Aplikimi i shërbimit 24 orësh në Klinikën e Kardiologjisë Invazive dhe Kardiokirurgjisë ka ndikuar që lista e gjatë e pacientëve me probleme në zemër të zhduket për pak muaj.
Rreth dy milionë euro në vit janë ndarë nga buxheti i Kosovës përmes Ministrisë së Shëndetësisë për pacientët me probleme në zemër. Por, këto shërbime nuk ishin ofruar apo ishin vonuar tej mase në të kaluarën.
Kurse nga muaji shkurt i vitit 2018, kur ka filluar shërbimi 24 orë dhe 7 ditë në javë, pacientët në nevojë këto shërbime po i marrin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ndonëse pacientët ende paguajnë për vendosjen e stentave (tubave), çmimet në institucionet publike të shëndetit janë shumë më të lira sesa në ato private.
Profesionistët shëndetësorë thonë se lista e pritjes e cila ka ekzistuar me vite, tashmë është zhdukur.
Vetëm gjatë këtij viti janë kryer mbi 700 procedura të stentimeve, derisa një stentë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nga pacientët paguhet 350 euro, për dallim nga spitalet private ku pacientët duhet të paguajnë nga 2 mijë deri në 4 mijë euro për një stentë, varësisht nga spitali privat që e përzgjedhin.
Kështu tha zyrtari për informim në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Shpend Fazliu, sipas të cilit ndonëse lista e pritjes për shumë shërbime kardiologjike është hequr, mungesa e një aparati për koronografi, ka bërë që pacientët për këtë shërbim të vazhdojnë të presin në radhë.
“Këtë vit janë kryer mbi 700 procedura të stentimeve, përderisa në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës participimi për një stentë është 350 euro, në spitalet private çmimi sillet nga dy deri në katër mijë euro për një stent. Sa i përket listët për koronografi koronare ende janë disa pacientë që janë duke pritur, por që nuk janë pacientë emergjent, dhe presim që me futjen e aparatit të dytë të koronografisë në punë, që pritet të ndodhë gjatë këtij viti, të evitohet edhe kjo listë”, tha Fazliu.
Këshilltari për media i ministrit të shëndetësisë, Albatrit Matoshi, bëri të ditur se pas një pune intensive, disa mujore, është arritur që shërbimet kardiologjike dhe kardiokirurgjike gjithë pacientët t’i marrin brenda Qendrës Klinike, pa pasur nevojë të udhëtojnë jashtë vendit. Matoshi shton se edhe furnizimi me stenta brenda klinikës është i plotë dhe i rregullt.
“Ministria e Shëndetësisë përmes programit për trajtim jashtë vendit ka shpenzuar 1.8 milion euro që kanë pasur të bëjnë me kardiologji invazive dhe kardiokirurgji. Këtë vit deri në muajin shkurt kur ende nuk ishte lëshuar 24 orë shtatë ditë në javë shërbimi në fjalë janë shpenzuar 110 mijë euro”, tha Matoshi.
Ai tha gjithashtu se deri në fund të këtij viti pacientët që kanë nevojë për koronografi, nuk do të presin, ndonëse tash për tash në mungesë të aparatit adekuat, një gjë e tillë është duke ndodhur.
“Para disa ditësh është lëshuar edhe salla e dytë e operimeve kardiokirurgjike dhe pritet që deri në fund të vitit pritet që të hiqet edhe lista e pritjes për koronografi pasi po pritet që të hyjë në funksion aparati i ri.Kjo është njëra nga pikat që do të fokusohemi gjatë muajve të ardhshëm që ky shërbim të ofrohet pa lista të pritjes për qytetarët”, tha Matoshi.
Stenti është një tub i vogël që futet në arteriet koronare të ngushtuara apo të bllokuara dhe që mundëson qarkullimin e lirë të gjakut në atë pjesë të zemrës.
Ndryshe, kapacitetet për shërbimet e kardiokirurgjisë me kardiologji invazive, janë shtuar 100 për qind. Tashmë në kardiokirurgji janë punësuar gjashtë kardiokirurgë dhe është shtuar stafi i mesëm. Aty po punohet 24 orë me intervenime për pacientët në nevojë.