Rezultate te vogla në luftën kundër korrupsionit

Ilustrim

Maqedonia nuk reflekton me rezultate të dukshme sa i përket luftës kundër korrupsionit, vlerësojnë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që mbulojnë sektorin për anti-korrupsion.

Sllagjana Taseva nga Transparency International për Radion Evropa e Lirë thotë se Qeveria aktuale nuk po arrin të shënojë përparim të dukshëm sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe çlirimit të institucioneve nga ndikimet politike.

“Është lënë shumë hapësirë që gjërat, për fat të keq, të rrjedhin sikurse në të kaluarën, megjithëse tani kanë ndryshuar vetëm aktorët. Shqetësuese është ajo që ndodh në sistemin gjyqësor, situatën aktuale në Prokurorinë Publike, si dhe të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me integritetin e trupave më të lartë në kuadër të këtyre institucioneve, që në asnjë mënyrë nuk paraqet garanci për sundimin e drejtësisë dhe luftën efikase kundër korrupsionit”, thotë Taseva.

Në këtë drejtim, zëvendëskryeministri për çështje të integrimeve, Bujar Osmani gjatë prezantimit të sotëm para mediave të Strategjisë për zgjerim të Komisionit Evropian, tha se instalimi i sundimit të drejtësisë paraqet një kërkesë kyçe sa i përket anëtarësimit të Maqedonisë në familjen evropiane.

Në kuadër të Strategjisë për zgjerim parashihet formimi i komisioneve dhe trupave mbikëqyrës, që do të ndjekin punën e gjykatave si dhe institucioneve përkatëse për luftën kundër korrupsionit.

Zëvendëskryeministri Osmani tha se çdo reformë në sistemin e gjyqësorit do të ndiqet drejtpërdrejtë nga faktori ndërkombëtar.

“Kjo do të thotë involvim më i drejtpërdrejtë i Komisioni Evropian në vendet e Ballkanit Perëndimor. Detajet se çfarë instrumente do të shfrytëzohen për këtë procesm do të përcaktohen në muajin mars në kuadër të mbledhjes së KE-së, kur do të precizohet konkluzat dhe do të bëhet e ditur dinamika rreth asaj se cila mekanizma do të përdoren, pra duhet të presim deri në mars për këtë çështje. Por, fushat të cilat janë përcaktuar si kryesore nga KE janë sundimi i ligjit, dhe menaxhimi i drejtë i institucioneve”, tha Osmani.

Nga ana tjetër, Ana Janevska Delleva drejtuese e organizatës ‘Transparencë për Maqedoninë”, thotë se Qeveria aktuale ka bërë përpjekje për të instaluar mekanizma, sa i përket luftës korrupsionit të paktën, siç thotë ajo, janë realizuar më shumë konsultime mes organizatave joqeveritare dhe Qeverisë për vënien në funksion të mekanizmave për t’i detyruar institucionet të jenë më transparente rresh shpenzimit të parave të taksapaguesve. Megjithatë, sipas saj, këto përpjekje nuk mundësojnë që korrupsioni të jetë në nivel minimal.

Delleva thotë se për të funksionuar ligji me të cilin mbrohen denoncuesit e veprimeve korruptive,nevojitet një fushatë gjithëpërfshirëse për ngritjen e vetëdijes.

“Qytetarët nuk janë të njohur rreth kësaj mundësie, se ata mund të denoncojnë korrupsionin dhe institucionet janë të obliguara të mbrojnë identitetin e tyre. Madje nevojitet dhe një fushatë për të vetëdijësuar se sa dëme sjell korrupsioni për funksionimin e institucioneve sepse qytetarët me gjenerata janë edukuar se për tu zgjidh një problem, ata duhet të paguajnë të themi ‘ndër duar’”,thekson Delleva.

Organizatat joqeveritare thonë se Qeveria duhet të formojë sa më shpejt në komisionin për mbrojtjen nga korrupsioni, komision i cili, sipas tyre, duhet të përbëhet nga profesionistë dhe persona me kredibilitet.