Me një fokus më të madh në sektorin ekonomik, Kosova mund të arrijë një rritje ekonomike prej 6 deri në 7 për qind, e cila brenda një periudhe të shkurtër kohore do të mund të adresonte dy nga problemet me të cilat përballet vendi, siç është papunësia dhe deficiti i lartë tregtar, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Fehmi Mehmeti, guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës.
Sektori financiar në Kosovë, sipas tij, është stabil, duke nënvizuar se Kosova ka hapësirë ligjore që të rrisë edhe borxhin publik në favor të investimeve. Ndërkaq, skemat e shumta sociale në Kosovë që në vit kapin shumën e rreth 400 milionë eurove, sipas Mehmetit, janë një barrë për buxhetin e shtetit, ndonëse, siç thotë ai, janë duke u menaxhuar mirë.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Mehmeti, sa është stabil sektori financiar dhe bankar në Kosovë?
Fehmi Mehmeti: Kemi një sektor financiar shumë stabil, është likuid, mirë i kapitalizuar. Nëse shohim trendet në sektorin bankar si njëri nga sektorët më të rëndësishëm në kuadër të sistemit financiar, karakterizohet me zhvillime pozitive.
Rritja e kreditimit në baza vjetore është 11 për qind, vlera e kredive ka arritur në rreth 3 miliardë euro, depozitat po ashtu kanë shënuar rritje prej 12.2 për qind dhe vlera e tyre ka arritur në 3.5 miliardë euro. Rritja e depozitave tregon që sektori bankar, pra bankat komerciale në Kosovë janë mirë të kapitalizuara.
Janë bërë zhvillime pozitive edhe në kuadër të lehtësimit të qasjes në financa, pra është ulur norma e interesit në kredi në 6.3 për qind. Kjo ka bërë që të lehtësohet qasja në financa. Sektori bankar përveç rolit të tij ka ndihmuar edhe në rritjen ekonomike.
Radio Evropa e Lirë: Rritja ekonomike në Kosovë nuk ka arritur më shumë se 4 për qind përgjatë viteve, e cila është konsideruar nga ekspertët si e pamjaftueshme për të adresuar problemet ekonomike dhe sociale me të cilat përballet vendi. Sa janë gjasat që kjo rritje të jetë më e lartë?
Fehmi Mehmeti: Rritja ekonomike për vitin 2018 në Kosovë ka qenë 4 për qind. Është financuar kryesisht prej tri aktiviteteve që janë kryesore për të financuar rritjen ekonomike në vend, që në këtë rast është kredia bankare, rritja e shpenzimeve publike dhe remitencat. Parashikimet tona si Bankë Qendrore janë që në vitin 2019 rritja ekonomike të jetë rreth 4,2 për qind, që kryesisht do të financohet prej këtyre që i përmenda më herët.
Nëse shikojmë me vendet e rajonit, është një rritje solide, është një rritje për t’u vlerësuar, mirëpo nuk është e mjaftueshme edhe 4 edhe 4,2 për qind, për t’i adresuar sfidat që i ka Kosova, që në këtë rast është papunësia që shënon 29,6 për qind dhe deficiti i lartë tregtar.
Prandaj, me qëllim të adresimit të këtyre sfidave kërkohet që të ketë rritje më të madhe ekonomike prej 6-7 për qind, që nuk është e vështirë të bëhet. Me një fokus të Qeverisë që në të ardhmen, të jetë kryesisht në fushën e ekonomisë, unë them se shumë lehtë mund të arrihet deri te rritja ekonomike 6-7 për qind.
Radio Evropa e Lirë: Krahasuar me depozitat, vlera e kredive është më e ulët. A mendoni se niveli aktual i kreditimit është i mjaftueshëm për t’i shërbyer edhe rritjes ekonomike?
Fehmi Mehmeti: Kreditimi është njëri prej faktorëve ose indikatorëve kryesorë që ka ndikuar në rritjen ekonomike në vend. Këtu, në mënyrë të theksuar ka ndikuar edhe Fondi i Garantimit të Kredive, fond që është themeluar nga Qeveria e Kosovës dhe donatorëve, që këtë vit është rritur vlera e këtij fondi prej 20 milionë euro. Diku mbi 100 milionë euro janë garantuar prej këtij fondi dhe në masë të theksuar kjo ka ndikuar që të kreditohen sektorët më pak të kredituar.
Janë shumë, por po e marrim bujqësinë, është një projekt që ka filluar të ketë rritje dhe që përkrahet, sidomos prej bizneseve të reja, të cilat nuk kanë ndonjë histori dhe bankat hezitojnë t’i kreditojnë, atëherë ky fond i garanton dhe kjo në masë të theksuar ka ndikuar që të rritet dhe të lehtësohet qasja e financave të bizneseve të reja, që ne i konsiderojmë si promotorë të zhvillimit ekonomik dhe gjenerimit të vendeve të reja të punës.
Radio Evropa e Lirë: Borxhi i përgjithshëm publik i Kosovës ka tejkaluar vlerën prej, 1.1 miliard euro. Banka Botërore në Kosovë pati paralajmëruar Qeverinë se borxhi publik në Kosovë deri në vitin 2025, mund të arrijë vlerën deri në 30 për qind të Bruto Produktit Vendor. A shihni ndonjë rrezik nga rritja e këtij borxhi?
Fehmi Mehmeti: Borxhi publik është fakt që është 1.1 miliard euro. Nëse e shohim tre mujorin e parë të vitit 2019 dhe bëjmë një krahasim me tre mujorin e parë të vitit 2018 ka një rritje prej 8.5 për qind. Në raport me bruto produktin vendor borxhi publik shënon 16.3 për qind që është larg mbi kërkesat ligjore, pasi që me ligj lejohet që borxhi publik të jetë deri në 40 për qind në raport me bruto produktin vendor.
SHIKONI EDHE: Borxhi publik rrezikon të shtyjë Kosovën drejt krizësPra, ka ende hapësirë që të rritet borxhi publik, po e jap edhe si këshillë se ka nevojë të rritet ky borxh, por që rritja e borxhit publik duhet të rritet kujdesshëm, të investohet aty ku krijohet vlera jo ku nuk krijohet vlera. Të gjithë pajtohemi se pa hyrë borxh nuk mund të zhvillosh ekonominë, por duhet aty të bëhet me qëllim që të ketë vlerë të shtuar ai investim që është bërë.
Radio Evropa e Lirë: Numri i qytetarëve të Kosovë të përfshirë në skema sociale dhe pensionale në vazhdimësi ka shënuar rritje dhe ka tendenca të vazhdimit të rritjes së numrit. Shteti i Kosovës paguan rreth 400 milionë euro për këto skema sociale. A mund të krijojë kjo krizë fiskale në të ardhmen?
Fehmi Mehemti: Mjetet buxhetore që shkojnë për skema sociale janë të planifikuara në buxhet. Si guvernator mund të them se skema sociale është duke u menaxhuar mirë. Kur flasim për veteranët e luftës fillimisht është dashur të dihet se sa është numri i saktë dhe pastaj të përcaktohet shuma apo përqindja se sa duhet të paguhen. Nuk e konsideroj risk, por është barrë për buxhetin e Kosovës.
SHIKONI EDHE: Skemat që rrezikojnë buxhetin e KosovësEdhe Qeveria e Kosovës edhe të gjithë ne jemi të interesuar që t’i përkrahim skemat sociale, por ato raste që më të vërtet i përkasin skemës sociale. Rasti i veteranëve të luftës është dashur të menaxhohet më mirë si proces, pasi që është rritur numri në mënyrë të theksuar që është barrë për buxhetin e Kosovës, por nuk e konsideroj që e cenon apo destabilizon aspektin financiar të buxhetit të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Nga 4.8 milionë euro sa janë ndarë në buxhetin e Kosovës për rezerva shtetërore të cilat shpenzohen në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore, Qeveria e Kosovës ka shpenzuar rreth dy milionë euro për aktivitete të ndryshme, por jo edhe për qëllimin për çka janë të dedikuara. Nisur nga këto shpenzime të bëra në këtë mënyrë, a mendoni se në Kosovë ka mungesë të një disipline buxhetore?
Fehmi Mehemti: Nëse i shohim të gjitha trendet e buxhetit, mund të themi se Kosova ka stabilitet makro-fiskal dhe është ruajtur deficiti buxhetor, është përmirësuar në masë të theksuar bilanci i pagesave dhe nuk mund të them që nuk ka keq-menaxhim. Ka trende pozitive në të gjitha fushat sa i përket stabilitetit makro-fiskal në Kosovë. Ka menaxhim të mirë buxhetor në këtë qeveri dhe qeveritë e kaluara.