"Ky është vendi ku unë jetoj. Kështu duket qyteti im tani", thotë Olha Drahan, ndërsa tregon ekranin e telefonit të saj.
Dukshëm e tronditur, ajo shfleton fotografitë e Bila Tserkvas, një qytet rreth 80 kilometra në jug të kryeqytetit ukrainas, Kiev, ku shumë shtëpi dhe rrugë janë bërë gërmadha nga bombardimet ruse.
Ndërsa lojtarët e rinj nga ekipi i futbollit Slavia Pragë qeshin dhe bëjnë shaka teksa stërviten në një ditë me diell dhe të freskët të fillimit të pranverës në kryeqytetin çek, Pragë, Drahan është një nga dhjetëra-mijëra ukrainasit e larguar nga shteti i tyre që kur presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi një sulm të gjerë mbi Ukraninë më 24 shkurt, shtet ky që ka rreth 44 milionë banorë.
Më shumë se një milion njerëz janë larguar nga Ukraina pas pushtimit nga Rusia, duke shkaktuar atë që shumë kanë frikë se do të bëhet vala më e madhe e refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Drahan, 43 vjeç, tani është një nga dhjetëra gratë dhe fëmijët ukrainas që strehohen në një konvikt që përdoret zakonisht për lojtarët e të rinjve të Slavia Pragës.
Me vajzën dhe motrën e saj 13-vjeçare, Drahan thotë se u largua nga apartamenti i saj në Bila Tserkva më 27 shkurt në një rrugëtim treditor, duke ecur nëpër terrene me baltë, duke udhëtuar me trena dhe me makina private.
Bota është duke shikuar e tmerruar derisa forcat ruse po rrisin brutalitetin e sulmeve të tyre, duke synuar vende të frekuentuara nga civilët, duke përfshirë spitalet dhe shkollat. Këto sulme u kanë kushtuar me jetë deri më tani të paktën 2,000 civilëve, thanë shërbimet e urgjencës ukrainase më 2 mars.
"Udhëtimi nga Korczowa, në kufirin polak, deri në Pragë, zgjati 14 orë. Dhe, ishte i shtrenjtë. Motra ime dhe unë paguam 300 dollarë", thotë Drahan, duke shtuar se gjithçka që mori ishte një valixhe e vogël me dokumente dhe gjërat e nevojshme.
Burri dhe nëna e saj e moshuar mbeten në Bila Tservkva. "Kam biseduar sot më herët me ta", thotë ajo. "Dhe ata të dy janë të sigurt."
Djali 24-vjeçar i Drahanit, ekonomist që merret me bursë në një jetë që tani duket si një kujtim i largët, mbetet në Kiev, duke dalë vullnetar si mijëra të tjerë për të mbrojtur qytetin nga një sulm i mundshëm rus, mes raportimeve për një kolonë trupash dhe pajisjesh ushtarake ruse, e shtrirë dhjetëra kilometra, e nisur për në kryeqytetin ukrainas, Kiev.
Si shumë të tjerë në Ukrainë, Drahan ka lidhje me Rusinë, duke përfshirë një motër në Soçi pranë Detit të Zi dhe një vëlla në Siberi.
"Ata nuk mund të besonin se çfarë po ndodhte [në Bila Tservkva]. Më duhej t'u dërgoja fotografi për t'i bindur", shpjegon Drahan, duke nënvizuar vakumin e informacionit, me të cilin përballen shumë njerëz në Rusi, ku mediat shtetërore e kanë portretizuar Ukrainën si agresore dhe manipulojnë ose injorojnë sulmin brutal të Moskës.
Vajza e saj adoleshente mbetet e qetë, thotë Drahan, duke shpjeguar se ajo flet pak me të për tmerrin që Rusia është duke shkaktuar në shtëpinë saj.
"I thashë se kishim ardhur këtu vetëm për vizitë dhe se do të ktheheshim në shtëpi së shpejti", thotë ajo.
Ndryshe nga vajza e saj, Drahan thotë se pjesën më të madhe të ditës e kalon duke qarë, ndonëse mikpritja çeke ka ndikuar mirë tek ajo dhe te shumë ukrainas të tjerë.
"Ata kanë qenë të shkëlqyer", thotë ajo. “Nuk mund të kërkonim më shumë nga çekët”.
"Ne e bëmë këtë sepse populli i Ukrainës ka nevojë për ndihmë", thotë Jiri Vrba, një zëdhënës i klubit të futbollit, Slavia Pragë, duke shtuar se rreth 100 gra dhe fëmijë po strehohen në objektin që qëndron nën hijen e stadiumit Sinobo, ku luajnë dy ukrainas.
'Nuk e di çfarë të bëj'
Republika Çeke, ku agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës ka ringjallur kujtimet e makthit të pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë në vitin 1968, ka qenë e shpejtë për t'iu përgjigjur luftës, duke kërkuar sanksione të ashpra kundër Moskës, duke ofruar ndihmë për Kievin, e duke përfshirë ndihmën ushtarake dhe strehimin e atyre të cilëve u është shkatërruar jeta.
Që nga fillimi i sulmeve të javës së kaluar, mijëra ukrainas kanë hyrë në Republikën Çeke, tashmë shtëpia e një komuniteti të konsiderueshëm prej rreth 200 mijë ukrainasve.
Oksana Malyuta, burri i saj dhe dy djemtë sapo po vendoseshin në apartamentin e tyre të ri në Zdolbuniv, në jug të Rivnes, në Ukrainën perëndimore, kur sulmi i Putinit shkatërroi jetën e tyre.
"Kemi shpenzuar 21,000 dollarë për apartamentin dhe mobilimin. Janë 16 apartamente dhe pesë familje kanë mbetur atje. Ata po kontrollojnë apartamentin për të parë nëse gjithçka është në rregull", thotë Malyuta, duke shpjeguar se shumë prej tyre fortifikuan dyert për të shmangur grabitësit e mundshëm.
Ndërsa bashkëshorti i saj qëndroi për të mbrojtur atdheun e tyre, Malyuta, 35 vjeçe, mbërriti në kryeqytetin çek nëpërmjet Polonisë disa ditë më parë me dy djemtë e saj, njëri 10 vjeç, tjetri 15 vjeç.
"Ata janë në kontakt me miqtë e tyre në shtëpi, të cilët u tregojnë se sa me fat ishin që u larguan në kohë", thotë Malyuta, duke pyetur veten se kur do të kthehen në shkollë.
"Ku do të studiojnë? Çfarë të ardhme do të kenë", pyet ajo, duke shtuar se pavarësisht vështirësive, është mirënjohëse që ndodhet në Pragë.
"Është shkëlqyeshëm. Ne po flemë në shtretër! Gjatë tre ditëve të para të pushtimit ne fjetëm në bodrumin e ndërtesës sonë, duke u shqetësuar nëse do të bombardohej," thotë ajo, duke vënë në dukje se Zdolbuniv është vetëm 160 kilometra në jug të Bjellorusisë. Udhëheqësi autoritar, Alyaksandr Lukashenka, ka lejuar që vendi i tij të përdoret si pikënisje për sulmin rus.
Një grua tjetër që qëndron në konvikt, Lyubov Padskai, një pensioniste nga Mukachevo në perëndim të Ukrainës, thotë se ajo iku e vetme më 25 shkurt, një ditë pasi filloi sulmi rus.
"Ata po thoshin se Ukraina do të binte brenda dy ditësh. Kishte dronë dhe avionë që tashmë gumëzhinin në ajër pak para se të dilnim", thotë Padskai, duke shtuar se asaj iu deshën pesë ditë për të udhëtuar, pjesërisht në këmbë, por më në fund arriti në kryeqytetin çek.
Si të gjithë të intervistuarit nga Radio Evropa e Lirë, Padskai, 68 vjeçe, nuk ka asnjë mendim të keq për popullin e Rusisë, duke e hedhur fajin për tragjedinë në këmbët e Putinit.
"Ata janë njerëz të thjeshtë. Ata nuk mund të fajësohen për atë që po ndodh dhe nëse protestojnë, futen në burg", thotë Padskai.
Më shumë se 7600 persona janë arrestuar në 121 qytete në Rusi që nga fillimi i sulmit rus më 24 shkurt, sipas të dhënave të mbledhura nga organizata e të drejtave të njeriut OVD-Info.
Pesëdhjetë vjeçja Vitaliya Sichova u largua nga Mukachevo me dy vajzat e saj menjëherë pas fillimit të pushtimit.
Dy vajzat, gjashtë dhe tetë vjeç, thotë Sichova, janë traumatizuar.
"Ato janë të frikësuara. Nuk duan as të dalin jashtë. Nuk di çfarë të bëj", thotë Sichova me zërin që i dridhej.
Ashtu si gratë e tjera, Sichova po lufton që të pajtohet me gjithçka që ka ndodhur dhe çfarë mund të ndodhë në të ardhmen.
"Unë nuk dua të jem refugjate", thotë Sichova, e cila ishte një agjente për sigurim të automjeteve vetëm disa javë më parë.
"Dua të punoj, dua të shkoj në shtëpi".