Një “alarm i rremë” në Rusi lë një milion njerëz pa rrymë

Termocentrali bërthamor i Rostovit - fotografi arkivi

Operatori rus i energjisë bërthamore, Rosenergoatom, tha se ka mbyllur një njësi të termocentralit bërthamor të Rostovit, për shkak të një “alarmi të rremë”.

Për pasojë, rreth 1 milion njerëz në Rusinë jugore dhe në pjesë të Krimesë së okupuar mbetën pa energji elektrike.

Kompania nuk specifikoi se çfarë e shkaktoi aktivizimin e mekanizmit mbrojtës.

Por, në një deklaratë të publikuar në Telegram, Rosenergoatom tha se Njësia N1 është mbyllur më 16 korrik “për shkak të një alarmi të rremë”.

Rosenergoatom nuk dha detaje për shkaqet e “alarmit të rremë”.

Termocentrali bërthamor i Rostovit, i njohur gjithashtu si termocentrali bërthamor i Volgodonskut, ka katër njësi me një kapacitet total prej më shumë se 4.000 megavatesh.

Ai gjendet në bregun e majtë të lumit Don, pranë qytetit Volgodonsk, rreth 1.100 kilometra në jug të Moskës.

Muajve të fundit, Ukraina - infrastruktura energjetike e së cilës është goditur vazhdimisht nga ushtria ruse prej se ajo ka nisur pushtimin e saj në shkurt të vitit 2022 - ka shënjestruar po ashtu objektet ruse të energjisë, kryesisht rafineritë e naftës dhe ato që punojnë për ushtrinë ruse.

SHIKONI EDHE: Një sulm me dron godet një fabrikë pajisjesh elektrike në Rusi

Në Krime, autoritetet pushtuese thanë se ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike në rajon, janë pasojë e valës së të nxehtit.