Presidenti iranian vdes nga rrëzimi i helikopterit

Kjo fotografi e nxjerrë nga një video e publikuar nga Gjysmëhëna e Kuqe iraniane, më 20 maj tregon ekipet e shpëtimit duke bartur trupa nga vendi ku u rrëzua helikopteri, me të cilin po udhëtonte presidenti iranian, Ebrahim Raisi,  në një zonë malore të mbuluar me mjegull në veriperëndim të Iranit.

Raisi, 63 vjeç, dhe ministri i Jashtëm, Hossein Amir-Abdollahian, janë gjetur të vdekur në vendin e rrëzimit të helikopterit.

Një tjetër pamje e marrë nga një video tregon shpëtimtarët duke nxjerrë trupat në vendin e rrëzimit. 
Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, dhe ministri i Jashtëm, Amir-Abdollahian, ktheheshin nga një vizitë në kufi me Azerbajxhanin, më 19 maj, kur helikopteri i tyre u rrëzua në veriperëndim të Iranit, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë personave në bord.
 

Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Iranit ka publikuar këtë foto, e cila tregon pjesë të helikopterit pas rrëzimit të tij. Televizioni shtetëror iranian tha më 20 maj se helikopteri ishte rrëzuar për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

Ekipet e kërkim-shpëtimit, të ndihmuara nga disa qeveri të huaja, kishin zhvilluar një operacion  të shpejtë për helikopterin pasi ai u rrëzua në mot të lig në një zonë malore të vendit vonë më 19 maj.

Operacionet e shpëtimit ishin penguar nga kushtet e vështira.

Raisi kishte udhëtuar në Azerbajxhan më 19 maj për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së një dige. Në ceremoni mori pjesë edhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

Raisi dhe Aliyev gjatë inaugurimit të digës Qiz Qalasi në kufirin mes Iranit dhe Azerbajxhanit.
 

Moti në Qiz Qalasi mund të shihet teksa po përkeqësohej pas ceremonisë së inaugurimit më 19 maj.

Helikopteri i Raisit ishte rrugës për në qytetin e Tabrizit kur u rrëzua pranë qytetit të Jolfës, në atë që televizioni shtetëror tha se ishte një "ulje e vështirë". Disa media më vonë cituan burime qeveritare të thoshin se helikopteri u rrëzua teksa kalonte një zonë malore dhe pyjore.

Karrigia e zbrazët e presidentit Ebrahim Raisi në kabinetin iranian pas konfirmimit të vdekjes së tij si pasojë e rrëzimit të helikopterit.

Raisi u zgjodh president në vitin 2021 dhe që atëherë ka ashpërsuar shumë kufizime ndaj iranianëve nëpërmjet zbatimit të atyre që njihen si ligje të moralit dhe një goditjeje të përgjakshme ndaj protestave antiqeveritare të nxitura nga vdekja e Mahsa Amini derisa po mbahej në paraburgim nga policia për gjoja shkelje të kodit islamik të veshjes së shamisë së kokës.