Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës më 24 shkurt, duke filluar disa prej luftimeve më të ashpra në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe duke shkaktuar vdekje dhe shkatërrim në shtetin fqinj. Mbi 2 milionë ukrainas janë larguar nga vendi dhe shumë të tjerë janë zhvendosur.
Sipas Kombeve të Bashkuara, mbi 1,200 civilë të vrarë ose të plagosur në Ukrainë. Zyrtarët thonë se shifrat reale të viktimave “mund të jenë shumë më të larta”. Shërbimi i Emergjencave në Ukrainë disa ditë më parë kishte thënë se numri i civilëve të vrarë ishte mbi 2,000, dhe në deklaratën e 2 marsit u shtua: “Ende është e panjohur se sa njerëz janë nën zjarr dhe nën gërmadha. Nuk ka shifër të saktë”. Zyrtarët ukrainas kanë thënë se në mesin e të vrarëve janë afër 40 fëmijë.
- Për lajme në kohë reale nga lufta në Ukrainë, na përcillni në këtë blog.
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë kanë mbledhur rrëfimet e disa grave, jeta e të cilave është përmbysur nga lufta, dhe u kanë krijuar krijuar hapësirë që ta tregojnë historinë e tyre në vetën e parë.
Yulia Sukhovyeyeva:
Yulia Sukhovyeyeva është banore e Harkivit, qytet në lindje, që njëherësh është qyteti i dytë më i madh i Ukrainës. Ky qytet është goditur rëndë nga sulmet ruse në ditët e fundit. Shërbimi ukrainas i Radios Evropa e Lirë bisedoi me të më 7 mars në Lviv, në perëndim të Ukrainës, pasi ajo dhe djali i saj, Nikita, po iknin drejt Polonisë.
Kur lufta filloi, nuk e kuptova menjëherë se çfarë po ndodhte. Më thirri nëna dhe më tha “Yulia, lufta filloi”, por nuk e besova. Tani jetoj në Lviv. Unë dhe djali im po shkojmë për në kufirin me Poloninë. Jam detyruar të largohem nga shtëpia ime, nga puna ime, nga prindërit e mi dhe të udhëtoj që ta shpëtoj djalin. Është shokuese. Kjo është një tragjedi në shkallë globale. Gjatë gjithë jetës sime nuk do ta harroj zhurmën e raketës që na kaloi mbi kokë. Nuk mund ta harroni atë eksperiencë kur e dëgjoni atë zhurmë dhe e dini që keni vetëm një sekondë për ta kapur fëmijën, për ta hedhur atë në tokë dhe ta mbuloni me trupin tuaj. Kjo është ajo që ne kemi përjetuar për tri ditë.
E kam një teze dhe motrën në Estoni. Dua që ta dërgoj atje djalin dhe më pas të kthehem. Prindërit e mi janë ende në Harkiv, dhe merakosem për ta në çdo sekondë. Ata jetojnë në një ndërtesë shumëkatëshe dhe thjesht vazhdimisht lutem që ata të mbijetojnë.
Hanna
Hanna, e cila kërkoi që të identifikohej vetëm me emër, është një 36-vjeçare bjelloruse e cila iku nga shteti i saj më 2020 për shkak të shtypjes politike, dhe u vendos në qytetin ukrainas Çernihiv. Ky qytet gjendet në veri të Kievit, jo fort larg Bjellorusisë. Kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, disa trupa ruse hynë përmes Bjellorusisë, pasi lideri i këtij shteti, Alyaksandr Lukashenka, është aleati më i ngushtë në këtë konflikt i presidentit rus, Vladimir Putin. Hanna ka vendosur që të qëndrojë dhe të ndihmojë në luftën kundër trupave ruse. Shërbimi bjellorus i Radios Evropa e Lirë ka biseduar me të më 6 mars.
Ukraina më dha strehim një vit e gjysmë më parë, më pranoi në familjen e saj. Tani po shlyej një borxh. Nëse jam e aftë dhe nëse nuk jam zemërgur, si mund të largohem? Kur nisën breshëritë e artilerive, shkova në strehimore. Mendova se do të ndihmoja atje për katër orë ose diçka e tillë. Por, përfundova duke qëndruar për katër ditë. Kishte shumë fëmijë, disa gra mbanin në duar fëmijët e tyre të porsalindur. Dikush duhej t’i lante ata fëmijë, t’iu ndihmonte grave që t’iu përgatisnin ushqimin. Sillja gjëra, i shpërndaja ato, bisedoja me njerëz, u ndihmoja që të qetësoheshin...
SHIKONI EDHE: Trashëgimia e luftës së PutinitIsha në internet [kur pushtimi nisi në orët e para të 24 shkurtit] duke shikuar se çfarë po shkruanin njerëzit. Ishte e frikshme. Dhe në orën 06:30 të mëngjesit e ndjeva se sulmi ishte duke ndodhur. Ata erdhën drejt nesh përmes zonës së ndaluar të Çernobilit. Fillimisht, ata vetëm e granatuan qytetin. Më pas, pati luftime të ashpra. Më pas u shfaqën raketat e tipit Grad. Ishte e frikshme. Më 3 mars, ata filluan bombardimet nga ajri... Ne evakuuam zonat e banuara, teatrot, spitalet, maternitetet. Ishte e tmerrshme. Imagjinoni të bombardoni një maternitet – një vend ku njerëzit duhet të lindin, jo të vdesin. U nevrikosa shumë.
*Video: Tanket e para ruse duke hyrë në territorin e Ukrainës më 24 shkurt
Your browser doesn’t support HTML5
Atje kishte xhama të thyer gjithandej. Shtëpi të shkatërruara, ndërtesa të bombarduara. Në vitet e fundit, gjithkush thoshte se Çernihivi ishte bërë shumë më i bukur. Trotuare të reja, shatërvanë, lule kudo gjatë pranverës dhe verës. E tani, shikojeni. Është e tmerrshme ta shohësh. Por, këto janë thjesht ndërtesa që mund të zëvendësohen. Ndiej keqardhje për fëmijët, ndiej keqardhje për ata që humbën më të dashurit e tyre. E kam një shoqe që e ka humbur të gjithë familjen – burrin dhe dy fëmijët. Asgjë nuk ka mbetur nga shtëpia e saj, pos oxhakut. Ajo vrapoi dhe po i thërriste fëmijët e saj. Si mund ta durojë këtë gjë zemra?
Lyudmila Bukhantsova
Lyudmila Bukhantsova është një nënë ruse që jeton në vendbanimin e Draguskojes, rreth 50 kilometra nga kufiri i Rusisë me Ukrainën. Djali i saj, Roman, ishte pjesë e forcave pushtuese ruse, dhe ai u kap afër qytetit lindor Sumi më 26 shkurt. Ajo foli për Current Time të Radios Evropa e Lirë më 28 shkurt.
Të gjithë ne kemi familjarë në Ukrainë, familje në Ukrainë. Që të gjithë. Dikur ka qenë Bashkimi Sovjetik dhe të gjithë ne kemi qenë njësojë. Pse tani duhet që vëllezërit të luftojnë kundër vëllezërve? Çfarë kuptimi ka kjo luftë? Unë nuk e di. Unë thjesht dua që lufta të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Dua që djali të më kthehet në shtëpi. Vetëm këtë e dua. Dua paqe në botë dhe që njerëzit e pafajshëm të mos vuajnë.
Your browser doesn’t support HTML5
Svitlana
Svitlana, e cila kërkoi që të mos i publikohej mbiemri, është nga Kievi, por jeton në Roth të Gjermanisë. Nëna e saj 87-vjeçare ende jeton në kryeqytetin ukrainas. Që prej se ka nisur lufta, Svitlana po punon në një qendër të ndihmës, duke mbledhur ilaçe dhe gjësende të tjera të nevojshme për t’i dërguar në Ukrainë dhe për refugjatët ukrainas. Idel.Realities i REL-it bisedoi me të më 6 mars lidhur me përgjigjen e Gjermanisë për këtë krizë humanitare.
Njerëzit po e shohin se ka gra dhe fëmijë. Dhe kjo i ka prekur ata, ka prekur zemrat e gjermanëve. Për më tepër, veçse ka shumë ukrainas në Evropë. Dhe ishin pikërisht ata që e nisën këtë valë të dhurimit të ndihmave dhe gjermanët iu bashkuan atyre më vonë.
Svitlana tregoi se si vjehrra e saj gjermane dëshironte të ndihmonte:
“Unë mund ta jap fundin tim të bardhë dhe një bluzë me vija”. E pyeta, a e kupton që atje ka luftë. Kujt i duhet një fund i bardhë dhe një bluzë, edhe nëse ajo bluzë është me vija, kur ka luftë? Le të mendojmë për një minutë për atë që njerëzit kanë nevojë dhe jo për atë që ne kemi për të falur. Në fund, vjehrra ime dhuroi një pulovër të ngrohtë. Ajo ishte e lumtur që pulovri i saj i ngrohtë do ta ndihmonte me të vërtetë dikë.
Gra të zhvendosura nga Harkivi, të cilat nuk kanë dashur të identifikohen
Shërbimi ukrainas i REL-it më 6 mars bisedoi me tri gra nga Harkivi, të cilat janë zhvendosur në Lviv, pas luftimeve të ashpra në qytetin e tyre.
Njëra grua filloi të qajë teksa u bëri apel grave në Rusi:
Po ju përgjërohem, mendoni për fëmijët tuaj. Ne i lindëm ata për veten tonë dhe jo për disa politikanë që nuk e dinë se çfarë duan. Ju lutem, ju lutem, ngrihuni dhe mbroni fëmijët tuaj. Vetëm nënat mund të ndihmojnë fëmijët e tyre. Vetëm zemra e një nëne mund të ngrihet dhe të mbrojë fëmijët e saj. Nuk ka rrugë tjetër.
Një grua tjetër shprehu admirim për ukrainasit që po mbrojnë vendin e tyre, duke thënë se Putini po sulmon qytetet për të thyer rezistencën ukrainase:
Ne nuk do të dorëzohemi. Kemi thënë se nuk do t’i dorëzojmë qytetet tona. Ne kemi burra të mirë që po dalin para tankeve për t’i ndalur me duart e tyre. Ka gra dhe burra. Është e pamundur të shikosh... E pamë me sytë tanë se kush po na qëllonte. Vetë i kemi parë ata ushtarë. Kemi parë konvojet që afroheshin dhe na rrethonin nga të gjitha anët.
Ndërkaq, një grua 79-vjeçare, që ka lindur gjatë Luftës së Dytë Botërore, e lidhi situatën aktuale me pushtimin e Bashkimit Sovjetik nga Gjermania Naziste më 1941:
Kjo është një katastrofë. Hitleri kurrë s’ka bërë gjëra që ata po i bëjnë sot. Ata po udhëhiqen nga një psikopat që e ka shndërruar në zombi të gjithë shtetin, në mënyrë që ata të mos besojnë se çfarë po na bëjnë ne këtu. E kam një shoqe që jeton në Rusi dhe i tregova për të gjitha këto, dhe ajo vetëm tha “A janë nazistët tuaj që po e bëjnë të gjithë këtë”. Kështu këta bastardë i kanë bërë zombi njerëzit. Është e tmerrshme. Ata po na e bombardojnë Harkivin tonë. Atje është një katastrofë. Një katastrofë. Po vrasin njerëz, po bombardojnë çdo gjë.
Jeta ime nisi gjatë një lufte dhe fatkeqësisht po përfundon me këtë luftë të tmerrshme.
Your browser doesn’t support HTML5
Halyna Vyhovskaya
Halyna Vyhovskaya është një pensioniste në Kiev që jeton së bashku me bashkëshortin e saj, Pyotr. Djali i tyre më i madh është në burg në Kirov, rajon në Rusi, nën dyshimet për “spiunazh”. Idel.Realities i REL-it foli me të më 3 mars.
Nuk e kam derdhur asnjë pikë loti. Vetëm po lutem për Ukrainën. Dhe po lutem për rusët po ashtu, sepse nuk dua që djem të rinj rusë të vdesin në Ukrainë. Edhe ata janë viktima. Nënat ruse thjesht se kanë idenë se çfarë po ndodh këtu. Sikur ta dinin, nuk do t’i lejonin fëmijët e tyre që të vinin këtu. Por, ato i besojnë propagandës ruse sikur mos të kishin tru për të menduar vet. E kam një shoqe në Moskë dhe së fundi kam biseduar me të. “Halya, të dua, por Putini është i mirë dhe Kievi do të jetë i joni”. Unë iu përgjigja: “Edhe unë të dua, por Kievi kurrë nuk do të jetë i juaji. Ne edhe mund të vdesim, por kurrë nuk do të dorëzohemi”.
Your browser doesn’t support HTML5
Valentyna
Valentyna, e cila kërkoi që të mos i bëhej publike mbiemri, është një nëpunëse 27-vjeçare nga qyteti juglindor ukrainas, Zaporizhja. Shërbimi rus i REL-it bisedoi me të më 7 mars, teksa ajo së bashku me dy fëmijët e saj të vegjël po udhëtonin përmes Polonisë për në Gjermani. Ajo foli për natën e 26 shkurtit, që së bashku me familjen e kaloi në bodrumin e banesës.
Njerëzit i kapi paniku. Vjehrra ime kishte një sulm paniku teksa po lëvizte shkallëve. Ishte shumë e vështirë. Aty kishte shumë njerëz. Unë arrita të numëroj tetë persona që ishin në një krevat... unë fjeta në krevat dhe vajza ime 2-vjeçare, Yulyana fjeti në tokë. Ajo po qante dhe po refuzonte që të shtrihej në krevat. Ishte e tmerruar. Djali im 7-vjeçar, Vova fjeti në krevatin sipër së bashku me dy fëmijë të tjerë. Aty të merrej fryma dhe kishte pak ujë. Ne e valuam pak ujë, e lamë të ftohet dhe më pas e pimë. Të gjithë pinë nga një shishe – askush nuk u shqetësua për higjienën. Te dera njerëzit pinin duhan. Ishte e vështirë që të merrje frymë. Një grua volli.
Në stacionin në Lviv, menjëherë na pritën vullnetarët. Ata na dhanë biskota dhe ujë. Aty kishte tenda dhe aty na shpërndanë edhe sandviçë.
Shoferi i autobusit tha se keni 10 ose 15 minuta kohë që të përshëndeteni me burrat tuaj. E zumë një vend në autobus dhe më pas shoferi shënoi emrat tonë. Kur përfundoi, ai tha: “Zoti qoftë me ne. Po nisemi”. Ai tha se nuk kishte më kohë për t’u përshëndetur. Burri im mbeti në stacion. Ai po qante. Djali im filloi të qante, edhe tani, Vova vazhdon të pyes se kur do të vijë babai i tij.