Parlamenti i Republikës Sërpska ka miratuar më 8 qershor “Rezolutën për mbrojtjen e serbëve në Kosovë dhe Metohi dhe për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Serbisë”.
Shumica në trupin më të lartë legjislativ të entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë udhëhiqet nga Aleanca e Socialdemorkatëve të Pavarur e Millorad Dodikut, i cili njëherësh është presidenti i Republikës Sërpska.
Dodik nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe ka raporte të ngushta me zyrtarët në Kremlin dhe Beograd.
Për shkak të kundërshtimit të përfaqësuesve politikë nga Republika Sërpska, Bosnje e Hercegovina ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, dhe të dyja shtetet aplikojnë regjim të vizave për qytetarët e vendeve respektive.
SHIKONI EDHE: Dodik: Serbia ka të drejtë të mbrojë sigurinë e serbëve në KosovëÇfarë thuhet në tekstin e rezolutës?
Teksti i rezolutës mbështet të drejtën e Serbisë “për të mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin, që garantohet nga ligji ndërkombëtar” dhe rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara.
Rezoluta u propozua nga Nenad Stevandiq, president i Parlamentit të Republikës Sërpska, njëherësh kryetar i partisë Sërpska e Bashkuar, që është në koalicion me partinë e Dodikut.
Në tekst thuhet se Republika Sërpska “dënon aktivitetet terroriste të shqiptarëve të Kosovës dhe autoriteteve të tyre, të cilat paraqesin kërcënim për paqen ndërkombëtare dhe sigurinë”.
SHIKONI EDHE: Vuçiq paralajmëron bisedime me serbët e KosovësPërveç rezolutës u miratuan edhe konkluzione, përmes së cilave, Republika Sërpska fton shtetet, anëtarët e OKB-së, të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, që e njohin pavarësinë e Kosovës, të shqyrtojnë vendimin e tyre dhe të tërheqin njohjen për Kosovën.
Parlamenti i Republikës Sërpska po ashtu ka kërkuar që përfaqësuesit e këtij entiteti, që janë në institucionet e Bosnje e Hercegovinës, të iniciojnë marrjen e vendimeve që “do të dënonin shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe spastrimin e vazhdueshëm etnik të serbëve në Kosovë dhe Metohi nga shqiptarët e Kosovës dhe autoritetet e tyre”.
Parlamenti tha se do të dërgojë konkluzionet në Asamblenë e Përgjithshme dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe në Parlamentin Evropian.
Rezoluta dhe konkluzionet u mbështetën edhe nga partitë opozitare në Republikën Sërpska.
Kjo çështje u propozua që të vendosej në agjendën e Parlamentit të Republikës Sërpska pas rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
SHIKONI EDHE: Edhe Qeveria, edhe serbët me kushte për zgjedhjetNë Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – situata e sigurisë është përkeqësuar qysh më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave kanë marrë zyrtarisht detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
Serbët lokalë në këto tri komuna që atëherë po organizojnë protesta para ndërtesave komunale.
Dhuna kulmoi më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe nga përleshjet u plagosën dhjetëra persona nga të dyja palët.
Zgjedhjet e 23 prillit, prej të cilave kanë dalë këta kryetarë shqiptarë, janë bojkotuar nga komuniteti serb.