Udhëheqësia e Serbisë ka arritur që me sukses të përziejë përgjegjësinë kolektive me atë individuale sa u përket krimeve të luftës, ndonëse e dimë që drejtësia ndërkombëtare bazohet në idenë e përgjegjësisë individuale. Kështu thotë Denisa Kostovicova, profesoreshë e politikave globale në Shkollën e Londrës për Ekonomi dhe Shkenca Politike, në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
“Në fakt, nëse e lexoni tekstin e rezolutës, aty nuk përmendet përgjegjësia kolektive e asnjë grupi”, ka thënë ajo, duke iu referuar rezolutës së miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, që e njeh 11 Korrikun si Ditë Ndërkombëtare për Kujtim të Gjenocidit në Srebrenicë.
Sipas Kostovicovas, Serbia dhe udhëheqësia aktuale serbe e kanë ndërtuar legjitimitetin e tyre në narrativën historike që vë në pikëpyetje, minimizon dhe mohon rolin e tyre në luftërat dhe shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet ’90.
Your browser doesn’t support HTML5
"Mohimi i gjenocidit ua mohon dinjitetin viktimave"
Radio Evropa e Lirë: Çfarë rëndësie ka miratimi i rezolutës për Srebrenicën nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, fillimisht për viktimat, më të dashurit e tyre, si dhe për të vërtetën dhe drejtësinë, pavarësisht faktit që në votim janë vërejtur dallime të thella?
Denisa Kostovicova: Mendoj që votimi është shumë i rëndësishëm. E shpall 11 Korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë. Ka rëndësi të madhe simbolike. Ka implikime praktike si në rajon, ashtu edhe në botë.
Siç e thatë, e vendos në qendër nevojën e të mbijetuarve dhe familjeve të viktimave për pranim të aktit. Ajo që ata kanë përjetuar, është krimi më i rëndë në tokën evropiane pas Luftës së Dytë Botërore, kur forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë. Në këtë drejtim, ne mund të themi se rezoluta është e orientuar në të kaluarën. E njeh të keqen e kryer në të kaluarën. Mirëpo, mendoj se janë edhe disa elementë të rëndësishëm. Rezoluta flet edhe për gjendjen aktuale të viktimave të gjenocidit të Srebrenicës. Mohimi i gjenocidit ndikon në mohim të dinjitetit të viktimave, në fakt ua minimizon vuajtjet.
Në këtë pikë rezoluta e prek të tashmen, ndonëse është e orientuar edhe në të ardhmen. Duke bërë thirrje për parandalim të gjenocidit, vihet në pah edhe përgjegjësia e një shteti dhe roli i edukimit, si dhe programeve tjera, për parandalim të mohimit të gjenocidit në të ardhmen. Prandaj, në këtë kontekst, e shoh këtë rezolutë - qartazi të fokusuar në Srebrenicë - si mbështetëse të kulturës së memorializimit dhe që u ofron njerëzve në Srebrenicë një mundësi për të jetuar jetë më të mirë. Pra, viktimat e Srebenicës do të bëhen pjesë e kujtesës globale.
SHIKONI EDHE: Reagime për dhe kundër pas miratimit të rezolutës për SrebrenicënPor, mendoj që është e rëndësishme që ta vendosim rezolutën e 23 majit në kontekst më të gjerë global, sepse kjo rezolutë që ka të bëjë me Srebrenicën dhe krijimin e një Dite Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Kujtimit, ndjek hapat e rezolutave tjera. Shembull është rezoluta që ka inauguruar Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit për gjenocidin në Ruandë.
Kjo rezolutë është shumë e ngjashme në themel, pasi bën thirrje për njohje të viktimave. Natyrisht, ekzistojnë edhe rezoluta të tjera të Kombeve të Bashkuara, shembull ato që përkujtojnë Nakban – zhvendosjen masive me forcë të palestinezëve më 1948. Para saj ka qenë rezoluta tjetër për Ditën Ndërkombëtare për Kujtim të Holokaustit. Po e them këtë, sepse ky hap e shpërfaq një normë globale të memorializimit dhe njohjes së viktimave në skenën globale.
Ndërkohë, është arritur edhe te politizimi i kësaj rezolute. Në Serbi dhe Bosnjën fqinje, sidomos në Republikën Sërpska, është thënë kinse kjo ngjarje i veçon në një mënyrë serbët, e që në fakt kur e shohim në kontekst global, nuk është ashtu.
"Serbia po largohet prej Evropës"
Radio Evropa e Lirë: Pse Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka qenë aq e ndarë si organizatë botërore? Ajo, në fakt, në ditët e sotme është e ndarë në shumë çështje të tjera të ngjashme. A do të thotë kjo se vendet anëtare janë më të interesuara në interesin e tyre gjeopolitik, sesa në të vërtetën dhe drejtësinë?
Denisa Kostovicova: Do të thosha se në situatën aktuale globale, në kontekst të rritjes së gjeopolitikës, mendoj se Asambleja e Përgjithshme, edhe kur ka të bëjë me çështjet e luftës dhe paqes e drejtësisë, i reflekton këto lloj riorganizimesh tektonike që po ndodhin sot në botë, dhe kjo ka ndodhur edhe në këtë rast. Fakti që ka qenë e ndarë, që nuk ka pasur një vendim unanim, nuk është befasi. Nuk është aspak befasi.
Mirëpo, nëse analizojmë më thellë dhe e vështrojmë këtë riorganizim dhe debatin për miratim të rezolutës së 23 majit, mendoj që Serbia është vënë në pozitë të vështirë, në aspektin politik dhe atë gjeopolitik, sepse Serbia pozicionohet si e distancuar prej normës dhe rregullit evropian, dhe si shtet që është duke e rritur varësinë ndaj Rusisë dhe Kinës. Diçka e tillë e shtyn Serbinë në një pozitë të paqëndrueshme, pasi në të njëjtën kohë është në anën e kundërt të rendit evropian, por, prapëseprapë, synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe varet aq shumë prej fondeve të bllokut evropian.
SHIKONI EDHE: BE-ja bën thirrje të mos mohohet gjenocidi në SrebrenicëKoncepti “fantazmë” i serbëve si “komb gjenocidal”
Radio Evropa e Lirë: Ndonëse i pranojnë në përgjithësi mizoritë e tmerrshme që janë kryer në Srebrenicë, shumë në Serbi mohojnë se diçka e tillë përbën gjenocid. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe presidenti i entitetit serb të Bosnjës, Millorad Dodik, e kanë quajtur nocionin e gjenocidit në Srebrenicë si të fabrikuar. Dy liderët thonë se rezoluta për gjenocid në Srebrenicë i kthen të gjithë serbët në gjenocidal, ndonëse në dokument nuk përmenden serbët si fajtorë. Pse është udhëheqësia serbe kaq e zemëruar dhe kundër?
Denisa Kostovicova: Janë disa aspekte me rëndësi, fillimisht për mënyrën se si Serbia, apo udhëheqësia serbe e kanë ndërtuar legjitimitetin për narrativën historike në veçanti, e cila e minimizon dhe mohon rolin e Serbisë në shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet ’90.
Kjo besoj që është rrënja e kësaj logjike etnocentrike që aplikohet në çështjet e viktimizimit, apo jo? Kur them etnocentrike, e nënkuptoj pozicionin në të cilin thuhet se serbët janë dhe kanë qenë viktimat më të mëdha të këtij konflikti, dhe kjo lidhet shumë me atë që kemi diskutuar dhe ka të bëjë me gjenocidin në Srebenicë.
...koncepti që serbët janë komb gjenocidal është koncept fantazmë, që përdoret për të diskredituar gjithë procesin e llogaritjes së dëmeve në të kaluarën, si dhe i hap derën politizimit të trashëgimisë së luftës".
Prandaj, mendoj që kjo është pjesë shumë e rëndësishme e mohimit të krimeve të kryera prej disa serbëve. Me fjalë të tjera, nuk është bërë asnjë shqyrtim kritik i rolit të serbëve në këto luftëra. Ajo që është problematike këtu është ndërtimi i disa tropeve që po përdoren, dhe ky koncepti që serbët janë komb gjenocidal është koncept fantazmë, që përdoret për të diskredituar gjithë procesin e llogaritjes së dëmeve në të kaluarën si dhe i hap derën politizimit të trashëgimisë së luftës.
Ajo çfarë e bën këtë çështje të komplikuar është që udhëheqësia ka arritur që me sukses të përziejë përgjegjësinë kolektive me atë individuale kur është fjala për krimet e luftës. Ne e dimë që premisa e drejtësisë ndërkombëtare penale ka të bëjë me përgjegjësi individuale. Dhe, në fakt, nëse lexohen tekstet e rezolutave, aty nuk përmendet përgjegjësia kolektive e asnjë grupi. Në këtë drejtim, e kam parë si të zgjuar propozimin e diplomatëve malazezë që kanë propozuar amendamentin që përcakton se fajësia është individuale dhe tregon se ky koncepti fantazmë është politik dhe instrumental, dhe mëton shmangie prej përgjegjësisë.
Ajo çfarë shoh si problematike këtu është që narrativa ekzistuese e bën shumë të vështirë sfidimin e kësaj logjike të përmbysur. Po flas këtu për njerëzit e zakonshëm. Krijohet klimë shumë sfiduese dhe demonstron sa e vështirë është që të adresohen këto çështje kur debatet e lira dhe të arsyeshme janë të mbyllura. E kemi parë që disa parti, përfshirë edhe organizata të shoqërisë civile, organizata për të drejta të njeriut, e kanë veçuar këtë pikë të përgjegjësisë kolektive dhe individuale. Megjithatë, aktualisht këta zëra janë duke u shtypur në Serbi.
"Mohimi i gjenocidit për të treguar që të gjithë kanë vuajtur"
Radio Evropa e Lirë: Pse ky dallim në mes të krimeve të luftës dhe gjenocidit ka rëndësi jo vetëm për shumë serbë, por edhe në rastet tjera? Shembull është Turqia kundër përshkrimit të mizorive kundër armenëve, një shekull më parë, si gjenocid, ndonëse pranohet që janë kryer krime të tmerrshme përgjatë Luftës së Dytë Botërore?
Denisa Kostovicova: Sepse një kategorizim i tillë i krimit flet për një lloj specifik të krimit dhe përgjegjësisë. Në atë kontekst, kur e analizojnë kontekstin në Ballkan, aty ekziston ideja e relativizimit të krimeve. Ekziston një vijë e hollë, pasi duke pranuar se një grup mund të ketë kryer ose ka kryer gjenocid, nuk nënkupton që anëtarët e atij grupi nuk ka qenë po ashtu viktima, apo jo?
Por, duke e mohuar gjenocidin tentohet të krijohet mendësia që të gjithë kanë vuajtur njëjtë. Mirëpo, të thuhet që të gjithë kanë vuajtur dhe kanë qenë viktima, të në të dyja anët, nuk nënkuptohet që kanë ekzistuar lloje të ndryshme të krimeve për grupe të ndryshme. Ka pasur shumë përpjekje për të dokumentuar dhe krijuar dokumente zyrtare të krimeve të luftës, që kanë dështuar në rajon. Disa prej tyre janë dokumentuar. Në disa prej tyre në krye të përpjekjeve ka qenë shoqëria civile.
Ajo që mund të nxirret në përfundim është se kjo lloj transparence do të parandalonte instrumentalizimin dhe politizimin e viktimave dhe shifrave të atyre që kanë vdekur në luftë.
"Nuk do të ketë pretendime për kompensim"
Radio Evropa e Lirë: Serbia dhe Republika Sërpska pretendojnë se rezoluta e miratuar në OKB për gjenocidin në Srebrenicë mund të çojë në përtëritjen e padisë së Bosnjës kundër Serbisë, përfshirë kërkesën për dëmshpërblim për dëme të luftës. Cilat janë gjasat?
Denisa Kostovicova: Nuk mendoj se ka gjasa. Kjo rezolutë nuk krijon fakte të reja ligjore. Kjo rezolutë shërben për përkujtim dhe ua njeh dinjitetin viktimave.
SHIKONI EDHE: Dëshmitarët e krimeve të luftës në Bosnjë, të pambrojtur nga kërcënimetRadio Evropa e Lirë: Ndoshta Vuçiqi dhe politikanë tjerë serbë kanë tentuar që në këtë mënyrë të shmangin përgjegjësinë politike për luftën në vitet ’90, e cila ka rezultuar me shumë mizori, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë. Gjatë proceseve gjyqësore në Hagë, përgjegjësia për krime lufte është individualizuar. Por në ato procese, udhëheqësia serbe është konsideruar përgjegjëse për mosparandalim të gjenocidit në Srebrenicë. A do të mund të hapë diçka e tillë çështjen e përgjegjësisë për këtë gjenocid?
Denisa Kostovicova: Do të përgjigjem thuajse njëjtë. Miratimi i rezolutës nuk është proces ligjor që zbulon fakte të reja. Në fakt, edhe përgjatë debatit, rezoluta u referohet pothuajse të gjitha fakteve ekzistuese. Aktualisht, nuk ka një tribunal ndërkombëtar që do t'i analizonte këto çështje. Në fakt, prej mbylljes së Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, çështjet kanë kaluar në legjislaturat e brendshme.
"Mohimi i krimeve është burim destabilizimi"
Radio Evropa e Lirë: Ka pretendime në Serbi dhe Republikën Sërpska që diçka e tillë do të rrezikonte pozitën e entitetit boshnjak, përfshirë disa pretendime radikale për shfuqizimin e tij si vepër gjenocidale. Sa realiste janë?
Denisa Kostovicova: Këtu kemi të bëjmë me përmbysje strategjike të narrativave. Ekziston kjo narrativë prej mohuesve të krimeve të luftës që thonë se krimet e luftës krijojnë jostabilitet, dhe kjo është e drejtë, është situatë destabilizuese sepse ata po i mohojnë krimet e luftës. Të jetosh me një krim lufte, që ka trashëgimi kaq të rëndë, nuk është diçka e lehtë në aspektin politik. Prandaj është e rëndësishme që të adresohen, që të adresohen në një mënyrë që përbën rishqyrtim kritik të roleve të palëve të ndryshme në dhënie fund të konfliktit, në njohje të të gjitha viktimave, pavarësisht kush janë dhe prej cilës etni.
SHIKONI EDHE: Kurti: Rreziku i një lufte të re në rajon është i vërtetë"Prodhimi i krizave për të ruajtur pushtetin"
Radio Evropa e Lirë: Millorad Dodik, president i Republikës Sërpska ka thënë se Qeveria e tij ka propozuar zyrtarisht ndarjen prej Bosnjës. Nëse tenton ta realizojë këtë, a do të rezultojë me gjakderdhje, jo vetëm në Bosnje, por edhe në rajonin e Ballkanit?
Denisa Kostovicova: Vështirë për t’u përgjigjur. Kjo deklaratë e bërë më 23 maj përputhet shumë me logjikën që dikush varet prej prodhimit të krizave për të ruajtur pushtetin. Pyetja e madhe është se deri në çfarë shkalle mund të prodhohet jostabilitet me shpresën që jostabiliteti nuk do ta çojë rajonin në tjetër drejtim që e rrezikon edhe vetë Dodikun?
Është vijë e hollë që kërkon balancë. Nuk mund të parashikoj çfarë mund të ndodhë, mirëpo e shoh që një lloj i atillë i krizave, dhe abuzimi me kriza, si stil i qeverisjes, është mjaft i dëmshëm.
SHIKONI EDHE: Republika Sërpska ofron marrëveshje për "ndarje paqësore" në Bosnje dhe HercegovinëJanë edhe disa çështje të rëndësishme në marrëdhëniet serbe, të cilat nuk janë adresuar kur janë bërë këto kërcënime dhe hapa radikalë. Nëse Republika Sërpska do të ndahet, a do t’i bashkohet Serbisë? Nëse i bashkohet Serbisë, a do t’i nënshtrohet Republika Sërpska regjimit të Beogradit? Këto tensione potenciale vendosin më pas në dyshim këto lloj kërcënimesh dhe se sa realiste mund të jenë ato.
Nacionalizimi si instrument për të larguar vëmendjen prej problemeve reale
Radio Evropa e Lirë: Pse mohimi i gjenocidit është intensifikuar në Serbi me kalimin e kohës, sidomos në 12 vjetët e fundit, prej ardhjes së Vuçiqit në pushtet? A ka të bëjë me kontrollin e narrativës për historinë, apo me politika ditore, sikurse përhapja e ndikimit të Serbisë në rajon, e ashtuquajtura Bota Serbe, pasi Serbia, siç e thatë në fillim të intervistës, insiston që serbët kanë qenë viktimat më të mëdha të rënies së Jugosllavisë?
Denisa Kostovicova: Po, ke të drejtë. Mund të vërehet që sa më larg që shkohet në luftërat e së kaluarës, aq më të pranishme janë ato në të tashmen. Por, kjo ka të bëjë edhe me instrumentalizim, shfrytëzim dhe abuzim të viktimave, duke i njohur ata, në disa ditë edhe duke i përkujtuar në nivel lokal, por i duke harruar dëmshpërblimet për ta. Kjo, në njëfarë mënyre ka krijuar këtë trashëgimi nacionaliste ku e mban regjimi njërën dorë. Në anën tjetër, diçka kësisoj shërben si instrument për të shpërqendruar vëmendjen prej problemeve që ka Serbia në qeverisje, përparim ekonomik dhe integrime evropiane. Sa më shumë që kalohet kohë në këto çështje, aq më pak kohë mbetet për zgjidhje të problemeve reale, siç është korrupsioni.
SHIKONI EDHE: Zyrtarët e BE-së “shumë të kujdesshëm” për çështjet e sigurisë gjatë takimeve me zyrtarë të SerbisëRadio Evropa e Lirë: Ndërkohë, Vuçiq e ka përmendur se mund të bashkësponsorojë një rezolutë për gjenocid kundër popullit sovjetik, derisa Qeveria e Malit të Zi është duke shqyrtuar mundësinë e propozimit të një rezolute për gjenocidin në Jasenovac gjatë Luftës së Dytë Botërore. A është një lloj gare që mund t’i bëjë të pavlera rastet e gjenocidit, në vend që të shërbejë për respektim të viktimave?
Denisa Kostovicova: Absolutisht. Është një lloj gare, që nuk do të jetë e rëndësishme askund përveç kontekstit mikrorajonal, në politikën e brendshme serbe, me logjikën e njëjtë të shpërqendrimit prej temave të rëndësishme.
Rezistenca e narrativave liberale në Serbi
Radio Evropa e Lirë: Si do të mund të ndikojë rezoluta e OKB-së në dinamikën e Ballkanit, në periudhë afatshkurtër dhe afatgjatë?
Denisa Kostovicova: Është pyetje e mirë dhe e vështirë. Në njërën anë i kemi parë të gjitha këto dinamika ku mohimi i krimeve të luftës krijon shumë përçarje. Por në anën tjetër, kemi edhe forca tjera në rajon që e kundërshtojnë këtë qasje. Është e rëndësishme të cekim se, pavarësisht kontrollit që ka regjimi serb mbi mediat, ai prapëseprapë nuk ka arritur ta bëjë këtë mohim si narrativë të përgjithshme.
Ekzistojnë grupe, grupe të shoqërisë civile, madje edhe parti që kundërshtojnë këto narrativa. Në parim ata po i formulojnë ato, apo jo? Ato flasin për një Serbi që do të marrë përgjegjësi, në aspektin e adoptimit të vlerave të Perëndimit. Është interesante të shohim cili do të jetë rezultati në të ardhmen. Një skenar i errët është që këta zëra alternativë të margjinalizohen plotësisht, mirëpo qëndrueshmëria e tyre është për lavdatë, madje edhe vetë ekzistenca e tyre.
SHIKONI EDHE: Paqja në Ballkan në rrezik për shkak të ndikimit rus?Në lidhje me Srebrenicën, por edhe me shkeljet tjera të të drejtave të njeriut dhe me krimet tjera të luftës që janë kryer, qasja e Serbisë na jep një lloj shembulli për atë që po vëzhgojmë edhe në Ukrainë, në kontekstin aktual të luftës, por edhe në kontekstin e luftës në Gazë, që ndonëse ekziston një proces gjyqësor në gjykata penale, jetojmë në një kohë kur është shumë e lehtë që të kontestohen dhe diskreditohen faktet.
Dhe, kjo besoj që është sfida më e madhe. Kjo është ndër sfidat më të mëdha për pajtim, për përmirësim të marrëdhënieve që prishen aq shpejt dhe brutalisht prej luftërave.