Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska të Bosnje e Hercegovinës miratoi të mërkurën një ligj për produktet dhe pajisjet mjekësore.
Me ligjin e ri parashihet formimi i Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Mjekësore i Republikës Sërpska.
Sipas ligjit, Agjencia do të jetë “një organizatë e pavarur administrative dhe do të ketë statusin e një entiteti juridik”.
Krijimi i një agjencie të tillë nuk është në përputhje me Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës, e cila ka dalë nga Marrëveshja e Dejtonit.
Marrëveshja e Dejtonit i ka dhënë fund luftës në Bosnje më 1995 dhe e ka ndarë këtë vend në dy entitete: Federata Myslimane-Kroate dhe Republika Sërpska.
Sipas Kushtetutës, këto dy entitete nuk kanë të drejtë t’i marrin përsipër kompetencat e shtetit ose ato kompetenca që janë transferuar në nivelin shtetëror.
Agjencia për Barna dhe Pajisje Mjekësore e Bosnje e Hercegovinës është themeluar në vitin 2009.
Ajo është organi i vetëm rregullator që funksionon në nivel shtetëror dhe ka marrë përsipër shumicën e detyrave të sektorit të farmacisë, që deri më 2009 janë kryer nga entitetet.
Agjencia është krijuar pasi Asambleja Parlamentare e Bosnje e Hercegovinës ka miratuar Ligjin për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore.
Ligji për Barnat, i cili është i domosdoshëm për punën e Agjencisë, mund të ndryshohet vetëm në Asamblenë Parlamentare të Bosnje e Hercegovinës.
Asambleja Kombëtare e Republika Sërpskës ka 81 deputetë dhe blloku i shumicës udhëhiqet nga Aleanca e Social-Demokratëve të Pavarur e Millorad Dodikut.
Dodik është anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, i cili kërkon transferimin e të gjitha kompetencave nga shteti në nivel të entitetit.
Dodik po ashtu ka thënë se Republika Sërpska do të shkëputet nga Bosnje e Hercegovina nëse këto kompetenca nuk i kthehen entitetit.
SHIKONI EDHE: Dodik sërish kërcënon me ndarjen e Republikës SërpskaTransferimi i kompetencave nga shteti i Bosnjës tek entitetet nuk është në përputhje me Kushtetutën e Bosnjës.
Partitë opozitare u larguan nga sesioni i Asamblesë Kombëtare të Republika Sërpskës përpara votimit të së mërkurës.
Përfaqësuesit serbë në institucionet kombëtare të Bosnjës e kanë bojkotuar punën e këtyre institucioneve që nga fundi i korrikut, kur Valentin Inzko, ish-përfaqësues i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje, ka vendosur një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës.
SHIKONI EDHE: Kërkohet rishikimi i kushtetutshmërisë së vendimit për gjenocidinPasardhësi i Inzkos, Christian Schmidt, tha të mërkurën se “Ligji i Republikës Sërpska për Produktet dhe Pajisjet Mjekësore është një sfidë serioze për kompetencat dhe funksionimin e duhur të Agjencisë së Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore të Bosnje e Hercegovinës”.
“Sipas Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës, entitetet janë të detyruara që të respektojnë plotësisht Kushtetutën dhe vendimet e institucioneve shtetërore”, tha Schmidt.