliruar: Telashet e urës së re të Rumanisë

Ura më e madhe e varur në Rumani u hap në korrik të vitit 2023 nën tingujt e borive dhe fjalimet e politikanëve. Por, vetëm disa muaj më vonë, Ura Braila, rreth 500 milionë euroshe (527 milionë dollarë) mbi lumin Danub ka plot telashe.

Zyrtarë të lartë, duke përfshirë presidentin e Rumanisë, Klaus Iohannis, (i treti nga e majta) gjatë hapjes së Urës Braila më 6 korrik.

Në fund të tetorit, Kompania Kombëtare e Administrimit të Rrugëve dhe Infrastrukturës e Rumanisë (CNAIR), iu përgjigj një pyetjeje të Shërbimit Rumun të Radios Evropa e Lirë në lidhje me raportimet për ujin që po rrjedh në rreshtimin rreth blloqeve të ankorimit të urës, në copat e betonit 47 metra të gjera, të vendosura në çdo skaj të strukturës që mbajnë të tendosur sistemin masiv kabllor.

"Ky problem u identifikua nga një ekip konsultimi, i cili hapi disa raporte që nuk përputheshin", shkroi një zëdhënës i CNAIR.

Ura Braila në ndërtim e sipër në maj të vitit 2023.

Rrjedhja e ujit është vetëm problemi më i fundit i identifikuar në urë.

Në gusht, u shfaq një video e një burri që po nxirrte me duar bulonat e çliruar nga struktura masive, duke nxitur një hetim. CNAIR arriti në përfundimin se 401 bulona nga gjithsej 100.000 në urë "nuk ishin të shtrënguar mirë".

Menjëherë pas hapjes së saj, në sipërfaqen e urës filluan të shfaqen të çara, disa prej të cilave janë zhvilluar në çarje të thella.

Një zëdhënës i CNAIR-it u tha gazetarëve vendas se "shpresojmë që prodhuesi i urës do të gjejë dhe zbatojë të njëjtën zgjidhje të qëndrueshme që ka funksionuar në vendet e tjera, sepse nuk është normale që probleme të tilla të shfaqen muaj pas muaji".

Për çarjet janë fajësuar kamionët që nuk e respektojnë kufirin e peshës prej 7.5 tonelatash të urës gjatë muajve të verës.

Pamja nga një prej kullave 197 metërshe të urës.

Rrjedhjet aktuale në blloqet e ankorimit mund të jenë sidomos problematike për shkak të punës që nevojitet për t'i korrigjuar ato.

"Për t'i lokalizuar këto rrjedhje, duhet të gërmoni paralelisht me blloqet e ankorimit", i tha Radios Evropa e Lirë një zyrtar i CNAIR-it. "Kjo mund të dobësojë sistemin e ankorimit të këmbëve të urës, gjë që do të çonte në një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme".

Përgjegjësia për riparimin e vendeve ku po ndodhin rrjedhjet u takon "vetëm kontraktorëve", tha CNAIR. Ura u ndërtua nga gjigandi italian i ndërtimit, Webuild SpA, dhe firma japoneze IHI. Një garanci 10-vjeçare ishte shkruar në kontratë.

Webuild nuk iu përgjigj kërkesave të Radios Evropa e Lirë për koment në lidhje me rrjedhjet dhe akumulimin e ujit, por specialistët e inxhinierisë thanë se zgjidhja mund të jetë ndërtimi i një "rreshtimi" të ri rreth blloqeve të ankorimit aktual që do të ishte sa më i papërshkueshëm nga uji. Më pas do të duhet të instaloheshin pompa për të hequr çdo grumbullim uji.

Qarkullimi i automjeteve mbi urë më 6 korrik.

Ura Braila shtrihet përgjatë dy kilometrave, duke e bërë atë një nga më të mëdhatë e këtij lloji në Evropë.

E vendosur në veri të qytetit lindor Braila, ura zëvendësoi një shërbim tragetesh të makinave që i nevojiteshin rreth 50 minuta për të kaluar lumin Danub. Trageti ishte i cenueshëm nga stuhitë dhe nga akulli gjatë dimrave të ashpër. Përafërsisht 363 milionë euro (383 milionë dollarë) ka ndarë BE-ja për projektin e ndërtimit, i cili filloi në dhjetor të vitit 2018 dhe në total kushtoi rreth gjysmë miliard euro.

Me shkallët e saj masive dhe siluetën e veçantë, ajo u quajt "Porta e Artë" (Golden Gate) e Rumanisë dhe nëpër të pritej të kalonin rreth 7.000 automjete në ditë.

Përgatiti: Syzanë Paçarizi