Rritja e dhunës në familje, front i fshehur i luftës në Ukrainë

Foto e Liubov Borniakovas, në Dnipro, Ukrainë, 9 maj 2023. Borniakova, një viktimë e supozuar e dhunës në familje nga i shoqi, vdiq në janar, me trupin e mavijosur keq. Bashkëshorti i Borniakovës, Yakov Borniakov, nuk mund të kontaktohej për koment.

Reuters

Kur trupi i 34-vjeçares Liubov Borniakova është gjetur në shtëpinë e saj në qytetin Dnjepër në qendër të Ukrainës, në muajin janar, asaj i janë identifikuar 75 të nxira, sipas një raporti mjekësor.

Burri i saj, Yakov Borniakov, tani qëndron i shtrirë në banesë, pas dezertimit nga ushtria, sipas tezes së Borniakovas dhe një fqinje.

Ai është dehur dhe e ka rrahur Borniakovan vazhdimisht për dy javë para se ajo të vdiste, i kanë thënë ato agjencisë së lajmeve Reuters.

“Thjesht, asnjë pjesë e trupit të saj nuk ka qenë e gjallë”, ka thënë Kateryna Vedrentseva, tezja, e cila ka arritur në shtëpinë e viktimës disa orë para se ajo të vdiste, më 8 janar.

“Krahët e saj kanë qenë të goditur, koka, këmbët, gjithçka”.

Kateryna Vedrentseva, tezja e Liubov Borniakovas.

Reuters nuk ka arritur të flasë me Yakov Borniakovin, avokatin e tij, apo familjen, për ta komentuar këtë rast.

Një zëdhënës për Policinë në Dnjepër ka thënë se hetimet penale për vrasjen e Borniakovas janë duke vazhduar, mirëpo nuk ka dhënë më shumë hollësi.

Rastet e regjistruara të dhunës në familje në Ukrainë kanë rënë ndjeshëm pas nisjes së luftës së Rusisë, në shkurt të vitit 2022, pasi miliona njerëz u kanë ikur luftimeve.

Mirëpo, teksa familjet kanë nisur të kthehen nëpër shtëpitë e vjetra, apo të gjejnë vendbanime të reja, rastet kanë nisur të rriten.

Në pesë muajt e parë të këtij viti, rastet e regjistruara të dhunës janë rritur për 51 për qind, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2022, kanë treguar të dhënat.

SHIKONI EDHE: Në kërkim të drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Ukrainë

Shifrat janë më të larta edhe se ato të vitit 2020, të cilat ekspertët i kanë lidhur me pandeminë e koronavirusit.

Më shumë se dhjetëra zyrtarë dhe ekspertë që punojnë në këtë sektor, i kanë thënë agjencisë së lajmeve Reuters se rritja është rezultat i rritjes së stresit, vështirësive ekonomike, papunësisë dhe traumës së lidhur me konfliktin.

Sipas tyre, shumica dërmuese e viktimave janë gra.

“Rritja është pasojë e tensionit psikologjik dhe është pasojë e shumë vështirësive tjera. Njerëzit kanë humbur gjithçka”, ka thënë Komisionarja ukrainase për Politika Gjinore, Kateryna Levchenko, në një intervistë për Reutersin në maj.

Policia i ka regjistruar 349.355 raste të dhunës në familje në periudhën janar-maj 2023, në krahasim me 231.244 në periudhën e njëjtë të vitit 2022 dhe 190.277 në pesë muajt e parë të vitit 2021.

Shumica e ekspertëve dhe profesionistëve të fushës i kanë thënë Reutersit se frikësohen që problemi do të përkeqësohet me vazhdimin e luftës dhe do të bëhet edhe më keq pas konfliktit, për shkak të kthimit të luftëtarëve të traumatizuar nga fronti i luftës.

SHIKONI EDHE: Ushtarët ukrainas pa pushim në fushëbetejë

Dnjepri, pika kryesore e transitit

Dnjepri është kthyer në pikë kryesore të transitit për njerëzit që ikin nga zonat e pushtuara.

Pas hapjes në shtator, një qendër ndihme, e udhëhequr nga Qeveria dhe Fondi o Kombeve të Bashkuara për të mbijetuar të dhunës në familje, u ka ofruar ndihmë mbi 800 personave, kryesisht grave, deri në mesin e muajit maj.

Prej asaj shifre, vetëm rreth 35 për qind kanë dërguar ankesë në polici, çka sipas ekspertëve, tregon se shifra reale e rasteve të dhunës është shumë më e madhe.

Policia në Dnjepër nuk u është përgjigjur kërkesave për t’i komentuar të dhënat.

Psikologia Tetyana Pogorila, e cila punon në qendër, ka thënë se njerëzit e zhvendosur nga lufta në zona të panjohura, i kanë bërë disa viktima të dhunës në familje edhe më të varura ndaj abuzuesve.

“E gjithë familja mund të jetë duke jetuar në një dhomë”, ka thënë Pogorila.

“Disa gjejnë punë, të tjerë jo, dhe kështu përkeqësohet gjendja e tyre financiare. Shtojeni këtu edhe situatën shtetërore dhe gjithë stresin”.

Në gjithë këtë situatë, edhe burimet shtetërore për ndihmë janë më të kufizuara.

Levchenko, Komisionarja për Politika Gjinore, ka thënë se qendrat e strehimit të disa grave janë kthyer në qendra strehimi për persona të zhvendosur nga lufta dhe një pjesë e buxhetit të ndarë për dhunë me bazë gjinore është bartur te buxheti për mbrojtje.

Sipas saj, shuma e fondeve këtë vit ka rënë në 4.2 milionë euro, në krahasim me 10 milionë euro sa ka qenë më 2021.

Yulia Usenko, udhëheqëse e Departamentit për Mbrojtje të Interesave të Fëmijëve dhe luftim të dhunës, ka thënë se agjencitë për zbatim të ligjit janë alarmuar për mundësinë e kthimit të ushtarëve të traumatizuar nga fronti i luftës.

Kjo zyrë e ka krijuar një njësit për t’i mbikëqyrur rastet gjyqësore që lidhen ne dhunë në familje.

Mirëpo, mungesa e fondeve po i shqetëson punëtorët e skemave sociale.

“Ne jemi në pritje të një shkalle shumë më të lartë të dhunës”, ka thënë Lilia Kalytiuk, drejtoreshë e Qendrës për shërbime sociale në Dnjepër.

Historiku i dhunës

Borniakov ka ikur nga ushtria në nëntor, tregojnë dokumentet që i ka parë Reuters.

Ai është kthyer në Dnjepër, ku ka nisur të konsumojë alkool në shtëpi dhe e ka rrahur gruan e tij, e cila nuk ka dalë më prej shtëpisë, sipas fqinjës Olga Dmitrichenko.

Disa ditë para vdekjes së saj, Borniakova ka planifikuar të ikë në Lviv, qytet në perëndim të Ukrainës, mirëpo “nuk ka arritur”, ka thënë Dmitrichenko.

“Unë i kam thënë asaj, largohu, largohu”.

Tre fëmijët e viktimës tani jetojnë me tezen, jo shumë larg varrit të nënës.

Fëmijët e Liubov Borniakovas.

Policia fillimisht e ka mbyllur hetimin për vdekjen e Borniakovas, pasi ekspertët mjekësorë kanë thënë se ajo ka vdekur nga sulmi në zemër.

Avokatja e familjes, Yulia Seheda, e ka apeluar rastin, duke thënë se sulmi në zemër është shkaktuar nga goditjet e vazhdueshme.

Një dokument i gjykatës, që daton prej 28 marsit, tregon se rasti i vdekjes së Borniakovas, është rihapur me sukses.

“Nëse do të mund të kemi të paktën një akuzë për dhunë në familje, do të ishte fitore”, ka thënë Sehada, duke shtuar se disa gjykatës dhe zyrtarët policorë ende e shohin dhunën në familje si çështje që duhet zgjedhur mes çiftit.

Dënimi për dhunë në familje mund të ndëshkohet maksimalisht me dy vjet burgim, sipas ligjit ukrainas, por shumica e shkelësve paguajnë gjobë prej 5-10 dollarësh, apo u kërkohet të kryejnë punë për komunitetin.

Levchenko, komisionar qeveritar, ka thënë se policia dhe sistemi gjyqësor janë reformuar më 2015, dhe prej atëherë dhuna në familje trajtohet si krim.

Ajo ka thënë se rritja e numrit të rasteve të regjistruara të dhunës tregon se policia është duke u dhënë më shumë vëmendje këtyre rasteve.

Dmitrichenko, fqinja, ka thënë se Borniakova nuk ka bërë kurrë ankesë kundër burrit dhe nuk ia ka hapur derën policisë kur Dmitrichenko i ka thirrur vetë në nëntor.

Policia në Dnjepër nuk u është përgjigjur kërkesave për ta komentuar incidentin.

Familja e viktimës është duke tentuar që ta heqë mbiemrin e burrit nga guri i varrit.

Varri i Liubov Borniakovas.

"Emri i saj është Liubov Pilipenko," ka thënë Vedrentseva, gjatë një vizite te varri i gruas.

Përgatiti: Krenare Cubolli