Ruajtja e arkitekturës së fshatit rumun në një shtëpi prej balte

Qyteti i vogël Korbeanka njihet për vilat e shtrenjta luksoze dhe popullsinë prej rreth 11.000 banorësh që jetojnë në distancë të shkurtër udhëtimi nga Bukureshti.

Por, një shekull më parë, Korbeanka ishte një fshat tipik me shtëpi prej balte të gëlqerosura, të banuara nga fermerë që i kalonin ditët e tyre duke punuar në fusha.

Në janar të vitit 2023, ekzistenca e një shtëpie të vjetër në Korbeanka, dukej se do të merrte fund.

Pronari i "Casa Frusina", emri i familjes që jetonte atje, e kishte nxjerrë në shitje shtëpinë së bashku me tokën tashmë të vlefshme në të cilën ndodhej shtëpia.

Casa Frusina fotografuar para restaurimit të saj.

Tabela me mbishkrimin "Për shitje", e vendosur jashtë shtëpisë 100-vjeçare i ra në sy Radu Stefanescut - një banor vendas që nuk është arkitekt dhe as specialist ndërtimi, por i do ndërtesat e vjetra që përcaktojnë identitetin e rajoneve të Rumanisë dhe ka restauruar disa shtëpi historike në të gjithë Rumaninë.

"Unë isha me fat, sepse edhe pronari donte ta ruante shtëpinë, por ai është një zotëri i moshuar dhe nuk kishte mundësi financiare e as fizike për ta bërë këtë", shpjegoi Stefanescu.

Në fund të shekullit XIX, Korbeanka ishte shtëpia e 1.000 njerëzve që jetonin në 254 shtëpi shumë të ngjashme me atë që Stefanesku e vuri në shitje. Pothuajse të gjithë tani janë zhdukur.

Radu Stefanescu (djathtas) me ish-pronarët e shtëpisë.

Stefanescu u rrit në Bukuresht, por pushimet si fëmijë i kalonte me gjyshërit e tij në fshat. Kujtimet e fshatrave të veçanta rumune i ruajti dhe kur u rrit i vuri vetes misionin që të shpëtonte shtëpitë e vjetra që po zhdukeshin me shpejtësi në të gjithë Rumaninë.

Me kusht që ajo të restaurohej dhe të vihej në dispozicion të publikut, pronari i shtëpisë pranoi ta dhuronte shtëpinë e tij të mëparshme. Gjithçka që i nevojitej Stefaneskut ishte një vend për ta zhvendosur shtëpinë -- pasi toka në të cilën ishte, u vu në shitje -- dhe një ekip njerëzish për të ndihmuar në restaurimin e ndërtesës.

Vullnetarët duke lyer pjesën e jashtme të shtëpisë Casa Frusina.

Kur u bë thirrja për vullnetarë për të ndihmuar në punimet për restaurimin e objektit, përgjigja ishte e paparashikueshme. Njëqind e shtatëdhjetë njerëz, përfshirë juristë, profesorë universiteti, biznesmenë dhe pilotë dolën vullnetarë.

Shumë nga vullnetarët nuk kishin përvojë në ndërtim, e lëre më aftësitë e specializuara të nevojshme për bërjen e qerpiçëve ose përpunimin e drurit dekorativ, por ata mësuan në punë e sipër.

Filipi, një djalë i ri vullnetar, duke i lyer me një tretësirë për ruajtje panelet prej druri të nxjerra nga shtëpia.

Larisa, e cila drejton një agjenci udhëtimesh në Rumani, doli vullnetare me burrin e saj, Stefanin, dhe dy fëmijët, Filipin (në foton lart) dhe Markun. Familja pa në Facebook lajmet për projektin e restaurimit dhe filloi të ndihmonte sapo shtëpia -- e cila ishte në fakt një skelet prej druri -- u zhvendos në park.

Familja mësoi të mbushte muret njësoj si fshatarët e vjetër, me baltë dhe kashtë. Një djalë, Marku, gdhendi zbukurimet prej druri.

"Ne filluam të bënim qoshet dhe panelet zukuruese për dritaren. Marku mësoi të përdorte një sharrë rrethore dhe, së bashku me një fqinj anglez, ai filloi të bënte forma të thjeshta zemre, më pas të priste parvazët e dritareve", rikujton Larisa.

Një zbukurim në formë zemre në strehën e shtëpisë Casa Frusina.

Gdhendjet zbukuruese të strehës së shtëpisë origjinale nuk mund të riktheheshin të gjitha, kështu që nën drejtimin e një "plaku fshati" që ishte rritur në Korbeanka, ata mësuan t'i ribënin gdhendjet zbukuruese.

Radu Stefanescut i bënin shumë pyetje vullnetarët gjatë projektit. Disa fëmijë pyetën për shufrat që ndajnë xhamat e dritareve në katër pjesë. “A kanë vetëm rol strukturor për të forcuar dritaret apo shërbenin për qëllime tjera?", pyesnin fëmijët.

Përgjigjen, thotë Stefanescu, mund ta gjeni te filmi i Charlie Chaplinit i vitit 1921 “The Kid”, në të cilin gjatë Depresionit të Madh një fëmijë gjuan qëllimshëm xhamat për t’i thyer, që pastaj i ati të fitonte para (për të siguruar mbijetesën) duke i riparuar dritaret. Katër copa më të vogla xhami ishin më të lira për t'u blerë sesa një xham i madh.

Një vullnetar duke gëlqerosur shtëpinë më 11 nëntor.

Punimet në shtëpi tani pothuajse kanë përfunduar, përveç disa punimeve me dru, të cilat janë në rrugën e duhur për të përfunduar në dhjetor. Pas kësaj, shtëpia do t'i dhurohet zyrtarisht komunitetit në Korbeanka. Brenda objektit janë planifikuar aktivitete të ndryshme për fëmijët.

Përgatiti: Syzanë Paçarizi