Rritje çmimesh e rritje zërash: Punëtorët protestojnë për paga

Protesta e punëtorëve të arsimit. Prishtinë, 4 dhjetor 2024

Në dy ditë, dy protesta për rritje pagash, ndër të tjera.

Me rritjen e vazhdueshme të çmimeve të produkteve të rëndësishme, shumë punonjës në Kosovë ndiejnë se pagat e tyre nuk janë të mjaftueshme.

“Një pagë e dinjitetshme duhet të jetë mbi 2.000 euro”, thotë Bajram Kryeziu, specialist i mjekësisë familjare.

Bajram Kryeziu

Ai dhe kolegë të tij nga sektori i shëndetësisë protestuan të enjten në Prishtinë. Një ditë më herët protestuan edhe punonjësit e arsimit.

Si mjek i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, Kryeziu tregon se paguhet 1.200 euro në muaj, por thotë se për t’i plotësuar nevojat e familjes së tij, detyrohet të angazhohet edhe në sektorin privat, për punë shtesë.

“Çdo ditë ka rritje çmimesh”, thotë edhe kolegu i tij, Bajrush Baftiu.

Me rreth 40 vjet përvojë pune si teknik i dhëmbëve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, Baftiu paguhet 570 euro në muaj.

“Kjo shumë mjafton vetëm për nevojat e një personi. Ku janë gjërat tjera familjare, rryma, faturat komunale, shërbimet e internetit, e mos të flas për ushqim...”, thotë babai i tre fëmijëve për Radion Evropa e Lirë.

“Për fat punon dhe gruaja dhe po arnohemi disi”, shprehet ai.

Bajrush Baftiu

Pagë të ngjashme thotë se merr edhe Nurije Krasniqi, e cila punon si infermiere në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Pejë.

Ankesa për çmimet shpreh edhe ajo.

“Çdo ditë rriten, sidomos çmimet e djathit, produkteve të tjera të qumështit, vajit... Ato janë bërë tmerr”, thotë Krasniqi.

Ajo jeton me bashkëshortin dhe tre fëmijë - dy nga të cilët thotë se punojnë në sektorin privat dhe marrin paga dukshëm më të vogla.

“Mezi ia dalim”, shprehet infermierja.

Nurije Krasniqi

Rritja e çmimeve dhe pagat

Rritja e madhe e çmimeve në Kosovë nisi kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në fillim të vitit 2022.

Lufta shkaktoi çrregullime në tregje dhe, për pasojë, bota pa rritje rekorde të inflacionit.

Vitin 2022, Kosova e mbylli me normë mesatare të inflacionit rreth 12 për qind. Vitin e kaluar, kjo normë ra nën 5%.

Rënia vazhdoi edhe këtë vit, por çmimet mbeten gati të njëjta. Kjo, për faktin se rënia e inflacionit nuk do të thotë edhe rënie e çmimeve, por do të thotë se çmimet rriten më ngadalë.

Për ilustrim, mbi dy vjet më parë, një litër vaj në dyqane kushtonte deri në një euro, tani shkon deri në 1.60 euro. Edhe një litër qumësht ishte nën një euro, ndërsa tani shkon deri në 1.40.

Çmimet i ndikon edhe deficiti i lartë tregtar, apo fakti që Kosova importon shumicën e produkteve, edhe pse ka kushte për prodhimin e kulturave të ndryshme bujqësore.

SHIKONI EDHE: Nga kopshtet e huaja në tryezat e kosovarëve

Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se qytetarët e vendit, pjesën më të madhe të buxhetit familjar e ndajnë për blerjen e artikujve ushqimorë.

E, paga mesatare e tyre sillet në rreth 570 euro.

Protesta e punëtorëve shëndetësorë në Prishtinë më 5 dhjetor 2024.

Në fund të tetorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori vendim për rritjen e pagave në sektorin publik - për 55 euro nga janari i vitit të ardhshëm dhe për 55 euro të tjera nga korriku.

Paraprakisht, në fund të gushtit, Qeveria e Kurtit vendosi edhe për rritjen e pagës minimale në 350 euro. Me vite, ajo ishte 130-170 euro.

“Paga nën nivel”

Por, pavarësisht rritjes, këto paga janë të pamjaftueshme dhe “nën nivelin e ekzistencës”, thotë profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj.

Qytetarët e Kosovës, sipas tij, jetojnë në një treg të hapur ekonomik, ku çmimet e produkteve janë sikurse në shtetet e tjera të Evropës, ndonëse standardi i tyre jetësor është më i ulët.

Sipas Ramosajt, rritja e pagave në janar e pastaj në korrik nuk do të ndikojë në rritjen e mirëqenies.

“Mirëqenien e rrit zhvillimi ekonomik, iniciativat biznesore, start-upet e reja, lehtësirat në të bërit biznes, sidomos në sektorin e prodhimit... Këto do ta bënin të mundur rritjen ekonomike dyshifrore, e cila do të sillte edhe rritje të mirëqenies”, thotë Ramosaj për Radion Evropa e Lirë.

SHIKONI EDHE: Qindra euro larg pagës për "jetë të dinjitetshme"

Sipas tij, vendi nuk ka politika të mirëfillta ekonomike, në kuptimin e identifikimit të problemeve.

Ai thotë se, në radhë të parë, duhet të konstatohet gjendja, e pastaj të zgjidhen sektorët që rrisin prodhimin.

Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë më herët, Ministria e Industrisë e Kosovës ka thënë se është duke e përmbushur programin e Qeverisë për vitet 2021-2025, i cili parasheh “angazhim e përkrahje” të industrisë prodhuese, përkatësisht “krijim të kushteve të favorshme, investime në kapacitete prodhuese, avancim të teknologjisë prodhuese dhe përpunuese” e të tjera.

Ndër vite, Qeveria apo ministri të ndryshme kanë ndarë disa herë subvencione për prodhim apo punësim.

Këtë vit, rritja ekonomike në Kosovë ka qenë 4.5 për qind, ndërsa parashikimet zyrtare për vitin e ardhshëm janë që kjo vlerë të arrijë në 5.6 për qind.

Ramosaj nuk pret ndonjë lëvizje të vërejtshme në vitin 2025, sa i përket inflacionit apo çmimeve.