Fushata elektorale për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 15 tetor nuk do të dallojë nga ajo e cikleve të kaluara zgjedhore. Partitë gjatë paraqitjes para votuesve do të ofrojnë premtime nga më të ndryshmet, ndërsa nuk do të mungojnë as premtimet që fare nuk kanë të bëjnë me pushtetin lokal, si çështja e integrimit euroatlantik, të drejtat e shqiptarëve, investimet e jashtme, zhvillimi ekonomik i vendit, e të tjera.
Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike duke komentuar tubimet e para të partive politike.
“Unë pres që fushata në këto zgjedhje lokale të jetë e njëjtë me fushatën e zgjedhjeve të kaluara lokale. Shumica e kandidatëve për kryetar të komunave nga radhët e VMRO-DPMNE-së do të jenë po ata që aktualisht drejtojnë pushtetin, ngjashëm është edhe me kandidatët e LSDM-së, ndërsa të tjerët do të kritikojnë punën e kundërshtarëve të tyre kështu që besoj se fushata mes tyre do të përqendrohet në rrafshin lokal, në projektet infrastrukturore që janë bërë apo që nuk janë bërë”, thotë Mitko Gaxhovski duke mos përjashtuar edhe retorikën tanimë të njohur të partive që fushata të shoqërohet edhe me akuza për të ashtuquajturat politika madhore.
Kjo, sipas tij vjen në shprehje duke marrë parasysh krizën politike nëpër të cilën ka kaluar vendi, e në veçanti ngjarjet e dhunshme në Kuvend. Kjo dhe akuzat e organeve gjyqësore ndaj shumë personaliteteve politike, gjithsesi se do të zënë vend në fushatën elektorale, pavarësisht se bëhet fjalë për zgjedhje lokale, thotë Gaxhovski.
Nga ana tjetër, Visar Ademi, njohës i çështjeve politike, thotë se fushata për zgjedhjet lokale nuk sjell ndonjë risi nga ciklet e kaluara zgjedhore, ku në vend të projekteve për pushtetin lokal partitë do të përqendrohen në politikat “madhore”, pasi realisht sipas tij duket ato edhe nuk kanë vizion për zhvillimin e komunave.
“Unë jam i shqetësuar, pasi edhe pse në zgjedhjet lokale do të garojnë dy apo tri parti të reja, ende nuk ka një program, projekt apo ide që ato i ofrojnë për nivelin lokal. Një parti e cila deri në ditën e fundit nuk i di kandidatët e saj potencial për komunën është mëkat të pretendosh se mund të ndryshosh qeverisjen në nivel lokal”.
“Kjo tregon që ne përsëri do të flasim për politika të mëdha, do flasin fjalë boshe, pra asnjë gjë konkrete. Do të jetë garë mes politikave të mëdha, por pas asnjë efekt për pushtetin lokal”, thotë Ademi duke shtuar se oferta nuk do të ketë as nga partitë tjera politike, para se gjithash ato shqiptare, të cilat sipas të gjitha hulumtimeve rezulton që të kenë dështuar në punën e tyre apo përmirësimin e kushteve për jetesë të banorëve nëpër komunat ku kanë qeverisur gjatë katër viteve të kaluara.
Sa i përket rrjedhës së fushatës elektorale, analistët presin që ajo të jetë e qetë.
“Mendoj se janë krijuar kushte që të kemi një proces zgjedhor të rregullt. Mendoj se tani nuk kemi edhe atë atmosferën tensionuese e pranishme në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar. Besoj se mund të jetë edhe më mirë dhe se fushata zgjedhore do të pasqyrojë realitetin që tani kemi në skenën politike”, thotë analisti Mitko Gaxhoski.
Për një fushatë elektorale demokratike janë angazhuar edhe partitë politike, kandidatët e të cilave kanë nënshkruan kontekstin për zgjedhje të lira dhe demokratike. Mbarëvajtje të procesin zgjedhor kanë kërkuar edhe përfaqësuesit ndërkombëtar. Ambasadori i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, ka thënë se zgjedhjet e 15 tetorit duhet të jetë shumë më të mira se ato të dhjetorit të vitit të kaluar.