Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është kritikuar ashpër për përgjigjen e saj ndaj pandemisë së koronavirusit, e cila ka vrarë mbi 200,000 njerëz në gjithë botën.
Megjithatë, disa kanë nxituar të dalin në mbrojtje të saj, duke thënë se kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara nuk ka qenë kurrë e pajisur ose e paraparë të jetë mbikëqyrëse e transparencës.
Derisa bota po torturohet nga shpërthimi i COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi, a duhet kthyer sytë kah OBSH-ja?
Kritikat e ashpra
Kritikat udhëhiqen nga Shtetet e Bashkuara, të cilat, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, kanë regjistruar katër herë më shumë të infektuar dhe dy herë më shumë viktima sesa vendi i dytë në listë – Spanja.
Përse numrat nuk e tregojnë rrëfimin e plotë?
Përpilimi ditor që bën Universiteti Johns Hopkins për rastet globale me koronavirus është aktualisht më gjithëpërfshirësi në botë, por mbështetet në informacione që ofrojnë qeveritë.
Në shumë vende ka kufizime të informacioneve të tilla ose arsye përse nuk publikohet rrëfimi i plotë.
Metodologjia, shpejtësia, transparenca dhe cilësia e këtyre të dhënave mund të dallojë shumë nga vendi në vend.
Sipas Uashingtonit, OBSH-ja ka qenë e ngadalshme në përgjigjen ndaj emergjencës shëndetësore, ka lavdëruar Kinën kur është dashur ta qortojë atë dhe ka bashkëpunuar me Pekinin në nënvlerësimin e shkallës së shpërthimit të sëmundjes, duke kontribuar kështu në përhapjen e saj.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se OBSH-ja “ka qenë e përqendruar rreth Kinës” dhe se Kina duhet të përballet me pasoja nëse ka qenë “me vetëdije përgjegjëse” për pandeminë. Trump ka pezulluar fondet, në vlerë prej 400 milionë dollarësh, për OBSH-në.
Kjo ka bërë që organizata të humbë financuesin e saj më të madh.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se trupi rregullator i OBSH-së “ka dështuar qartazi” t’i mbajë vendet anëtare përgjegjëse ndaj obligimeve të tyre.
Pompeo ka thënë më 22 prill se OBSH-ja ka “dy funksione kryesore”: të rregullatorit dhe të këshilluesit, si dhe të jetë në krye të “operacionit të urgjencës shëndetësore dhe të ndihmës humanitare”.
Për më tepër, ka shtuar Pompeo, organizata “ka dështuar qartazi” të zbatojë kërkesat e përcaktuara në Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit, që kanë hyrë në fuqi në vitin 2007 dhe që kërkojnë nga vendet anëtare t’i sigurojnë OBSH-së "informacion në kohë, të saktë dhe mjaft të hollësishëm për shëndetin publik".
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
OBSH-ja, zbatuese?
Mbrojtësit e OBSH-së thonë se kritikat nuk janë të drejta ose faktike.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Samantha Power, ka thënë se ideja se OBSH-ja është “krah i reagimit të shpejtë” është “keqkuptim i asaj që është”.
“Është ekspertizë teknike. Ajo mbledh të dhëna nga e gjithë bota për të shpallur epidemi ose pandemi”, ka thënë Power, e cila ka shërbyer gjatë presidencës së Barack Obamës.
“Pra, është një sistem alarmi, më shumë se një sistem i reagimit”, ka thënë ajo.
Lawrence Gostin, drejtor i Qendrës për Ligjin e Shëndetit Global, pranë OBSH-së, dhe profesor në Universitetin Georgetown, e ka mbrojtur organizatën kundër pretendimeve të Trumpit dhe ka shpjeguar rolin e saj.
Gostin ka thënë më 9 prill se “është shumë e drejtë të thuhet se Kina nuk ka qenë plotësisht transparente” dhe se Kina “është vonuar me disa javë, e ndoshta edhe një muaj ose më shumë” për të raportuar tek OBSH-ja kalimin e koronavirusit nga kafsha te njeriu.
Por, ai ka thënë se ky nuk është faji i OBSH-së, por i Kinës.
SHIKONI EDHE: A i ka dhënë Kina vërtet fund krizës me koronavirus?Sipas tij, OBSH-ja e ka njoftuar menjëherë popullsinë e botës.
Gostin po ashtu i ka hedhur poshtë akuzat se OBSH-ja nuk e ka shpallur shpejt gjendjen e emergjencës, duke thënë se ky sugjerim është “faktikisht i gabuar”.
OBSH-ja "ka shpallur urgjencë të shëndetit publik shumë shpejt pasi u raportuan rastet e para të COVID-19", ka thënë Gostin, duke iu referuar vendimit të 30 janarit, të marrë pasi janë zbuluar mijëra raste të reja në Kinë.
Sipas tij, njerëzit gabojnë në ngatërrimin e shpalljes me etiketimin e shpërthimit si pandemi. Shpallja e pandemisë është bërë më 12 mars, por në fakt “nuk ka pasur asnjë rëndësi ligjore”, ka thënë Gostin.
“Në fakt, OBSH-ja nuk ka fuqi për të shpallur një pandemi, ajo jep opinionin e saj. Ajo që bëri bëri, ishte ushtrimi i të gjitha fuqive që kishte”, ka thënë Gostin.
Jo aq e fuqishme?
Këto kompetenca nuk janë ndoshta shumë të fuqishme.
“OBSH-ja do të duhej të ishte më skpetike ndaj asaj që i ka thënë Kina, por ajo është plotësisht në mëshirën e asaj që ofrojnë qeveritë”, ka thënë për gazetën Washington Post Daniel Speigel, ish-ambasador i SHBA-së në OKB, i cili ka shërbyer gjatë administratës së Bill Clintonit.
"Ajo nuk ka kapacitete të inteligjencës dhe asnjë fuqi hetimore", ka shtuar ai.
E themeluar në vitin 1948, pas Luftës së Dytë Botërore, OBSH-ja ka pasur për qëllim promovimin e shëndetit global dhe mbrojtjen kundër sëmundjeve infektive, të tilla si kolera dhe poliomeliti. Por, ajo nuk ka autoritet të vërtetë të pavarur, thonë ekspertët, dhe për financat është plotësisht e varur nga 194 vendet e saj anëtare dhe entitetet private.
Gostin e ka krahasuar buxhetin vjetor të OBSH-së me atë të një “spitali të madh amerikan” dhe ka thënë se shuma – e cila ka kapur vlerën e 4.4 miliardë dollarëve në periudhën 2018-2019 – “nuk është fare në përpjestim me përgjegjësitë e saj globale”.
Fuqitë më të mëdha të botës, përfshirë Kinën, e cila, sipas Gostinit, i ka dhënë OBSH-së “vetëm lëmoshë”, e kanë financuar pak organizatën. Për më tepër, sipas tij, organizata është përgjegjëse për jo më shumë se 25 për qind të buxhetit të saj, sepse shumë nga fondet sigurohen me kusht që ato të përdoren për një qëllim specifik.
Gostin ka bërë thirrje që fondet e OBSH-së të bëhen të detyrueshme nga vendet, sipas ligjit ndërkombëtar.
“Nëse nuk do ta kishim, do të duhej ta shpiknim”, ka thënë Gostin, duke iu referuar OBSH-së.