Edhe pse në Kosovë afaristë të ndryshëm vazhdimisht ankohen për ambient të pafavorshëm për të bërë biznes dhe që rrethanat aktuale ekonomike nuk lejojnë fitim të kënaqshëm, kjo siç duket nuk ka ndikuar aspak te qytetarët, për dëshirën dhe iniciativën e tyre për të hapur biznese të reja.
Vetëm gjatë këtij viti, më shumë se 2600 biznese të reja janë regjistruar në gjithë territorin e Kosovësapo rreth 18 për qind më shumë krahasuar më periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Kjo rritje e regjistrimit të bizneseve, sipas ekspertëve të ekonomisë, ndodh për shkak të procedurave të lehta të regjistrimit, dhe nuk mund të ketë ndonjë ndikim në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik në vend.
Por, ajo çka mbetet shqetësuese për ta, është fakti se aktiviteti më i preferuar afarist mbetet dukshëm sektori i tregtisë para sektorit të prodhimit.
Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës mbi ndërmarrjet ekonomike në Kosovë, thuhet se nga numri i përgjithshëm i bizneseve të reja, 723 janë në sektorin e tregtisë, 300 në sektorin e prodhimit, kurse ndërtimtaria me 260 biznese të reja.
Në sektorin e tregtisë, në muajin shkurt të këtij viti, një lokal të vogël ka hapur edhe Besa në qytetin e Fushë Kosovës.
“Unë kam hapur një dyqan të vogël në Fushë Kosovë. Është dyqan tregtar, shes produkte ushqimore me të cilat furnizohem nëpër dyqane më të mëdha. Kam regjistruar biznesin, nuk kam pasur problem. Fillimisht, nuk ka shumë punë, por pres përmirësim në të ardhmen”, thotë ajo.
SHIKONI EDHE: Bizneset kopjojnë njëra-tjetrën në hoteleri, pompa të benzinës dhe pishinaPor, eksperti për çështje ekonomike, Naser Grajçevci, thotë se numri i regjistrimit të bizneseve të reja është për shkak të procedurave të lehta për regjistrimin e bizneseve dhe nuk është produkt i rritjes ekonomike në Kosovë.
Grajçevci, i cili ka qenë drejtor i Agjencisë së Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se institucionet e Kosovës duhet të merren në mënyrë më substanciale me çështjen e themelimit të bizneseve të reja.
“Nuk është një parametër, me të cilin ne do të matnim nëse kemi rritje dhe zhvillim ekonomik. Njerëzit shkojnë e bëjnë regjistrimin ebizneseve të reja, për qëllime të ndryshme,qoftë si biznese start-up, apo tani në Kosovë është edhe një paraqitje e bizneseve të mëdha, të cilat themelojnë biznese ‘bija’ po biznese të vogla, për interesa në kuadër të bizneseve të tyre, për biznese të mëdha”, thotë Grajçevci.
Institucionet kompetente në vend, vlerëson ai, duhet të krijojnë ambient më të leverdishëm në sektorin e prodhimit, mënyrë kjo e vetmja që mund të zvogëlojë edhe varshmërinë e Kosovës nga importi i produkteve të huaja.
Sipas Grajçevcit, viteve të fundit ka pasur ndarje të subvencioneve dhe donacioneve në sektorë të ndryshëm, mjete këto që në treg, sipas tij, nuk po vërehen.
“Më këto fonde po bëhen improvizime. Institucionet e Kosovës nuk kanë mënyrë të saktë se ku duhet të shkojnë mjetet e taksapaguesve kosovarë. Kosova çalon nga aspekti i kapacitetit institucional të institucioneve vendore për të identifikuar mirë se ku duhet të shkojnë paratë e taksapaguesve, apo këto bëhen me qëllim”, shton ai.
Ndryshe, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, më shumë se 2500 biznese të regjistruara kanë të punësuar nga 1 deri në 4 punëtorë, deri në nëntë punëtorë kanë 60 ndërmarrje, kurse deri në 20 punëtorë kanë 25 biznese.
Sa i përket shtrirjes të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, vazhdon të mbizotërojë komuna e Prishtinës, Ferizajt dhe Prizrenit.