Rregullatori amerikan përkrah dozën përforcuese për disa kategori të popullsisë

Doza vaksinash të kompanisë Pfizer/BioNTech.

Administrata amerikane për Ushqim dhe Ilaçe ka autorizuar dhënien e vaksinës përforcuese kundër koronavirusit, për disa kategori të popullsisë, përfshirë personat mbi moshën 65-vjeçare.

Përmes një vendimi që ka qenë i pritur, kjo Administratë ka dhënë autorizim për përdorim emergjent të vaksinës së prodhuar nga kompania Pfizer/BioNTech.

Ky autorizim është i kufizuar për amerikanët që janë nga mosha 65-vjeçare e tutje, të rinjtë me probleme shëndetësore dhe personat, puna e të cilëve i vë ata në rrezik nga koronavirusi, siç janë punëtorët shëndetësorë, mësuesit, punëtorët nëpër dyqane dhe personat që punojnë nëpër burgje.

Ky propozim përballet edhe me pengesa tjera rregullatore, para se të nisë dhënia e dozave përforcuese.

SHIKONI EDHE: Argumentet për dhe kundër dozave përforcuese kundër COVID-19

Miratimi nga rregullatori amerikan ka ardhur pasi një panel i pavarur ekspertësh ka votuar javën e kaluar në të mirë të rekomandimit të dozës së tretë për personat që janë më të cenueshëm ndaj COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi.

Autorizimi i Administratës amerikane për Ushqim dhe Ilaçe nuk është në përputhje me planet e presidentit amerikan, Joe Biden që dozën e tretë të vaksinës ta marrin pothuajse të gjithë amerikanët.

Vendimi për dozë të tretë vlen vetëm për vaksinën e kompanisë Pfizer/BioNTech.

Rregullatorët amerikanë do të vendosin më vonë për dozat përforcuese për personat që kanë marrë vaksinat e kompanive, Moderna apo Johnson & Johnson.