Riintegrimi i të kthyerve nga luftërat e huaja eviton përsëritjen e veprës

Kampi al-Hol në Siri. Fotografi nga arkivi.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut po punon në forcimin e kapaciteteve dhe sigurimin e ndihmave në aspektin psikologjik dhe social për riintegrimin e personave të kthyer nga luftërat e huaja, kryesisht nga Siria, Iraku dhe Afganistani. Nga qeveria thonë se fushata përfshin të gjitha institucionet si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror, përfshirë dhe komunikimin mes bashkësive fetare.

“Në përputhje me Planin nacional dhe procedurat për riintegrim, risocializim dhe rehabilitim të luftëtarëve të kthyer nga ushtritë e huaja dhe anëtarët e familjeve të tyre, të miratuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, nga ana Zyrës së koordinatorit nacional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftë kundër terrorizmit, këta persona janë në trajtim institucional në drejtim të rehabilitimit të tyre, risocializimit dhe riintegrimit”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Maqedonia e Veriut, thuhet në njoftim, “respekton dhe zbaton detyrimet sipas të drejtës ndërkombëtare, të drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të drejtës ndërkombëtare humanitare, standardeve dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që sigurojnë mbrojtjen e identitetit të kësaj kategorie të qytetarëve tanë”.

SHIKONI EDHE: Maqedonia e Veriut riatdheson 23 shtetas nga Siria dhe Iraku

Qeveria të dielën njoftoi për kthimin në vend të 23 shtetasve të saj nga zonat e luftimeve në Siri dhe Irak. Sipas njoftimit të Qeverisë maqedonase, “katër prej tyre kanë marrë pjesë ne luftime përkrah grupit militant, Shteti Islamik (IS), ndërsa personat e tjerë janë pesë gra dhe 14 fëmijë”.

Burrat, për të cilët ka prova se kanë marrë pjesë në luftime, u dërguan menjëherë në burg, ndërsa gratë dhe fëmijët janë futur në një karantinë 14-ditore.

“Nëse nuk provohet se kanë marrë pjesë në luftime, do të fillojë procesi i rehabilitimit, risocializimit dhe riintegrimit të tyre në komunitet”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Se institucionet duhet të punojnë për risocializimin dhe riintegrimin e këtyre personave të kthyer luftimet jashtë vendit flet edhe Samet Shabani, drejtues i organizatës joqeveritare “Horizon-Civitas”.

Kjo shoqatë, tani e tre vjet, punon në integrimin e tyre përmes një bashkëpunimi me qeverinë, por edhe institucione tjera, përfshirë qendrat sociale.

“Ne kemi qenë si një urë lidhëse mes familjeve dhe institucioneve. Mund të them se deri më tani qendra për punë sociale ka treguar një punë të mirë, duke realizuar kontakte të drejtpërdrejta dhe duke i adresuar disa probleme të vogla që i preokupojnë çdo ditë këto familje. Por, gjithsesi se këto janë vetëm disa hapa pasi mbetet që më tutje të ketë një implementim sa më strategjik dhe efektiv në periudhën e ardhshme me rikthimin e të gjithëve nga zonat e luftimeve. Konsideroj se ideja e riintegrimit është që këtyre personave t’iu jepet një mundësi e re për një rikthim sa më të mirë dhe një jetë sa më cilësore në vendlindje”, thotë Shabani.

SHIKONI EDHE: Shkup: 45 vjet burgim për pjesëmarrje në luftërat e huaja

Afrodita Musliu, kryetare e organizatës joqeveritare “NEXSUS-Koncepti Qytetar”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se vetëm vuajtja e dënimit me burg nuk mjafton për këta persona, pasi ata sërish mund të përfshihen në veprimtari të jashtëligjshme andaj institucionet duhet të punojnë për deradikalizmin e tyre në burgje përmes programeve të ndryshme.

“Nëse nuk kem një program të përshtatshëm për rehabilitim, risocializim dhe riintegrim, rreziku është i madh që ata të përsërisin veprën. Ky proces duhet të fillojë që në burg dhe të vazhdojë kur ata të kthehen në zonat e tyre brenda komunitetit. Që do të thotë që komunat, komunitetet, qendrat ndër-komunale për punë sociale duhet të përgatiten dhe të dinë se si të veprojnë me këtë kategori njerëzish. Nëse shteti nuk përpiqet t’i ndihmojë në njëfarë mënyre, ata do të ndihen sikur nuk janë pjesë e kësaj shoqërie dhe si rrjedhojë rreziku i përsëritjes së veprës është i madh”, tha Musliu.

Operacioni i fundit për rikthimin e 23 personave në luftërat jashtë vendit u krye me ndihmën e Ambasadës amerikane në Shkup, bazuar në detyrimet e vendit sipas ligjit ndërkombëtar, standardeve dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në zonat e luftimeve në Siri dhe Irak edhe më parë janë riatdhesuar shtetas të Maqedonisë së Veriut. Në gusht 2018 ishin kthyer shtatë persona, në shkurt të vitit të kaluar një person dhe në mars të vitit të kaluar tri gra.

Në mars të vitit 2019 Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar me 45 vjet burgim shtatë shtetasit e Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë marrë pjesë në formacionet paraushtarake të IS-it.

Të gjithë të dënuarit gjatë procesit gjyqësor kishin pranuar se kanë kryer veprën penale: “Pjesëmarrje në formacione paraushtarake dhe parapolicore dhe organizata terroriste”.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, rreth 150 shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë marrë pjesë në luftërat në Siri dhe Irak, si pjesëtarë të forcave paraushtarake. Deri tani rreth 100 prej tyre janë kthyer në shtet, për 50 persona të tjerë nuk dihet nëse janë gjallë apo nëse vazhdojnë të jenë të përfshirë në luftime.