Duke pritur të papriturën në Afganistan

Forcat speciale talibane Badri në aeroportin e Kabulit, më 31 gusht, 2021.

Rikthimi befasues i talibanëve në pushtet mund të mos ishte gjëja që pritej kur filloi ky vit. Por, kur bëhet fjalë për Afganistanin, 2021-shi ishte viti kur pritej e papritura.

Planet për tërheqjen e rregullt të trupave të huaja u prishën pasi Qeveria afgane, e mbështetur nga Perëndimi dhe forcat e saj të sigurisë, u përmbys nga sulmet e ashpra të talibanëve.

Marrja e pushtetit nga talibanët, më 15 gusht, shënoi fundin e pranisë së huaj në Afganistan, për gati 20 vjet.

Talibanët pushtuan kryeqytetin e parë provincial më 6 gusht. Dy javë më vonë, ata arritën në dyert e Kabulit.

Pasi rrethuan kryeqytetin, presidenti afgan, Ashraf Ghani, u largua nga vendi. Disa orë më vonë, talibanët morën kontrollin e pallatit presidencial.

Luftëtarët talibanë brenda pallatit presidencial në Kabul, më 15 gusht, 2021.

Në kërkim të shpresës

Menjëherë pas, mijëra të huaj dhe civilë afganë u nisën drejt aeroportit të Kabulit - bastionit të fundit të kontrolluar nga forcat e huaja - me shpresën se do të evakuoheshin nga Afganistani.

Shumë prej tyre u penguan nga talibanët, ndërsa të tjerë u panë duke u kapur për një avion mallrash që do të fluturonte drejt SHBA-së dhe pësuan për vdekje.

Afganët duke vrapuar pas një aeroplani amerikan të mallrave, më 16 gusht, 2021.

Pas dy javësh kaosi - të shoqëruar nga një sulm i madh vdekjeprurës, të cilin e kreu Shteti Islamik-Khorasan (IS-K) - ushtari i fundit amerikan u largua me avion nga Afganistani më 30 gusht.

Pas largimit të forcave të huaja, talibanët bënë xhiron e fitores me automjetet ushtarake të SHBA-së dhe të Ushtrisë Kombëtare të Afganistanit.

Shumë luftëtarë talibanë veshën shpejt uniformat dhe trashëguan pajisjet moderne të armiqve të tyre, përfshirë syze për shikim gjatë natës, instrumente komunikimi dhe pushkë sulmi.

Udhëheqja e talibanëve, ndërkohë, u përpoq ta portretizojë veten si më të moderuar, krahasuar me sundimin e saj të mëparshëm.

Gjatë sundimit në vitet 1996-2001, talibanët u shquan për brutalitet dhe interpretim të rreptë të Ligjit islamik të Sheriatit.

Pas rikthimit të tyre në pushtet, Uashingtoni kërkoi nga ta garanci se nuk do të lejojnë që Afganistani të bëhet strehë e sigurt për terroristët dhe se ata do t’i ruajnë të drejtat e grave dhe vajzave, si dhe të pakicave fetare dhe etnike.

Delegatët talibanë gjatë udhëtimit për në Doha të Katarit, për bisedime me zyrtarët amerikanë. Tetor, 2021.

Linjat e paqarta të autoritetit

Që nga shpallja e Qeverisë së tyre në detyrë, në fund të gushtit, talibanët kanë qenë pak transparentë në lidhje me përfshirjen e disa figurave të fuqishme në radhët e saj, përfshirë liderin shpirtëror, Haibatullah Akhundzada.

Talibanët kanë thënë se Akhundzada ka bërë një paraqitje publike në tetor, por asnjë video apo fotografi nga kjo ngjarje nuk është shfaqur - gjë që ka nxitur raporte se ai mund të ketë vdekur një vit më parë.

SHIKONI EDHE: Qeveria ‘Mullahkratike’ e talibanëve

Grupi militant po ashtu ka ndërmarrë hapa për të fshehur imazhet e figurave të tjera të Qeverisë, përfshirë ministrin e Brendshëm në detyrë, Sirajuddin Haqqani.

Detyrat monumentale

Me kthimin e militantëve erdhi edhe ironia se ata do të jenë roje të historisë kulturore, të cilën kanë tentuar ta fshijnë gjatë sundimit në vitet ’90.

Në dhjetor, talibanët njoftuan se Muzeu Kombëtar i Afganistanit në Kabul, ku luftëtarët e tyre dikur shkatërruan thesare të pazëvendësueshme historike, do të hapet për vizitorë.

Talibanët përpara vendit ku dikur ishte statuja e Budës Shahmama, përpara se të shkatërrohej nga militantët në mars të vitit 2001, në provincën Bamijan.

Talibanët gjithashtu thanë se do të ruajnë kopshtin zoologjik të Kabulit.

Mbikëqyrësit e të drejtave të kafshëve, si Wild Welfare në Mbretërinë e Bashkuar, shprehën shqetësime për fatin e objektit nën talibanët, por zyrtarët e kopshtit zoologjik ofruan garanci për Radion Evropa e Lirë se kafshët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe thanë se kanë plane për zgjerimin e kopshtit.

Nën regjimin e mëparshëm taliban, gratë nuk janë lejuar të luajnë sporte, ndërsa pjesëmarrja e burrave në to është kontrolluar rreptësisht.

Sportet e njohura, si kriketi, futbolli dhe buzkashi, janë ndaluar me arsyetimin se ato “nuk janë islamike” dhe fushat e lojës shpesh janë përdorur për të organizuar ekzekutime publike.

Një luftëtar taliban duke vëzhguar spektatorët në një ndeshje kriketi në Kabul. Shtator, 2021.

Atletët bënë përpjekje të largohen nga Afganistani pas kthimit të talibanëve në pushtet. Udhëheqja e re tha se “nuk është e nevojshme” që gratë të luajnë sporte, por shtoi se është e gatshme t’i lejojë burrat të luajnë.

Shqetësimet se talibanët do t’i kufizojnë të drejtat e grave, që ushtroheshin gjatë 20 vjetëve të fundit, shkaktuan protesta të përditshme, menjëherë pas marrjes së pushtetit nga grupi militant.

Demonstratat publike për të drejtat e grave në shkollim, punë dhe përfaqësim politik vazhduan kohë pas kohe, me gjithë ndalesat e talibanëve për mitingje të paligjshme.

Protestueset pro-talibane dolën gjithashtu në rrugë. Shumë prej tyre të veshura me veshje konservatore.

Regjimi i mëparshëm i talibanëve ndaloi edhe muzikën dhe kjo bëri që shumë muzikantë të largohen nga vendi, pas rikthimit të tyre në pushtet.

Studentët nga Instituti Kombëtar i Muzikës në Afganistan, që u larguan nga vendi i tyre, duke bërë stërvitje për një koncert në Katar. Tetor, 2021.

Zyrtarët e tashëm kanë qenë kryesisht të heshtur për këtë temë, por ka pasur raporte për muzikantë të keqtrajtuar dhe instrumente të shkatërruara.

Himni kombëtar i Afganistanit, i miratuar në vitin 2006, po ashtu duket se është zëvendësuar me himne fetare, pa instrumente, të njohura në mesin e talibanëve.

Përgatiti: Valona Tela