Krimet kibernetike ndaj bizneseve në Kosovë po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se përgjatë viteve është shënuar rritje e këtyre krimeve.
Policia e Kosovës ka bërë ditur se kohëve të fundit janë duke u raportuar raste nga pronarët e kompanive të bizneseve të ndryshme, që kanë të bëjnë me një formë mashtrimi përmes sistemeve kompjuterike, ku si pasojë shkaktohet dëm i konsiderueshëm.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha tha për Radion Evropa e Lirë se rastet kanë të bëjnë me hyrje në sisteme kompjuterike, keqpërdorim të kartelave bankare dhe të kreditit, si dhe veprime tjera.
“Duke iu referuar statistikave, vërehet se ka një rritje edhe të numrit të rasteve, por edhe personave të përfshirë në këto vepra. Në vitin 2016 kishim 40 raste, 152 asistime, 4 të arrestuar, përderisa numri i personave që është dërguar në kallëzime penale është 18. Në vitin 2017 kemi 42 raste, 199 asistime, 26 arrestime, derisa numri i personave në kallëzim penal është 42”, tha Hoxha.
Bazuar në rastet e deritanishme, sipas Policisë së Kosovës, personat e dyshuar kanë arritur që të ndërhyjnë në komunikimin përmes internetit të kompanive biznesore (njëra në Kosovë, e tjetra jashtë Kosovës), duke ndryshuar të dhënat e xhirollogarive si dhe duke u paraqitur në emër të kompanisë tek e cila është dashur të transferohen mjetet për pagesë të mallit.
Sipas Policisë në Kosovë, në disa raste transferet janë realizuar dhe mjetet janë tërhequr jashtë Kosovës, por në disa raste ato janë stopuar dhe mjetet janë bllokuar gjithashtu në bankat jashtë Kosovës, pasi është arritur të raportohet shpejt mashtrimi.
SHIKONI EDHE: Një muaj paraburgim për dy hakerët nga KosovaPër të mbrojtur bizneset nga sulmet e tilla, Hoxha thekson se janë ndërmarrë veprime nga Policia e Kosovës.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim me autoritetet tjera, kemi ndërmarrë veprime në funksion të vetëdijesimit të qytetarëve, por edhe të bizneseve, që të kenë kujdes gjatë shkëmbimit të informatave që ndërlidhen me biznesin e tyre”, thotë Hoxha.
Përfaqësues të bizneseve shprehin shqetësim rreth rritjes së krimeve kibernetike ndaj bizneseve në Kosovë. Ata kërkojnë nga ana e institucioneve rritjen e sistemeve të mbrojtjes nga sulmet kibernetike.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka thotë për Radion Evropa e Lirë se sulmet kibernetike që po iu bëhen bizneseve është thjesht një komunikim përmes postës elektronike që i dërgohet bizneseve, e që çon në një transaksion të mundshëm të rrejshëm e me dëm material.
“Bizneset, krahasuar me qytetarët, janë më në target të atyre që kryejnë sulmet kibernetike, kjo edhe për shkak të mundësisë më të madhe për keqpërdorime. Ne iu kemi bërë thirrje bizneseve që të rrisin masat e brendshme të sigurisë në sistemet e tyre kompjuterike, që të shmangin çfarëdo sulmi kompjuterik. Gjatë muajit tetor kur ishte edhe muaji ndërkombëtar i rritjes së sigurisë kompjuterike, kemi synuar që të edukojmë bizneset për mundësitë e abuzimeve të ndryshme që ata mund të ballafaqohen”, tha Zeka.
SHIKONI EDHE: Shtohen ankesat e qytetarëve për shkelje të privatësisëKrimi kibernetik është një veprim kriminal që zhvillohet në rrjetin e komunikimit, duke keqpërdorur sistemin dhe të dhënat kompjuterike.
Kosova ka Ligj për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetikë në Kosovë, nëpërmjet të cilit sanksionon këtë formë të kësaj vepre kriminale.