Shkalla e infektimeve dhe vdekjeve me koronavirus po shënon sërish rritje në Evropë.
Rusia, Ukraina dhe Rumania janë duke regjistruar shkallën më të lartë të viktimave në kontinent, raporton agjencia e lajmeve AFP.
Rreth 1,672,000 raste të reja janë regjsitruar në këtë kontinent në javën e kaluar, apo 239,000 raste në ditë.
Kjo shifër përbën rritje për 18 për qind nga java paraprake dhe 60 për qind rritje nga muaji gusht dhe shtator, kur janë regjistruar rreth 150,000 raste të reja brenda ditës.
Në rajon, 43 shtete janë përballur me rritje të shkallës së infektimit në javën e kaluar dhe vetëm gjashtë prej tyre ulje.
Your browser doesn’t support HTML5
Sipas të dhënave, Republika Çeke ka shënuar rritjen më të madhe, bashkë me Hungarinë dhe Poloninë.
Nëse analizohen të dhënat për kokë banori, Letonia, Estonia dhe Gjeorgjia janë goditur më së keqi.
Kosova, Malta dhe Finlanda, kanë pasur shifrat më të ulëta të të infektuarve.
Shifrat aktuale janë ende nën rekordin ditor për këtë rajon, i cili pati regjistruar një mestare prej 284,000 rastesh brenda një dite në periudhën 2 – 8 nëntor më 2020.
Mirëpo Evropa përbën 55 për qind të të gjitha rasteve globale të infektimit.
Numri i viktimave është po ashtu në rritje.
Të dhënat e AFP-së kanë treguar se mesatarisht 3,129 vdekje janë regjistruar në shtatë ditët e fundit, çka përbën rritje për 16 për qind nga java e kaluar.
Kjo është hera e parë që Evropa ka tejkaluar shirën e mbi 3,000 viktimave brenda një dite, prej muajit maj.