Inflacioni vjetor në Turqi ka arritur në 83.5 për qind – shkalla më e lartë në 24 vjetët e fundit.
Kjo situatë ka goditur konsumatorët që veçse po përballen me çmime të larta të energjisë dhe produkteve ushqimore.
Instituti turk i Statistikave ka thënë se çmimet për konsumatorët janë rritur për 3.08 për qind për dallim nga muaji i kaluar.
Ekspertët besojnë se inflacioni është më i lartë sesa që paraqitet në statistikat zyrtare.
Grupi i pavarur për Kërkime rreth Inflacionit ka thënë të hënën se inflacioni në Turqi ka shkuar në 186.27 për qind.
SHIKONI EDHE: Inflacioni në Eurozonë, më i larti që nga dalja e eurosBanka Qendrore e Turqisë ka zvogëluar edhe një herë normën e interesit, pavarësisht rritjes së çmimeve.
Lira turke ka humbur më shumë se 50 për qind të vlerës që ka kundrejt dollarit amerikan prej kur Banka Qendrore e Turqisë ka nisur t'i ulë normat e interesit vitin e kaluar.
Lufta e Rusisë në Ukrainë dhe rënia e vlerës së lirës kanë nxitur inflacionin në këtë shtet.
Ekonomistët besojnë se në rritjen e inflacionit në Turqi kanë ndikuar edhe politikat e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili beson se ulja e normës së interesit ndikon në ulje të çmimeve, ndonëse teoritë ekonomike flasin për qasje të kundërt.
Bankat qendrore në shumë vende të botës, përfshirë ato në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar kanë rritur së fundi normat e interesit me qëllim të luftimit të inflacionit.