Nuk raportohet për rritje të rrezatimit në centralin bërthamor në Ukrainë

Pamje të zjarrit në centralin bërthamor, Zaporizhja.

Rusia ka marrë kontrollin e një centrali bërthamor në Ukrainë, pasi e ka sulmuar atë më 4 mars.

Sulmi ka shpërthyer në centralin bërthamor Zaporizhja – më i madhi në Evropë – dhe Ukraina ka thënë se objekti është goditur nga trupat ruse.

Autoritetet kanë thënë se objekti është i sigurt dhe nivelet e rrezatimit janë normale.

Liderët botërorë kanë akuzuar Rusinë për rrezikim të sigurisë së gjithë kontinentit.

Your browser doesn’t support HTML5

Uzina bërthamore ukrainase në flakë pas sulmit rus

Centrali bërthamor në Zaporizhja prodhon më shumë se një të pestën e energjisë brenda Ukrainës.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Çështje Bërthamore ka thënë më 4 mars se ka vendosur qendrat për incidente dhe emergjenca në gatishmëri të lartë pas situatës në Zaporizhja

OKB ka thënë se sulmi ka prekur një qendër trajnimi dhe jo ndonjë pjesë të reaktorit.

Sekretarja amerikane e Energjisë, Jennifer Granholm ka thënë në mbrëmjen e 3 marsit se nuk ka shenja fillestare për rritje të niveleve të rrezatimit në central.

SHIKONI EDHE: SHBA aktivizon ekipin e reagimit bërthamor

Kryetari i Zaporizhjas, Dmytro Orlov, ka thënë se forcat ruse kanë sulmuar disa objekte në afërsi të centralit bërthamor.

Ai ka thënë se qyteti nuk ka furnizime me ujë dhe rrymë.

Një protokoll i Konventës së Gjenevës kufizon sulmet ushtarake në objektet bërthamore.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka bërë një video-adresim, duke u bërë thirrje evropianëve “të zgjohen”.

“Tregojuni politikanëve tuaj – forcat ruse janë duke sulmuar në centralin bërthamor të Ukrainës”.

SHIKONI EDHE: Sulmi në centralin bërthamor, Zelensky u kërkon ndihmë evropianëve

Zelenskiy ka biseduar me presidentin amerikan, Joe Biden dhe kryeministrin britanik, Boris Johnson për t’i njoftuar rreth situatës në centralin bërthamor.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se “presidenti Biden i është bashkuar presidentit Zelensky për t’i bërë thirrje Rusisë që të ndalë aktivitetet ushtarake në këtë zonë dhe t’iu ndihmojë zjarrfikësve që të kenë qasje në atë zonë”.

Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë kombëtare për energji bërthamore, Energoatom, ka thënë se fillimisht zjarrfikësve nuk u është mundësuar qasja në strukturën që ka qenë duke u djegur.

“Ka rreziqe të mëdha. Luftime në stacion. Reaktorët janë në rrezik”, ka thënë, Ihor Murashov në Telegram.

Zyra e kryeministrit britanik, Boris Johnson ka thënë se “veprimet e pamatura të presidentit rus, Vladimir Putin mund të rrezikojnë sigurinë e gjithë Evropës”.

Granholm ka thënë në Twitter se ka biseduar me ministrin ukrainas të Energjisë, Herman Halushchenko që reaktorët në Zaporizhja “të jenë të mbrojtur me struktura të forta mbrojtëse” dhe që të ndalen në mënyrë të sigurt.

SHIKONI EDHE: Ukrainasit në SHBA do të marrin 'status të mbrojtjes së përkohshme’

Në pjesën tjetër të Ukrainës, banesat e civilëve janë shkatërruar në qytetin Çernihiv, pas bombardimeve në orët e para të 4 marsit.

Për sulme të vazhdueshme raportohet edhe në jug të Ukrainës, ku besohet se rusët kanë marrë kontrollin e qytetit Herson.

Mijëra persona besohet se janë vrarë dhe më shumë se 1 milion ukrainas kanë ikur nga shteti.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Putin, ka thënë të enjten, 3 mars, se “operacioni special ushtarak” në Ukrainë është duke shkuar sipas planit dhe i ka konsideruar ushtarët rusë si heronj.

Your browser doesn’t support HTML5

Putin: Operacioni rus po shkon sipas planit

Komentet televizive të Putinit kanë qenë në kundërshtim me deklaratat e qeverive të Perëndimit dhe agjencive të inteligjencës se fushata ushtarake e Putinit po përballet me probleme logjistike, gabime taktike dhe rezistencë më të madhe sesa është pritur nga Ukraina.​

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Përgatiti: Krenare Cubolli