Anna Klementyeva, 90-vjeçare, e di mjaft mirë se çfarë është lufta. E lindur në Leningrad – tani Shën Petersburg – ajo ishte evakuuar për në Jarosllav së bashku me shokët e klasës kur trupat gjermane iu afruan qytetit. Megjithatë, ajo u sëmur rëndë dhe në shtatorin e vitit 1941 u kthye në qytetin e saj.
“Më 8 shtator 1941, treni me të cilin po udhëtonim u godit nga dy bombardues fashistë”, shkroi ajo në një letër dërguar North.Realities të Radios Evropa e Lirë, teksa aktualisht jeton në Spanjë. “Treni ynë doli se ishte treni i fundit që hyri në Leningrad. Rrethi ishte mbyllur dhe rrethimi kishte filluar”.
“Unë jam një jetime e luftës”, shkroi Klementyeva. Nëna dhe motra e saj u vranë gjatë tentimit për të ikur nga qyteti në të ashtuquajturën 'Rrugë të Jetës' përtej liqenit Ladoga, kur kamioni me të cilin po udhëtonin u godit nga një bombë gjermane. Babai i sa u thirr në ushtri për të mbrojtur qytetin dhe u vra në betejën e tij të parë.
“Ata kanë vdekur të gjithë”, shkroi ajo. “Por, unë jam gjallë. Dhe, më shumë se kushdo tjetër, unë kam të drejtë – dhe është detyra ime ndaj tyre – të flas kundër luftës”.
Klementyeva është një prej disa të mbijetuarve të rrethimit 900-ditorë të Leningradit, që la të vdekur 900,000 civilë, e që foli kundër luftës së Rusisë në Ukrainë. Që prej se Rusia nisi pushtimin e shkallës së gjerë më 24 shkurt, trupat ruse kanë rrethuar qytetet ukrainase dhe kanë sulmuar caqe civile përfshirë shkolla, teatro, ndërtesa banimi dhe komplekse tregtare. Edhe pse Kombet e Bashkuara kanë regjistruar afër 1,000 viktima civile, kjo organizatë ka thënë se numri real ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë.
- Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.
Qeveria ukrainase ka thënë se të paktën 2,300 persona janë vrarë vetëm në qytetin e rrethuar të Mariupolit, që ka dalje në Detin Azov, qytet në të cilin dhjetëra-mijëra persona janë bllokuar dhe kanë mbetur pa gjërat elementare siç janë uji, ushqimi dhe karburantet. Zonat civile në disa qytete të tjera në mbarë vendin, po ashtu janë goditur rëndë.
“Qytetarë të Rusisë, si është rrethimi juaj i Mariupolit i ndryshëm nga rrethimi i Leningradit gjatë Luftës së Dytë Botërore”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky më 17 mars përmes një deklarate. “Ne nuk do t'i harrojmë ata, të cilëve iu mor jeta nga okupuesit”.
Your browser doesn’t support HTML5
E mbijetuara e rrethimit të Leningradit, Marharita Morozova, 87 vjeçe, gjashtë dekadat e fundit të jetës i ka kaluar në qytetin verilindor ukrainas të Harkivit – qytetit të dytë më të madh të Ukrainës – që së fundi ka qenë skenë e bombardimeve të rënda.
“Kurrë nuk e kam imagjinuar se një luftë e re do të fillonte kur unë të isha në moshë të shtyrë”, tha ajo gjatë një interviste dhënë për Reuters më 20 mars. “Në makthin tim më të keq nuk do të mund ta imagjinoja se masakra të tilla do të përsëriteshin”.
- Mariupol: Katër arsyet se pse ky qytet ka kaq shumë rëndësi për Rusinë
- Trashëgimia e luftës së Putinit
E lindur në Leningrad në prill të vitit 1941, Lyudmila Vasilyeva ishte afër pesëmuajshe kur nisi rrethimi. Më shumë se 80 vjet më vonë, ajo është ndaluar nga policia tri herë teksa ka protestuar kundër luftës që prejse ajo nisi. Për herë të parë ajo u ndalua më 25 shkurt 2022.
“Ata më ndaluan, më pyetën për pasaportën time dhe unë iu thashë: ‘Shikoni se kur dhe ku kam lindur’. Ata e shikuan pasaportën dhe u vunë në siklet. Më pas më dërguan në shtëpi me veturën e tyre dhe madje hynë brenda për ta vizituar shtëpinë. Ditën tjetër, ata më thanë se kurrë nuk më kishin ndaluar, vetëm më kishin ofruar që të më sillnin në shtëpi. U sollën sikur asgjë nuk kishte ndodhur”.
Vasilyeva u ndalua edhe një herë më 27 shkurt, së bashku me nipin e saj dhe mbesën. Kur policia sërish ofroi që ta lironte, ajo insistoi se nuk do të pranonte të shkonte në shtëpi pa nipin dhe mbesën. Më pas, mbesa e saj – e cila tashmë është larguar nga Rusia, si dhjetëra-mijëra persona tjerë kryesisht të rinj që e kanë kundërshtuar luftën në Ukrainë dhe janë të brengosur për të ardhmen e tyre pasi Kremlini po rrit shtypjen ndaj disidencës dhe ekonomia po goditet rëndë nga sanksionet për shkak të pushtimit – u lejua që të shkonte në shtëpi së bashku me të.
Vasilyeva u ndalua për herë të tretë më 6 mars, por pas një bisede me policët, ajo u lirua pa u dërguar në stacion policor. Ajo shkoi vetë në shtëpi me metro.
Ajo i tha Radios Evropa e Lirë se e ka zakon që ti “edukojë njerëzit nga perspektiva e moshës sime të shtyrë”, duke përfshirë edhe policinë.
Your browser doesn’t support HTML5
“U thosha atyre gjatë gjithë kohës – mos zbatoni urdhrat kriminalë – kjo nuk do t’iu çlirojë nga përgjegjësia”, tha Vasilyeva.
Kur policia i kërkoi që ta nënshkruante raportin e ndalimit, ajo refuzoi.
“Nuk do të firmos asgjë apo nuk do të shkruaj ndonjë shpjegim”, kujton ajo fjalët që u kishte thënë policëve. “Ky është qyteti im. Kam jetuar gjatë gjithë jetës time këtu – dhe tani duhet t’iu pyes ju se ku mund të eci?”.
Vera Somina, 83-vjeçare, po ashtu, e ka kaluar gjithë jetën e saj në Shën Petersburg.
“I kam mbijetuar luftës dhe rrethimit si një fëmijë i vogël dhe isha e sigurt se diçka e tillë nuk do të mund të ndodhte më”, tha ajo për REL-in. “Gjenerata ime u desh që të kalonte nëpër atë periudhë, por tani duket se tmerre të tilla mund të përjetojnë edhe gjenerata e fëmijëve dhe nipërve të mi”.
Edhe pse jeton në Spanjë, Klementyeva ndjek për së afërmi zhvillimet në Rusi dhe shikon televizionin shtetëror rus.
“Kur shoh të gjitha fytyrat në televizionin tonë, të përdredhura nga urrejtja dhe kur dëgjoj sloganin ‘Ne mund ta bëjmë përsëri’”, shkroi ajo duke iu referuar një slogani të Kremlinit që thotë se ushtria ruse mund të shkojë në mbarë Evropën dhe të mposhtë armiqtë atje, siç kishte bërë ushtria sovjetike në Luftën e Dytë Botërore, “unë e kuptoj me tmerr se sa i gjallë është virusi i fashizmit – ne e mposhtëm atë, por vetë ne ishim të infektuar”.
“Po, ata po e bëjnë sërish”, vazhdoi ajo. “Lufta ka nisur dhe unë mallkoj ata që e nisën. Dhe, unë e di se si do të përfundojë. Ndonjë vajzë që tani është 9-vjeçare do të përsërisë fjalët e mia kur ajo të jetë 90-vjeçare – Mallkuar qofshi! Jo, ju veçse jeni të mallkuar”.