Prokuroria kërkon rigjykim për rastin “Monstra”

Të pandehurit në rastin "Monstra" dhe avokatët e tyre mbrojtës gjatë një seance publike në Gjykatën Supreme gjatë muajit maj

Prokuroria e Maqedonisë ka kërkuar nga Gjykata Supreme rigjykim për rastin “Monstra” që ka të bëjë me dënimin e gjashtë shqiptarëve me burg të përjetshëm. Ankesa në Gjykatën e Lartë është paraqitur nga pala mbrojtëse për shpalljen e pafajësisë së personave të dënuar për vrasjen e gjashtë maqedonasve në prill të vitit 2012, në vendin e quajtur Liqeni Smillkovës afër Shkupit.

Prokurorja e lëndës, Liljana Spasovska ka thënë se për shkak të fakteve të reja, ka propozuar që vendimet e shkallës së parë të anulohen dhe të nisë hetimi i ri për këtë rast.

Për shkak të fakteve të reja, propozoj që të anulohen vendimet e shkallës së parë dhe të Apelit dhe të fillon hetim i ri, duke pasur parasysh faktet e palës mbrojtëse. Faktet duhet vlerësuar në mënyrë të drejtë. Duhet pasur parasysh edhe dyshimet se për veprën në fjalë ekzistojnë edhe përgjime, gjë që problematizon vendimin aktual për këtë rast. Hetimi i ri duhet të argumentojë me fakte çdo konstatim të Prokurorisë Publike në aktakuzë”, ka deklaruar prokurorja Spasovska në një seancë të hapur të Gjykatës Supreme.

Avokatët e rastit besojnë se kjo kërkesë e Prokurorisë së shpejti do të nxjerrë në sipërfaqe të vërtetën për rastin “Monstra”.

Besojmë se e vërteta po del në sipërfaqe pasi kemi të bëjnë me rast të montuar për të cilin po flasim me dëshmi tani disa vite. Këta persona duhet të menjëherë të lirohen nga burgu apo të zhvillohen një procesi i ri ku do të shpallej pafajësia e tyre”, ka deklaruar avokati Naser Raufi.

Edhe avokatja e familjarëve të dëmtuar ka kërkuara drejtësi. Dafinka Ivanovska tha se “askush nuk dëshiron që të burgje të mbahen persona të pafajshëm. Duhet të gjenden autorët e vërtetë të krimit, kush do qofshin ata”.

Rasti i koduar si “Monstra” për shkak të natyrës së vrasjes së pesë të rinjve maqedon, ka nxitur reagime të shumta si protesta e trazira para institucioneve të drejtësisë.

Të arrestuarit për këtë rast në vazhdimësi janë deklaruar të pafajshëm, ndërsa një këshill i themeluar për mbrojtjen e tyre pretendon se rasti është i sajuar për qëllime politike të Qeverisë së kaluar, apo shpërqendrimin e vëmendjes nga probleme tjera aktuale.

Se të dënuarit janë të pafajshëm disa herë e kishte deklaruar edhe lideri i opozitës së atëhershme, Zoran Zaev, kryeministër i tanishëm i Maqedonisë. Ai në disa paraqitje kishte premtuar se do të bëjë çmos që përmes institucioneve të drejtësisë do të zbardhë të vërtetën për vrasjen në Smillkovcë.

Katër nga të dënuarit për këtë rast po vuajnë dënimin në burgun e Shkupit, ndërsa dy të tjerë po ashtu të dënuar me burg të përjetshëm ndodhen në arrati. Institucionet e kishin kërkuar ekstradimin e tyre nga Kosova, ku besohet se ndodhen, por një gjë e tillë është refuzuar nga institucionet e Prishtinës për shkak të dyshimeve mbi tërë procesin gjyqësor.

Zbardhjen e këtij rasti në vazhdimësi e kanë kërkuar edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.