Presidentja proevropiane Maia Sandu është duke prirë kundër socialistit prorus Alexandr Stoianoglo në garën presidenciale me 11 kandidatë në Moldavi, sipas rezultateve fillestare.
Rezultatet fillestare pas numërimit të 35 për qind të votave të dielën vonë tregojnë se Sandu ka fituar 35 për qind të votave, Stoianoglo 29 për qind, ndërsa Renato Usatii 15 për qind, sipas Komisionit Qendror Zgjedhor.
Nëse asnjëri nga kandidatët nuk do t’i fitojë më shumë se 50 për qind të votave, atëherë do të mbahet një balotazh mes dy kandidatëve të parë më 3 nëntor.
Vëzhguesit paralajmëruan se rezultatet e para me gjasë vijnë nga vendet e diasporës në Rusi dhe shtete të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik, që nënkupton se epërsia e Sandus mund të rritet me numërimin e votave brenda Moldavisë.
SHIKONI EDHE: Pesë taktikat që Kremlini po përdor për të ndikuar në zgjedhje këtë vitNdërkohë, të dielën u mbajt edhe një referendum, i propozuar nga Sandu, i cili i pyeti 3.3 milionë moldavë brenda dhe jashtë vendit nëse e "mbështesin ndryshimin e Kushtetutës për anëtarësimin e Republikës së Moldavisë në Bashkimin Evropian".
Rezultatet fillestare, pas numërimit të 46 për qind të votave, tregojnë se 56 për qind kanë votuar kundër, por votat e panumëruara mund ta ndryshojnë rezultatin e referendumit për BE, sipas vëzhguesve.
Qendra e votimit u mbyllën në ora 21:00 sipas kohës lokale dhe zyrtarët zgjedhorë filluan të njoftojnë rezultatet fillestare rreth një orë më vonë.
Zgjedhjet e dyfishta vendimtare të Moldavisë do ta ndihmojnë vendin të vendosë nëse e ardhmja e tij do pranë Evropës dhe Perëndimin, apo do të kthehet më shumë drejt Rusisë, pas një fushate të mbizotëruar nga akuza për ndërhyrje të Moskës për ta arritur rezultatin e dëshiruar.
Zyrtarët zgjedhorë thanë se pjesëmarrja në referendum e kaloi shkallën e nevojshëm prej 33 për qind, duke arritur afërsisht 50 për qind, ose më shumë se 1.48 milion vota.
Dalja në zgjedhjet presidenciale ishte mbi 51.4 për qind, ose më shumë se 1.56 milion vota, ndërsa u raportua për radhë të gjata në disa qendra votimi në Moldavi dhe në vende jashtë shtetit, duke përfshirë Francën, Rumaninë, Rusinë dhe Greqinë.
Pasi e hodhi votën, Sandu tha se duke votuar sot, moldavët "mund ta ruajnë paqen dhe stabilitetin" në vend, duke shtuar se "moldavët duhet ta përcaktojnë fatin e tyre" pa "gënjeshtra dhe pa para të pista".
Moldavia dhe vende të huaja kanë paralajmëruar për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë përmes dezinformimit, blerjes së votave dhe dërgimit të parave për të nxitur trazira, pasi Kishinjevi dhe bashkësia ndërkombëtare kanë treguar sa shumë i kushtojnë rëndësi zgjedhjeve të lira, drejta dhe paqësore.
SHIKONI EDHE: Moldavia thotë se ka zbuluar komplot rus për ndërhyrje në zgjedhjeRezultatet e këtyre votimeve mund të ofrojnë mësime të vlefshme për aleatët e Sandut dhe opozitën para zgjedhjeve parlamentare të verës së ardhshme, të cilat do të jenë një referendum për katër vjetët e qeverisjes nga Partia e Veprimit dhe Solidaritetit (PAS), që ajo e themeloi tetë vjet më parë.
Megjithëse në Moldavi presidenti ka pushtet të kufizuar ekzekutiv, Sandu e ka përdorur me sukses mesazhin e saj properëndimor dhe ndikimin e saj me partinë PAS për të sjellë disa reforma të kufizuara dhe për të siguruar kandidaturën formale të vendit për anëtarësim në BE, pavarësisht ndarjeve të thella brenda ish-republikës sovjetike.
Një nga veprimet e saj më ambicioze ka qenë eliminimi i varësisë së Moldavisë nga gazi natyror rus pas pushtimit të plotë të Ukrainës, por kjo ka shkaktuar inflacion dhe vështirësi të tjera ekonomike për shumë nga 2.4 milionë banorët e Moldavisë.
Përveç paralajmërimeve të forta nga zyrtarët vendës, përfshirë ministrin e jashtëm të Moldavisë, edhe zyrtarët amerikanë dhe ata perëndimorë e kanë akuzuar Rusinë për ndërhyrje, duke përmendur në korrik "veprime shumë të qarta nga rusët për t’i sabotuar zgjedhjet dhe referendumin e ardhshëm".
Rusia - e cila mban qindra trupa në një bazë ish-sovjetike në rajonin separatist të Moldavisë, Transdniester, ku shumica e popullsisë flet rusisht - e ka mohuar ndërhyrjen në zgjedhjet moldave.
Prej kur partia e tij u ndalua nga Qeveria dhe më pas nga Gjykata Kushtetuese e Moldavisë vitin e kaluar për përpjekje për grusht shtet, oligarku i dënuar Ilan Shor është akuzuar për organizimin e një skeme shumë milionëshe për të paguar votues anti-BE dhe ndikues të ndryshëm. Ai dyshohet edhe për skema të tjera nga mërgimi i tij në Rusi për të promovuar Rusinë mes moldavëve dhe për të nxitur pakënaqësi ndaj Qeverisë së tyre.
Disa ditë para zgjedhjeve, autoritetet njoftuan se i kishin arrestuar katër persona dhe paralajmëruan se dhjetëra të tjerë ishin trajnuar në Rusi dhe Ballkan për ta “destabilizuar” vendin pas zgjedhjeve.