Grenell: Kosova ta heqë taksën, Serbia ta ndalë fushatën kundër njohjeve

Your browser doesn’t support HTML5

Kosova dhe Serbia duhet ta shfrytëzojnë mundësinë e arritjes së marrëveshjes, ka deklaruar i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, ambasadori Richard Grenell. Këto komente, Grenell i bëri në Beograd ku ka nisur pjesën e dytë të vizitës së tij në rajon, pas qëndrimit në Prishtinë, ku transmetoi mesazhin për heqjen e taksës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia, ndërkohë që Beogradit i kërkoi të ndalë fushatën e çnjohjes së shtetit të Kosovës.

“Po ndjej një energji të mirë nga të dy anët (Kosovë e Serbi), por presidenti Donald Trump nuk do të me lejojë të punojë gjatë në këtë çështje nëse nuk ka ndonjë përparim”, ka deklaruar ambasadori Richard Grenell me të mbërritur në Beograd.

“Ne nuk duam të shpenzojmë kohën tonë”, tha ai, i pyetur nga REL se kur pret SHBA-ja që të arrihet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, marrë parasysh që dialogu në Bruksel, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian është ndërprerë për më gjatë se 14 muaj.

Ai tha se SHBA nuk ka ndonjë ide të veçantë të cilën do t’ua shpalosë autoriteteve në Beograd, por se qëllimi i tij është që “të dy palët t’i shtyjë, përafrojë kah njëra tjetra”.

Ambasadori Grenell tha se i inkurajon si Prishtinën ashtu edhe Beogradin që të mos shikojnë prapa, por kah e ardhmja.

“Mendoj se kemi një kohë të shkurtër dhe duhet shfrytëzuar rasti dhe me të vërtetë besoj që si serbët ashtu edhe populli i Kosovës do ta shfrytëzojnë këtë mundësi”, ka thënë ai.

Gjatë paradites, Grenell tha në Prishtinë se Kosova duhet ta heqë tarifën 100 për qind, kurse Serbia të ndalë fushatën kundër njohjeve të Kosovës. Këto komente ai i bëri pas takimit që zhvilloi me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i mandatuar për formimin e qeverisë së re.

Ambasadori Grenell tha se pret që Kurti të formojë qeverinë dhe të përqendrohet në zhvillimin ekonomik të vendit. Kurse mesazh i veçantë ishte që taksa 100 për qind të cilën Kosova u ka vendosur importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, që nga nëntori i vitit 2018, duhet të hiqet.

“Është shumë e rëndësishme që nëse duam përparime në zhvillimin ekonomik, tarifa 100 për qind duhet të hiqet. Kjo është diçka që duhet të hiqet në të njëjtën kohë që Serbia duhet të ndalë fushatën kundër njohjeve të Kosovës”, tha ambasadori Grenell.

Takimi me Kurtin

Ambasadori Grenell tha se çështja e formimit të qeverisë nuk është problem i tij dhe nuk dëshiron që të përzihet në këtë punë.

“Ne po e shikojmë këtë çështje nga jashtë, por do të them dy gjëra. E para, i thash zotit Kurti se shtetet si Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, kanë pasur përplasje për koalicionet (qeverisëse), teksa kanë tentuar që të formojnë qeverinë. Prandaj, i thash atij se ne po presim të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Grenell.

“Gjëja e dytë që dëshiroj ta bëj të qartë është se shtytja ekonomike që unë dua ta bëj është shumë e rëndësishme. Krijimi i vendeve të punës, sjellja e bizneseve evropiane dhe amerikane në Kosovë. Njerëzit janë të uritur që të futen (v.j. në tregun e Kosovës) dhe që të ndihmojnë që ekonomia e Kosovës të rritet”, tha ai.

SHIKONI EDHE: Zhgënjim me zvarritjet rreth formimit të qeverisë

Lideri i Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një postimi në Twitter tha se me ambasadorin Grenell kanë biseduar për zhvillimin ekonomik.

“Biseduam për nevojën urgjente të fokusimit në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e mundësive të reja për punësim”, ka shkruar në Twitter, Albin Kurti.

SHBA nuk përzihet në çështjen e formimit të qeverisë

Pas Kurtit, Grenell u takua me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

"Kam ndarë të njëjtin mesazh që është se ne në Amerikë nuk jemi të interesuar që të përfshihemi në atë se si duhet të formohet qeveria. Interesimi ynë është zhvillimi ekonomik. Unë ndava vizionin tim që shumë shpejt të arrijmë te momenti i heqjes së tarifave dhe serbët ndalin fushatën për çnjohjet. Mendoj se këto të dyja janë hapat e ardhshëm”, tha ambasadori Grenell pas takimit me liderin e LDK-së, Isa Mustafa.

Takimet e ndara të ambasadorit amerikan në Berlin, Richard Grenell me liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën, vijnë në kohën kur në Prishtinë po zhvillojnë negociata për formimin e qeverisë së re, por të cilat deri më tani nuk kanë sjellë ndonjë marrëveshje.

Besimi në dialog, nën lidershipin e presidentit Trump

Të mërkurën, Grenell ka zhvilluar një darkë pune me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai u ka kërkuar nga autoritetet në Prishtinë përqendrim të shtuar në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidenti Donald Trump janë të interesuar që të zgjidhin problemet apo çështjet e hapura në bisedimet Kosovë – Serbi, ka thënë Grenell, duke apostrofuar sidomos çështjet ekonomike.

Komentet e tij në Prishtinë në lidhje me nevojën e nisjes së normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë përmes çështjeve ekonomike, Grenell i bëri pak ditë pasi nën ndërmjetësimin e tij, Prishtina dhe Beogradi nënshkruan në Berlin marrëveshje me kompaninë gjermane “Lufthansa”, për fillimin e operimeve në linjën ajrore Prishtinë – Beograd, e cila nuk ka funksionuar për më gjatë se 21 vjet.

SHIKONI EDHE: Taksa 100 për qind nuk kursen mallrat përmes linjës ajrore Prishtinë – Beograd

”Ne duam që të arrijmë progres në këtë rajon, në Kosovë, në Serbi në planin ekonomik”, deklaroi Grenell, duke nënvizuar se "të rinjtë kanë nevojë për vende pune”.

*Video: Takimi Thaçi-Grenell

Your browser doesn’t support HTML5

Grenell takon Thaçin në Prishtinë

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi falënderoi ambasadorin Grenell dhe presidentin Trump për marrëveshjen e arritur për vendosjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd.

“Atë që nuk arrijnë ta bëjnë të tjerët e bëri ambasadori Grenell”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Kam besim se nën lidershipin e presidentit Trump do të arrijmë te marrëveshja finale për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë e cila do t’i kontribuojë shumë paqes e stabilitetit”, tha Thaçi.

Bisedimet për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë ndërprerë në fund të vitit 2018, pasi Qeveria e Kosovës vendosi taksë ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.