REL hap zyrë në Lituani për mbulimin e lajmeve në Rusi dhe Bjellorusi

Llogo e Radios Evropa e Lirë. 15 maj 2018. Fotografi ilustruese.

Radio Evropa e Lirë ka hapur zyrën e saj të re në Lituani, më 10 janar, në atë që mediumi i financuar nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e quan “hapi i fundit në një strategji gjithëpërfshirëse për të kundërshtuar dezinformimin e përhapur rus dhe për të arritur audiencë të re me lajme, informacione të besueshme dhe të pavarura".

Zyra e re në Vilnius do të presë gazetarët që janë larguar nga Bjellorusia fqinje që kur regjimi i Alyaksandr Lukashenkas bastisi dhe mbylli zyrën e Radios Evropa e Lirë në Minsk, në mesin e vitit 2021, gati një vit pas zgjedhjeve të manipuluara presidenciale bjelloruse.

Uebsajti i REL-it është bllokuar brenda Bjellorusisë që nga 21 gushti i vitit 2021 ndërsa akreditimi i të gjithë gazetarëve lokalë që punojnë për media të huaja, përfshirë REL-in, u anulua nga autoritetet bjelloruse në tetor të të njëjtit vit.

Më pas, Lukashenka e shpalli REL-in "organizatë ekstremiste”.

Dy nga gazetarët e Radios Evropa e Lirë, Igar Losik dhe Andrey Kuznechyk, "mbeten të burgosur padrejtësisht nga regjimi i Lukashenkës", thuhet në njoftimin e mediumit për hapjen e zyrës në kryeqytetin lituanez.

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, kryetarja e parlamentit lituanez, Viktorija Cmilyte-Nielsen, liderja e opozitës bjelloruse në mërgim, Svyatlana Tsikhanouskaya, dhe ambasadori amerikan atje, Robert Gilchrist, pritej t'i bashkoheshin presidentit të REL-it, Jamie Fly, në një ceremoni për hapjen e zyrës në Lituani.

Në një deklaratë, Fly falënderoi Nausedan dhe Qeverinë e Lituanisë për "mbështetjen e palëkundur të misionit të Radios Evropa e Lirë".

“Zyra jonë e re në Vilnius është një testament i partneritetit prej dekadash të Radios Evropa e Lirë me popullin lituanez”, tha Fly. "Do të na lejojë t'i ofrojmë audiencës tonë në Bjellorusi lajme të sakta dhe të vërteta. Jam jashtëzakonisht krenar për gazetarët tanë që kanë sakrifikuar kaq shumë për të kryer këtë mision dhe që tani kanë gjetur një strehë të sigurt në Lituani".

Zyra në Vilnius do të strehojë gjithashtu stafin e Current Time, një platformë 24-orëshe në gjuhën ruse, për të kundërshtuar "Kremlinin dhe propaganda tjera shtetërore", tha kompania.