Rritja e çmimeve, Kurti paralajmëron ndihmë për qytetarët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria që udhëheq ai nuk mund të fajësohet për ngritjen e çmimeve në treg, pasi kjo, sipas tij, ka ndodhur si pasojë e disa faktorëve.

Kurti tha se Qeveria e Kosovës po punon që, ditëve në vijim, të dalë me një pako masash, që u vijnë në ndihmë qytetarëve.

Në një postim në Facebook, Kurti përmendi shkëputjen e zinxhirit të furnizimeve për shkak të pandemisë dhe rritjen globale të çmmit të energjisë si disa nga arsyet e inflacionit.

Shkalla e inflacionit, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në fund të muajit shtator ishte 4.9%.

“Ditëve të fundit jemi dëshmitarë të një fushate, e cila trumbeton çdo ditë për rritje çmimesh dhe tenton të fajësojë Qeverinë për këtë”, tha Kurti, duke mos specifikuar se për kë e ka fjalën.

Sipas tij, “një gjë të tillë kishin tentuar ta bëjnë edhe në fillim të pandemisë COVID-19 vitin e kaluar, me çmimin e miellit”.

"Shumë qytetarë kishin përfunduar me sasi mielli nëpër shtëpitë e tyre, të blera me çmim dy e trefish [më të lartë] nga frika e mungesës së miellit dhe rritjes së çmimit. Fituesit e vetëm atëherë dolën të ishin tregtarët", tha Kurti.

SHIKONI EDHE: Afaristët kërkojnë masa lehtësuese për shkak të rritjes së inflacionit

Në Kosovë, muajve të fundit, janë shtrenjtuar dukshëm çmimet e produkteve bazë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rritja e çmimeve ka filluar nga muaji prill me 1.2 për qind, duke arritur në 4.9 për qind në muajin shtator.

Lëvizje më të mëdha të çmimeve kanë pasur: buka, vaji, sheqeri, mielli dhe pemët e perimet.