Qeveria e Kosovës, me në krye kryeministrin Albin Kurti, miratoi të mërkurën vendimin për mundësinë e riregjistrimit të veturave me targat e qyteteve në Kosovë - të cilat i lëshojnë autoritetet e Serbisë - në RKS (Republika e Kosovës).
Bëhet fjalë për veturat me targat PR (Prishtinë), GL (Gjilan), PZ (Prizren), KM (Mitrovicë e Kosovës) e kështu me radhë.
Targat e tilla janë hequr në zonat e populluara me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër në vitin 2011, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes.
Por, në komunat në veri të Kosovës, ku shumica e popullsisë janë serbë, ka vazhduar ngasja e makinave me targa KM, të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë - gjë që ka qenë në kundërshtim me marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel.
Në shtator të vitit të kaluar, Kosova ka vendosur masa reciproke ndaj automjeteve me targa të Serbisë, që kanë hyrë në Kosovë, duke u kërkuar të vendosin targa të përkohshme gjatë lëvizjes në territorin e vendit.
Kjo masë ka çuar në përshkallëzim të situatës në veri të Kosovës, ku pjesëtarë të komunitetit serb i kanë mbajtur të bllokuara vendkalimet kufitare për dy javë.
Nga arkivi i REL-it: 13 ditët e bllokadës në veri
Your browser doesn’t support HTML5
Më pas, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje të përkohshme për mbulimin e simboleve shtetërore në targa me letra ngjitëse të bardha.
Marrë parasysh se ende nuk është gjetur zgjidhje përfundimtare, regjimi me letra ngjitëse mbetet në fuqi.
Deri më tani, letrat e bardha janë ngjitur edhe në targat KM.
SHIKONI EDHE: Letrat ngjitëse "arnojnë" marrëveshjen për targatNë deklaratën e Qeverisë së Kosovës, të lëshuar më 29 qershor, sqarohet se riregjistrimi i këtyre veturave do të fillojë më 1 gusht dhe do të zgjasë deri më 30 shtator.
“Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi”, thuhet në deklaratë.
Aty, po ashtu, theksohet se riregjistrimi i veturave me targat e përmendura, nuk do të jetë i mundur pas afatit.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të mërkurën, u miratua edhe udhëzimi për kalimin e pikave kufitare me dokumente personale, të lëshuara nga autoritetet serbe.
Sipas tij, të gjithë ata persona që kanë dokumente personale të lëshuara nga autoritetet serbe, me të hyrë në territorin e Kosovës, do të marrin një certifikatë që i zëvendëson ato dokumente.
Përndryshe, të gjithë qytetarët e Kosovës që hyjnë në territorin e Serbisë, marrin një certifikatë që i zëvendëson dokumentet e tyre personale.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se përgjigjja e Serbisë ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës do të jetë e matur.
“Ne nuk do të ndërmarrim veprime ushtarake, por kërkojmë që të mos ua marrin pronat njerëzve dhe të mos i dëbojnë”, tha ai.
Vuçiq, po ashtu, tha se Serbia është e gatshme për dialog, por, sipas tij, pala kosovare nuk është.
“Pala tjetër nuk dëshiron zgjidhje kompromisi, por vetëm do që ne të pajtohemi me atë që ajo vendos”, tha Vuçiq, duke shtuar se Kosova e ka mbështetjen e Perëndimit për veprimet e saj.
SHIKONI EDHE: Vuçiq: Dialog me Kosovën nuk kaNdaj vendimit të Qeverisë së Kosovës reagoi edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, duke thënë se “Albin Kurti po i kërcënon me luftë serbët në Kosovë”.
“Vendimi i institucioneve në Prishtinë për ndalimin e letërnjoftimeve serbe dhe - pas datës 30 shtator - për të hequr vlefshmërinë e targave me emrat e qyteteve serbe: KM, GL, PR, UR e të tjera, me paralajmërimin se pas këtij afati, këto automjete do të konfiskohen, është një goditje e drejtpërdrejtë mbi të gjithë serbët, si në jug, e sidomos në veri të Ibrit", thuhet në deklaratën e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.