Një valë e stërzgjatur e të nxehtit në Shtetet e Bashkuara ka çuar në rritje të numrit të pacientëve të djegur rëndë, pasi kanë rënë në kontakt me objekte apo sipërfaqe të nxehta.
Mjekët në Arizona kanë thënë se disa pacientë janë lënduar pasi kanë rënë në asfalt, i cili është përvëluar nga dielli.
Qyteti i Feniksit i ka regjistruar më shumë se 24 ditë rresht me temperatura mbi 43 gradë Celsius.
Zyrtarët kanë paralajmëruar se këto temperatura përbëjnë rrezik të madh dhe u kanë thënë njerëzve që t’i ikin sa më shumë vapës.
SHIKONI EDHE: Pse është kjo verë kaq e nxehtë?Mjeku Kevin Foster nga Qendra e Arizonës për Djegie, i ka thënë transmetuesit britanik BBC se gati të gjithë 45 shtretërit janë të zënë, dhe pothuajse një e treta e pacientëve vuajnë nga djegiet e rënda nga kontakti me asfalt apo sipërfaqe tjera të nxehta.
“Periudha e verës është si rëndom e ngarkuar, kjo nuk është befasi, mirëpo shifrat këtë herë janë pak më të larta sesa që kemi pritur”, ka thënë ai, duke shtuar se numri i pacientëve të rinj e ka tejkaluar numrin e pacientëve të pranuar në verën e vitit 2022.
Shumica e pacientëve janë të vjetër, të cilët mund të jenë rrëzuar në asfalt, si pasojë e të nxehtit, apo fëmijët, që nuk e kanë parasysh rrezikun e rrëzimit mbi këto sipërfaqe.
Megjithatë, ai ka thënë se problemin më të madh e kanë me përdoruesit e drogës, të cilët shpesh janë të dehidruar dhe mund të alivanosen kudo.
Kjo qendër është duke i trajnuar edhe mbi 150 pacientë tjerë, të cilët nuk janë shtrirë në spital, mirëpo kanë nevojë të trajtohen për shkak të kontaktit me sipërfaqe të nxehta, siç është metali i makinës apo rripi i sigurisë.
Hulumtuesit kanë thënë se brendësia e një makine dhe sipërfaqja e asfaltit të errët ,mund të jenë shumë më të nxehta sesa temperatura e ajrit.
Sipas tyre, kontakti me metal apo asfalt vetëm për pak sekonda, mund të mjaftojë për të shkaktuar djegie të rëndë.