“Ringjallja” e Ferronikelit

Një punëtor duke punuar në uzinën e minierave dhe shkrirjes në Ferronikel. Fotografi nga arkivi.

Kompleksi Metalurgjik Ferronikeli po i nënshtrohet procesit të rimëkëmbjes për herë të tretë brenda më pak se 20 vjetëve.

Së pari, sfidë më vete për Ferronikelin ishte transformimi nga një ndërmarrje shoqërore në private dhe së dyti, problemet financiare që çuan deri te ndërrimi i pronarit që e kishte privatizuar atë.

Kompleksi përfshin një fabrikë të prodhimit të nikelit, si dhe depozitat potencialisht të pasura me minerale, ndër sipërfaqet e peisazheve përreth fabrikës.

Ferronikeli, dikur një prej gjigantëve ekonomikë të Kosovës, ka rënë tani “në duart” e një pronari të ri.

Punëtorët e këtij kompleksi, që ndodhet në Drenas, shpresojnë se pronari i ri do ta ringjallë këtë ndërmarrje duke e rikthyer prodhimin me kapacitet të plotë dhe shlyerjen e borxheve financiare që ka kompania.

Kjo kompani ka ndërprerë prodhimin në muajin prill të këtij viti për shkak të problemeve financiare.

Kompania për përpunimin e nikelit në Drenas, Ferronikeli, është privatizuar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit në vitin 2006, me anë të metodës së spin-offit special, nga kompania britanike “Alferon”, kompani kjo menaxhuese, por pronar i Ferronikelit deri para tri ditësh ka qenë kompania ndërkombëtare “Cunico Resources”.

Një vit pas privatizimit, aty kishte filluar prodhimi në kompleksin e quajtur, “New Co Ferronikeli ”.

Ndërkaq, më 23 korrik, në një njoftim të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, thuhet se “është marrë vendimi që kompania ‘NKL Limitet’, me qendër në Londër të kontrollojë 100 për qind të aksioneve të kompanisë industriale”.

Pjesë e kësaj kompanie është Grupi “Balfin” nga Shqipëria, grup ky që ka njoftuar se do zotërojë aksionet e “New Ferronikelit” përmes kompanisë “NKL Limited” dhe është zotuar se do të investojë menjëherë fonde të mjaftueshme për të rikthyer prodhimin me kapacitet të plotë brenda muajit gusht.

Këto zotime i kanë kthyer shpresat edhe te 800 punëtorët e Ferronikelit, të cilëve pronari i vjetër u ka mbetur borxh një pagë e gjysmë.

Përfaqësues të Sindikatës së Punëtorëve, tregojnë se të martën kanë pasur takim me pronarët e rinj të Grupit “Balfin” dhe “NKL Limited”, të cilët kanë premtuar shlyerjen e borxheve si dhe investime në kompani.

Fehmi Nika, kryetar i Sindikatës se Punëtorëve tha për Radion Evropa e Lirë, se pas takimit, pronari i ri ka paguar një pagë, kurse për gjysmën e pagës së mbetur borxh nga kompania, ai është zotuar se do të paguhet brenda 15 ditësh.

“Pronari i ri ka premtuar investime të nevojshme për Ferronikelin. Ndërkaq ka premtuar se prej një deri në tri javë do të rifillojë prodhimi”, tha Nika.

Ferronikel, dhjetor, 2016.

Nga situata e krijuar në gjigantin e prodhimit të nikelit, kanë pësuar edhe kompanitë private dhe punëtorët e kontraktuar për punë në terren. Një nga to është kompania “Dino Company”, e cila ka pasur kontratë me Ferronikelin.

Drejtori financiar i kësaj kompanie, Sabedin Salihu, për Radion Evropa e Lirë tregon se nga nëntori i vitit të kaluar nuk janë duke punuar. Ai tha se ishte shtrënguar që t’u ndërronte vendin e punës 110 punëtorëve që kanë qenë të përfshirë në këtë kontratë.

Salihu thotë se Ferronikeli nuk i ka përfunduar të gjitha obligimet financiare ndaj kësaj kompanie, ndonëse nuk tregon për ndonjë shumë konkrete.

“Kemi biseduar më drejtorin e kaluar, kemi arritur marrëveshje që të rifillojmë punën dhe të shlyhen borxhet”, thotë Salihu.

Edhe në komunikatën e lëshuar për media nga Grupi “Balfin”, thuhet se do të investohen menjëherë fonde të mjaftueshme për ta rivënë në punë uzinën dhe për ta rikthyer prodhimin me kapacitet të plotë brenda muajit gusht. Po ashtu, në marrëveshjen e arritur, Grupi “Balfin” ka rënë dakord që të paguajë borxhet ekzistuese të kompanisë ndaj furnitorëve sa më shpejtë që të jetë e mundur, si dhe të paguajë pagat e pashlyera të punëtorëve.

Kompania e re ka planifikuar të kryejë investime shtesë në “New Co Ferronikeli”, në mënyrë që potenciali i sektorit minerar në Shqipëri dhe Kosovë të mund të vihet në përdorim të plotë dhe për ta rritur prodhimin e nikelit nga 7200 tonë në vit, në mbi 10 000 tonë në vit.

Ferronikeli më 2006 ishte shitur për 30.5 milionë euro. Kurse zotimet e blerësit privat kanë qenë për 20 milionë euro investime në 3 vjetët e para. Blerësi i ndërmarrjes, kishte përmbushur dhe tejkaluar zotimet për investime dhe punësim, dhe pas kësaj bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në vitin 2009, kishte vendosur që këtë ndërmarrje ta lirojë nga monitorimi dhe raportimi i mëtutjeshëm për investime dhe punësim.