Kosova pret që projekti për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë të Jugut të vazhdojë, tha të mërkurën ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Ai tha se njoftimi i 8 shkurtit nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) për pezullimin e projektit, nuk nënkupton që programi është anuluar plotësisht.
“Ne i kuptojmë shqetësimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Unë jam në komunikim të përditshëm me të gjithë, përfshirë edhe me ambasadorin e respektuar të Gjermanisë në Kosovë. Të gjithëve iu kemi dhënë sqarime shtesë, shteruese për qëllimet tona, për projektin tonë dhe jemi të gatshëm që t’iu ofrojmë çfarëdo që kanë nevojë, të gjitha sqarimet, t’i shterim të gjitha diskutimet për të ecur përpara me këtë projekt. Ne mendojmë që punën e nisur bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë duhet ta vazhdojmë tutje dhe nga këtu i ftoj të gjithë për reflektim dhe për racionalitet”, tha Çeku.
SHIKONI EDHE: Pezullohet projekti për restaurimin e shtëpisë së Xhafer DevësAi tha se debatet e fundit lidhur me rolin e Xhafer Devës në periudhën e Holokaustit, nuk e kanë burimin në Kosovë.
“Debati i ditëve të fundit e ka origjinën në Serbi dhe kjo është shumë e qartë. Paradoksalisht, një shtet që mohimin e gjenocidit dhe rehabilitimin e kriminelëve e ka politikë shtetërore, tenton ta fabrikojë një narracion, duke e portretizuara Kosovën si mohuese të Holokaustit ose duke e paraqitur projektin e restaurimit të këtij monumenti si përpjekje për rishkrim të historisë. Faktet historike janë kokëforta dhe qartësisht nuk janë në anën e Serbisë”, tha Çeku.
SHIKONI EDHE: Figura e Xhafer Devës e shpjeguar nga historianëtPezullimi i restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës erdhi pas debatit të ngritur ditëve të fundit. Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde e ka cilësuar Xhafer Devën si “bashkëpunëtor të ngushtë të nazistëve”.
Ministri Çeku tha se projekti ka për qëllim restaurimin e monumentit dhe jo që të "rehabilitohet historia e Xhafer Devës", duke shtuar se Kosova është e gatshme të përballet me të kaluarën.
Xhafer Deva ka qenë politikan shqiptar në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, 1939-1945. Më 1944, Deva u emërua ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Shqipërisë, e cila u formua me mbështetje të Gjermanisë naziste.
Më 1 shkurt, BE-ja, UNDP-ja dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit kishin njoftuar për projektin e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës.
Shtëpia Xhafer Devës thuhet se është ndërtuar në vitin 1930 nga arkitektë dhe punëtorë austriakë.
Sipas MKRS-së, objekti ka stil modern perëndimor-evropian dhe është i pari i këtij lloji në Mitrovicë. Karakterizohet me dekorime të shumta që, sipas MKRS-së, janë tipike për stilin e tij.
Shtëpia është në listën e përkohshme të monumenteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore në Kosovë.