Revolucioni i 1989-s dhe rënia e komunizmit në Hungari

Një yll i kuq komunist largohet nga objekti i një fabrike në Budapest më 1989.

Kjo foto e 26 tetorit të vitit 1989 është bërë tri ditë pasi Hungaria e shpalli veten shtet demokrat pas 40 vjetësh nën sundimin komunist të mbështetur nga sovjetikët.

Ky imazh është vetëm njëri prej të shumtëve nga disa ngjarje të rëndësishme që e transformuan Hungarinë 35 vjet më parë.

 

Burrat e papunë duke pritur për punë,  Budapest më 1988.

Pavarësisht se ishte relativisht e lirë në krahasim me vendet e tjera të Bllokut Lindor, nga fundi i viteve 1980 ekonomia e Hungarisë po vyshkej. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, 17 për qind e popullsisë jetonte në varfëri dhe shkalla e vetëvrasjeve në vend ishte më e larta në Evropë.

Në Budapest mbahet një demonstratë kundër shkatërrimit të fshatrave në Transilvani më 27 qershor 1988.

Në qershor të vitit 1988, policia në Budapest lejoi dhjetëra mijëra demonstrues të protestonin kundër planeve në Rumani për të shkatërruar mijëra fshatra në Transilvani, një rajon kryesisht hungarez etnik. Sundimtari rumun,  Nicolae Ceausescu, synonte të rivendoste banorët e Transilvanisë në qendrat "agro-industriale" të drejtuara nga shteti.

Turma e hungarezëve të mbledhur pranë monumentit në qendër të Sheshit të Heronjve të Budapestit për të protestuar kundër "programit të sistematizimit rural" të Rumanisë.

Protestat e Transilvanisë ngjallën një frymë rezistence të fjetur prej kohësh në Hungari. Një protestues më vonë kujtoi: "Sigurisht që shkuam sepse kujdeseshim për hungarezët në Transilvani, por kryesisht shkuam ngase i urrenim komunistët".

Miklos Nemeth (në qendër djathtas, kamera përballë) është fotografuar menjëherë pasi u emërua kryeministër i Hungarisë në nëntor të vitit 1988.

Në mars 1989, kryeministri i ri i vendit, Miklos Nemeth, i tha në mirëbesim udhëheqësit sovjetik, Mikhail Gorbachev, në Moskë se Hungaria së shpejti do të mbante zgjedhje të lira. Gorbachevi ia bëri të qartë se nuk ishte dakord me masën, por u zotua se "nuk do të ketë asnjë udhëzim apo urdhër nga ne për ta shtypur atë".

Nemeth u tha këshilltarëve të tij pas largimit nga Kremlini se, "ne kemi të paktën një mbështetës të heshtur në Moskë".

Nemeth gjatë takimit me Gorbachevin në Kremlin më 3 mars të vitit 1989.

Udhëheqja e re e Kremlinit i lejonte shtetet satelit të Bashkimit Sovjetik të krijonin rrugët e tyre në atë që u bë e njohur si "Doktrina Sinatra", pas këngës "My Way" të Frank Sinatrës.

Ushtarët sovjetikë duke u larguar nga Hungaria në qershor të vitit 1989.

Duke filluar nga prilli i vitit 1989, mijëra pjesëtarë nga rreth 65.000 trupat sovjetike të stacionuara në Hungari, filluan të kthehen në BRSS, sipas një plani që do të reduktonte në mënyrë drastike numrin e ushtarëve sovjetikë në Hungari.

Një punëtor duke prerë telat e gardhit midis Hungarisë dhe Austrisë.

Në maj të vitit 1989, një gardh përgjatë 240 kilometrave të kufirit të Hungarisë me Austrinë, u konsiderua më shumë telash se sa i vlefshëm. Barriera e shtrenjtë ishte e pajisur me sensorë të krijuar për t'i zbuluar njerëzit që iknin në Perëndim, por deri në vitin 1989 gardhi bëhej gjithnjë e më problematik. Raketat e alarmit të automatizuar po shkaktoheshin nga kafshë të egra, ose asgjë fare.
 

Rojat kufitare hungareze duke paketuar "perden e hekurt" gjatë heqjes së saj nga kufiri austriak në maj 1989.

 

Njerëzit rreth arkivolit të Imre Nagyt dhe një viktime tjetër të shtypjes sovjetike ndaj revolucionarëve të Hungarisë të vitit 1956.

Në qershor, dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën kur ish-kryeministri komunist i Hungarisë, Imre Nagy, u rivarros me nderime të larta. Nagy kishte mbajtur anën e revolucionarëve në kryengritjen antikomuniste të 1956-ës në Hungari.

Turma e madhe e mbledhur në ceremoninë e rivarrimit të Nagyt.

Në mes të kryengritjes së vitit 1956, Nagy më kot kishte bërë thirrje për ndihmë nga  Perëndimi, ndërsa forcat sovjetike hynë për ta shtypur revolucionin. Nagy u var dhe trupi i tij u hodh me fytyrë poshtë në një varr të pashënuar në periferi të Budapestit.

Në rivarrimin e Nagyt, folësit, duke përfshirë të riun Viktor Orban, 26-vjeçar, bënë thirrje për zgjedhje të lira që do të rezultonin me largimin e të gjitha trupave sovjetike nga Hungaria.

Refugjatët gjermano-lindorë duke fjetur skaj rrugës ku kanë lënë makinat e tyre, në Budapest.

Me ndryshimin dramatik të Hungarisë drejt lirisë në vitin 1989, mijëra gjermano-lindorë që u përballën me përgjimet e vazhdueshme të policisë sekrete të Stasit filluan të lëviznin drejt lindjes. Hungaria ishte një nga "shtetet vëllazërore socialiste", në të cilat gjermano-lindorëve u lejohej të udhëtonin.
 

Gjermano-lindorët duke ikur nga Hungaria në Austri më 19 gusht 1989, gjatë "Piknikut Pan-Evropian".

Mijëra gjermano-lindorë ikën nga Hungaria në Austri, madje rreth 600 syresh u larguan brenda një dite gjatë një proteste të ngjashme me festivalin e quajtur "Pikniku Pan-Evropian" në kufirin Austri-Hungari. Eksodi, i cili shpejt u lejua haptazi nga Hungaria, shkaktoi protesta të furishme nga Gjermania Lindore, e cila pretendoi se qytetarët e saj ishin "joshur dhe paguar për të emigruar... për të shpifur për shtetin tonë".
 

Një burrë mban në dorë një gazetë ku shkruante se Hungaria shpallej republikë demokratike më 23 tetor 1989.

Parlamenti i Hungarisë miratoi shpejt ndryshimet në Kushtetutën e vendit, që u hapi rrugë zgjedhjeve të lira. Këtë e bëri presidenti në detyrë i vendit, Matyas Szuros, para një turme prej mijëra vetash poshtë ndërtesës së Parlamentit:

"Unë deklaroj solemnisht se që nga sot, 23 tetor 1989, Hungaria është republikë dhe emri i saj është Republika e Hungarisë".

Fotografitë e marra nga arkivi paraqesin pothuajse çdo moment historik të Hungarisë duke u çliruar nga vargonjtë e kontrollit sovjetik 35 vjet më parë.